Strategjia Kombëtare për kulturën 2019-2025

Programi i kulturës 2013-2017
Vizioni

Artet dhe trashëgimia kulturore e Shqipërisë, si forcë shtytëse për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror të vendit.

Misioni

Krijimi i mjedisit të favorshëm për rritjen dhe zhvillimin e shërbimeve dhe produkteve kulturore dhe krijuese në sektorin publik dhe privat.

Qëllimi Strategjik

Më shumë vëmendje për artin dhe kulturën.

Qëllimet Politike dhe Objektivat Specifike

  1. Përmirësimi dhe zgjerimi i tregjeve kulturore përmes legjislacionit nga i cili do të përfitojnë krijuesit, krijimtaria artistike dhe kulturore dhe trashëgimia kulturore.
  • Krijimi i një mjedisi të qëndrueshëm ligjor e institucional për zhvillimin e artit dhe kulturës.
  1. Ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë materiale dhe jomateriale kulturore.
  • Rehabilitimi i trashëgimisë arkitektonike, muzeve dhe peizazhit përmes rritjes së numrit të monumenteve dhe muzeve të
  1. Nxitja dhe përfaqësimi i vlerave kulturore të arteve dhe trashëgimisë (materiale dhe jomateriale) shqiptare në aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare dhe prezantimi i praktikave të mira.
  • Promovimi i vlerave të artit, trashëgimisë kulturore dhe fondeve muzeore.
  1. Mbështetja e krijimtarisë së artistëve shqiptar dhe shtimi i veprimtarive kulturore dhe artistike.
  • Rritja e interesit të publikut ndaj programeve kulturore përmes përmirësimit të shërbimeve në infrastrukturë, si dhe rritjen e cilësisë artistike.
  1. Hartimi dhe zbatimi i një platforme arsimore përmes institucioneve të artit dhe trashëgimisë kulturore dhe sistemit parauniversitar.
  • Zhvillimi i audiencave

 

 

Fjala e Ministrit

 

Nëse mund të ruajmë kulturën, jemi të aftë të krijojmë”.

Në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe në një botë gjithnjë e më globale, ruajtja e identitetit, e kulturës sonë të përbashkët, por edhe ngritja e standarteve, është kthyer në misionin tonë dhe në guidën drejt realizimit të këtij dokumenti strategjik.

Shpesh, kur flitet për kulturën, ndërmendet argëtimi, por ne tashmë jemi të bindur për karakterin ndërtues, edukues, por edhe zhvillimor të ekonomisë së vendit. Statistikat na dëshmojnë se kultura mund të kthehet edhe në motor zhvillimi ekonomik.

Përgjatë vitit 2019, për herë të parë pritëm mbi 1 milion vizitorë në muze, parqe arkeologjike e monumente kulture. Shifër kjo që përkthehet në numër biletash të shitura dhe në të ardhura ekonomike, që lidhen jo thjesht me buxhetin e shtetit, por drejtpërdrejtë me ekonomitë lokale, me mirëqenien e jetëve të të gjithë atyre banorëve pranë parqeve arkeologjike, kalave apo monumenteve të kulturës.

Edhe Strategjia Kombëtare Kulturore 2019-2025 do të mbështetet në këto shtylla kryesore: trashëgimi kulturore, jetë artistike dhe edukim përmes kulturës.

Është bërë një punë e gjatë dhe e thelluar, në konsultim të vazhdueshëm me të gjitha grupet e interesit, kemi mbledhur mendimet e të gjithëve, për të arritur në këtë dokument, që do të drejtojë në shinat e duhura, kulturën në këto 6 vitet e ardhshme, duke pasur si qëllim, krijimin e mjedisit të favorshëm për rritjen dhe zhvillimin e shërbimeve dhe produkteve kulturore dhe krijuese, në sektorin publik dhe privat.

Në fushën e trashëgimisë kulturore asaj materiale dhe jomateriale do të synojmë ruajtje, mirëmbajtje, restaurim, rijetësim, regjistrim, digjitalizim e promovim. Përmes përmirësimit të legjislacionit i kemi hapur udhë formave të reja të menaxhimit të pasurive të trashëgimisë sonë kulturore, për t’i kthyer ato në qendra konkurruese në rajon. Paralelisht po punojmë për përmirësimin dhe shtimin e shërbimeve, përmes biletarive elektronike dhe atyre on line, futjes së shërbimit të audioguidave etj.

Shqipëria është një vend me një histori të jashtëzakonshme, ndërthurje kulturash, me gjurmë që nga lashtësia, për të ardhur tek ato më moderne, lënë prej regjimit komunist. Të gjitha këto e bëjnë vendin tonë tërheqës për vizitorin e huaj. Është detyra jonë, që gjithë sa na është trashëguar, ta përcjellim ndër brezat e ardhshëm dhe ta bëjmë interesante dhe ftuese për turistët.

Në lëmë të artit, do të vijojmë të jemi gjithëpërfshirës, do të mbështesim krijimtarinë e artistëve shqiptarë, do të përfshijmë në aktivitete kulturore sa më shumë të rinj, në kuadrin e Paktit për Universitetin dhe do të nxisim aktivitetin e skenës së pavarur kulturore si edhe do të të stimulojmë industrinë kreative. Përmes këtij dokumenti strategjik është krijuar guidë mbi mbështetjen e krijuesve dhe organizatave të pavarura kulturore, me qëllim zhvillimin dhe promovimin e sektorëve kulturorë dhe synim pavarësimin e tyre në tregun e sotshëm.

Do të sigurojmë vazhdimësinë e pjesëmarrjes në aktivitete ndërkombëtare, si dhe organizimin e aktiviteteve ndërkombëtare në vend.

Por në radhë të parë nevojitet krijimi i një mjedisi të qëndrueshëm ligjor e institucional për zhvillimin e artit dhe kulturës, duke iu afruar standardeve dhe kërkesave të Bashkimit Europian. Këtu përfshihen hartimi dhe miratimi i Ligjit për Pensionet e Profesioneve të vështira; Reformimi i Ligjit të Artit dhe Kulturës; Reformimi i Ligjit për Kinematografinë etj. Do të përforcojmë mekanizmat rregullatorë e do t’i kushtojmë një vëmendje të veçantë respektimit të së drejtës së autorit, çka do të ndikojë edhe në nxitjen e krijimtarisë.

Por sfida më e madhe është përmirësimi i infrastrukturës dhe ngritja e ndërtesave të reja për institucione të artit, si Biblioteka Kombëtare, Teatri i Kukullave, Qendra Kulturore Hebraike, ndërsa synojmë rijetësimin e Burgut të Spaçit, si një qendër kulturore.

Do të vijojmë me edukimin përmes kulturës, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Arsimit, duke ia nisur që nga më të vegjlit deri te studentët. Të gjithë biem në një mendje në karakterin edukues të kulturës dhe të investosh në edukim, është një investim në të ardhmen.

Implementimi i kësaj strategjie do të dojë kohë dhe mund, ndaj ftoj çdo ent publik e privat, çdo shqiptar e shqiptare, të bëhet pjesë e këtij procesi, që e kthen kulturën në kryefjalë.

Link: Strategjia Kombëtare për Kulturën 2019-2025