» Margariti në Zejmen: “Ku ka dije dhe bibliotekë ka edhe ide novatore”
Postuar më: 13/02/2019

Margariti në Zejmen: “Ku ka dije dhe bibliotekë ka edhe ide novatore”

Në kuadër të Lëvizjes Kombëtare për Lexim Ministria e Kulturës pasuroi bibliotekën e shkollës së bashkuar Zejmen me 200 libra. Deri tani kanë përfituar 10 shkolla periferike në të gjithë vendin.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi nga Zejmeni se ”Po bashkërendojmë punën me Ministrinë e Arsimit, me qëllim që të rritet numri i shkollave me biblioteka të mirëmbajtura dhe të pasura me tituj të rinj. Ku ka dije, ku ka bibliotekë, ku lexohet, ka dhe ide novative, ka gjithnjë një shteg të ri për të dalë nga situatat e vështira, për t’u matur me botën me inteligjencë dhe mençuri”.
Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministret Margariti dhe Shahini vizituan shkollën, ku përmes  Fondit të Zhvillimeve të Rajonit, Shkolla e Mesme e Bashkuar e Zejmenit është rikonstruktuar e plotë me një vlerë prej 45 milion lekësh, me ambiente bashkëkohore, bibliotekë të re dhe
klasa me kabinete të pasura.
Libri dhe leximi duhen kuptuar jo thjesht si tregues të zhvillimin kulturor të një vendi, por dhe si motor lëvizës të zhvillimin social dhe ekonomik të tij. Libri përgatit qytetarë më të informuar për të drejtat e detyrimet e tyre, më të motivuar e më të ndërgjegjësuar për të përballuar sfidat e zhvillimit shoqëror.

Lëvizja Kombëtare për Lexim vjen si një emergjencë kombëtare, në mbështetje të nevojës së shoqërisë shqiptare për një vizion të përbashkët europian të jetës që buron nga kulturimi  dhe emancipimi i individit.

Fëmijët janë targeti i Lëvizjes Kombëtare për Lexim, nga 0- 14 vjeç. Kushti kryesor që një fëmijë të bëhet lexues është që prindërit të fillojnë që herët t’u rrëfejnë e t’u lexojnë libra me zë.

Këtë vit Lëvizja Kombëtare ka marrë si model 12 shkolla periferike, bibliotekat e të cilave do t’i pajisë me libra dhe do të synojë trajnimin e mësuesve të këtyre shkollave për mënyrën sesi të punojnë për të afruar nxënësit me librin.

Një tjetër detyrë është dhe pasurimi i bibliotekave publike, kthimi në ambiente funksionale dhe tërheqëse për fëmijët dhe të rinjtë. Është një angazhim i kësaj Lëvizje arritja e një marrëveshjeje me bashkitë e vendit për t’i nxitur të krijojnë një zë të rëndësishëm në buxhet për bibliotekat publike.

Lëvizja Kombëtare për Lexim nisi në muajin nëntor 2018  dhe do të vazhdojë deri në muajin prill 2019.