Galeria Kombëtare e Arteve u themelua në vitin 1954, dhe u transferua në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në vitin 1974. Galeria Kombëtare e Arteve është institucioni më i rëndesishëm i arteve pamore në vendin tonë. Këtu ruhet koleksioni Kombëtar i arteve pamore, duke filluar nga gjysma dytë e shek. XIX e deri në ditët tona. Ky koleksion përbëhet nga vepra të periudhës së Rilindjes Kombëtare dhe Pavarësisë (1883 – 1944), një koleksion ikonash që i përket shek. XIII – XIX, koleksioni më i madh i pikturës dhe skulpturës së periudhës së Realizmit Socialist (1944-1990) , pavioni i artistëve të huaj, si dhe një koleksion i artit bashkëkohor kombëtar dhe ndërkombëtar.