Qendra për Hapje dhe Dialog, hapi më 18 korrik 2019 ekspozitën “Duke pikturuar filmin”, me vepra të Shyqyri Sako, “Artist i Merituar”. Janë ekspozuar rreth 85 punime të përzgjedhura nga karriera mbi 50-vjeçare e artistit, si: pllakate origjinale filmi, skica, vizatime, portrete, eksterierë, interierë dhe piktura. Pllakatet e filmave (posterat), janë prodhime origjinale që u përkasin viteve kur filmat kanë dalë për herë të parë në kinema, ndërsa disa nga vizatimet dhe pikturat që i shoqërojnë janë kryesisht frymëzime nga filmat ose reflektime të më pasme mbi ta, dhe rrallë, për të mos thënë asnjëherë, nuk janë shfaqur më parë. Për herë të parë ekspozohet edhe seria e fundit e pllakateve të ripikturuar nga Sako në vitet 2018-2019, si reflektime nostalgjik që risjellin me shumë kujdes dhe durim momente interesante nga disa filma.
Ekspozita reflekton krijimtarinë e tij në një kolazh me pjesë nga filmat më të njohur shqiptarë, siç janë: “Toka e jonë” (1964), “Horizonte të hapura” (1968), “Njësiti Gueril” (1969), “Kapedani” (1972), “Rrugë të bardha” (1974), “Dimri i fundit” (1976), “Tomka dhe shokët e tij” (1977), “Mësonjëtorja” (1979), “Fundi i një gjakmarrjeje” (1983), “Shpella e piratëve” (1990), “Përdhunuesit” (1994) etj.
Kjo ekspozitë e veçantë sjell një paraqitje të plotë mbi punën e artistit, si piktori i parë profesionist i filmit shqiptar.
Ekspozita qëndron hapur për publikun deri më 31 gusht 2019.