» MIK festival, 5 netë në qytetin e kulturës, Korçë
Postuar më: 24/07/2018

MIK festival, 5 netë në qytetin e kulturës, Korçë

“Nisim këtë javë MIK Festival, në një filozofi që shkon përtej një festivali, që është edukimi i një publiku që shkon përtej publikut profesionist me dashurinë për artin dhe kulturën, por edhe me trashëgiminë kulturore” – shprehet Ministrja e Kulturës,  Mirela Kumbaro.

 

“Muzika Internacionale në Korçë”, frymëzuar nga Inva Mula, afrohet tek publiku  si MIK artit, i MIK-ut të shpirtit lirik, MIK-ut të Korçës, me aktivitete gjithëpërfshirëse për të promovuar artin dhe kulturën, mes figurave të spikatura të skenës lirike kombëtare e ndërkombëtare, në 25-29 korrik, në Korçë.

 

Ky festival mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe është pjesë e kalendarit turistik 2018.

 

Kalendari turistik veror 2018, hartuar nga Ministria e Kulturës,  në bashkëpunim në bashkëpunim me institucionet artistike në vend, TKOBAKKVP, Teatri i Kukullave, Cirku Kombëtar, AQSHF dhe skenën e pavarur,  bën bashkë trashëgiminë dhe kulturën,  me gjithëpërfshirje nga Jugu në Veri, duke i kthyer skenat e hapuara të trashëgimisë dhe sheshet e qyteteve në skena artistike, në një komunikim të gjallë me publikun. Kalendari përfshin rreth 70 shfaqje në zonat bregdetare nga Velipoja në Dhërmi, nga Shëngjini në Korçë, nga Shkodra në Ksamil.

Festivali “MIK” lindi si ide e inkurajuar nga Inva Mula me miqtë e saj në Korçë, një mbrëmje poezie dhe serenatash, në Pazarin e Vjetër, të frymëzuar nga sharmi dhe historia e qytetit, me qëllim të përfshirjes së tij në hartën e destinacioneve të evenimenteve kulturore të rajonit.

Pesë mbrëmje për tingujt klasikë dhe figurat e njohura të muzikës shqiptare, muzikën dhe kuzhinën franceze, serenatat, ballon vieneze dhe një koncert frymëzuar nga më të famshmit “Luciano Pavarotti and Friends” në versionin shqiptar “Inva dhe miqtë”. Dhe miqtë do të jenë të shumtë, plot surpriza dhe emocion për netë të paharrueshme në Korçë.

“Qyteti i Korçës është një qytet, i cili ka dimensionin artistik, audiencën, arkitekturën dhe historinë për të mbajtur peshën e një festivali kaq ambicioz”, thonë organizatorët.

Koncepti i festivalit është ndërthurja e formave të ndryshme të shprehjes së artit dhe vendosja e tyre në funksion të hapësirës dhe kohës. Festival do të bëjë së bashku artistët lirikë të rinj e të afirmuar të skenës për t’i dhuruar publikut një emocion të rrallë e të papërshkrueshëm.

Në një koncert e kumtesë kushtuar rrugëtimit artistik të sopranos Tefta Tashko Koço, në datën 25 korrik të gjithë artdashësit  do të kenë mundësinë të shijojnë  historinë e divës tonë, por edhe performanca nga pasardhësit e saj në muzikën operistike.

MIK Festival, është festivali i parë që bën bashkë rreth 150 artistë të zhanreve të ndryshme për të performuar si asnjëherë më parë në këto 5 ditë të festivalit.  Pritet të performojnë emra si:  Manjola Trebicka, Arlinda Morava, Genc Tukiçi, Olen Çezari, Marina Grabovari, Etleva Shemaj, Grupi “Lira” i Korçës, etj. Janë pikërisht ata artistë që kanë ngritur lart emrin e Shqipërisë në botë dhe tani do të jenë në Korçë, për t’u dhuruar kënaqësinë dhe emocionet e artit të tyre publikut shqiptar dhe atij të rajonit.

Vendtakimi kryesor është “Pazari i Vjetër”, i dyti Teatri “Andon Zako Çajupi”.