» Margariti nga Voskopoja ” Trashēgimia jo vetëm histori, por edhe zhvillim”
Postuar më: 09/02/2019

Margariti nga Voskopoja ” Trashēgimia jo vetëm histori, por edhe zhvillim”

” Të krijojmë një model zhvillimi që ti rezistojë kohës”- u shpreh Ministrja e Kulturës Elva Margariti nga Voskopoja në dëgjesën e parë publike me banorë, pronarë bujtinash dhe operatorë turistikë.
Ministrja e Kulturës theksoi se qeveria përmes programit 100+ fshatra ka sjellë modelin e ri të mbështetjes dhe zhvillimit rural, ndërsa bëri me dije dhe fillimin e aplikimit për programet IPARD, një mbështetje për agrobiznesin.

Një problem i ngritur ishte dhe legalizimi në Voskopojë. Margariti zhvilloi një takim në zyrat e Aluiznit në Korçë. Janë rreth 179 ndërtime pa leje në këtë zonë, banesa private, të cilat kanë mbetur në mes të këtij procesi.
Margariti sqaroi në dëgjesën publike se ndërtimet pa leje janë në Qendrën Historike, çka ka vështirësuar deri tani procesin e legalizimit. “Me miratimin e ligjit të ri për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë , i cili sjell koncepte të reja sa u përket Qendrave Historike jemi shumë pranë zgjidhjes së legalizimeve.
Banorët shprehën shqetësime për procesin, duke patur parasysh fluksin në rritje të turistëve. Margariti premtoi nga Voskopoja se “Jemi duke marrë të gjithë informacionin e duhur për zonat mbrojtëse dhe shpejt marrim një vendim për unifikim të ndërtimeve”.

Ministrja Margariti inspektoi dhe kishat e Voskopojës Shën Kolli dhe Shën Mëria, pjesë e itinerarit “Rrugët e Besimit” duke njoftuar për fillimin e projektit të ndriçimit në këto kisha.
Qeveria shqiptare prej pesë vitesh ka kthyer fort vëmendjen ndaj trashëgimisë kulturore. Programet si “100 Fshatrat”, apo “Rrugët e Besimit”, nuk janë vetëm sensibilizim ndaj pasurive kulturore, natyrore dhe shpirtërore të Shqipërisë, por një itinerar i pasur i këtyre thesareve që presin të zbulohen për të komunikuar kulturalisht por edhe për të gjeneruar ekonomi lokale.
Investimi për rehabilitimin e qendrës historike të Voskopojës kap vlerën 365 milionë lekë të reja dhe përveç rikonstruksionit të 4 kishave përfshin edhe investime në infrastrukturën rrugore të fshatit.