Kisha e Shën Kollit është një monument kulture me rëndësi të veçantë kombëtare për vlerat e saj arkitektonike dhe artistike të frymëzuar nga trashëgimia e kultit Bizantin. Monumenti përfaqëson edhe një dëshmi të prekshme të rëndësisë historike të Voskopojës. Kisha e Shën Kollit është përfunduar në 1721. Struktura konsiston në një ndërtim prej guri të tipit bazilikal, me naos me kupolë, narteks dhe hajat. Brendësia e kishës është dekoruar me piktura murale të ekzekutuara nga mjeshtri i shquar David Selenica dhe bashkëpunëtorët e tij Kostandini dhe Kristo. Arti i Davidit dallon për natyrën e tij realiste, siç tregon edhe portreti i dhuruesit por gjithashtu edhe për njohuritë e thella në fushën e teologjisë. Sipas mbishkrimit, piktura ka përfunduar në vitin 1726 dhe kjo u përcaktua në një ekspeditë arkeologjike më 1953. Rreth 24 vjet më vonë, në 1750, një tjetër atelie e famshme e kohës, ajo e Kostandin dhe Athanas Zografit, u angazhua për të pikturuar hajatin. Kisha është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1948 për vetë vlerat e saj të mëdha arkitektonike dhe artistike. Kisha e Shën Kollit përfaqëson një ndër monumentet më të rëndësishme të Voskopojës, jo vetëm për sa i përket arkitekturës por gjithashtu edhe cilësisë së pikturës, e cila mban autorësinë e mjeshtrit të shquar David Selenicës dhe të ateliesë së njohur të Athanas Zografit dhe Kostandin Zografit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *