Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro firmosi sot në Berlin marrëveshjen e
bashkëpunimit kulturor Shqipëri –Gjermani 2015. Per palën gjermane marrëveshja u nënshkrua
nga Sekretari i shtetit federal të punëve të jashtme, z. Stephan Steinlein.
Marrëveshja, në fushën e artit dhe kulturës, parashikon shkëmbimin e njohurive mbi
artin, letërsinë, gjuhën, kulturën gjeografinë dhe historinë e vendit dhe fusha të përafërta
nëpërmjet organizimit të turneve të artistëve dhe ansambleve artistikë, organizimit të
koncerteve, shfaqjeve teatrore dhe shfaqjeve të tjera artistike, zhvillimit të ekspozitave në gjini të
ndryshme të artit pamor, brenda të cilave mund të përfshihen ekspoze apo shkëmbime të biznesit
e turizmit, si një vlerë e shtuar e këtyre eventeve, dhe nxitjen e kontakteve mes shtëpive
botuese, bibliotekave, arkivave dhe muzeve, përkthimet e letërsisë artistike, literaturës shkencore
dhe asaj të specializuar.
Përveç Ministrisë së Kulturës në marrëveshje përfshihet edhe Ministria e Mirëqenies
Sociale dhe Rinisë, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Arsimit si dhe institucione
përgjegjëse për median. Në këtë drejtim marrëveshja mundëson shkëmbimet kulturore me
pakicat kombëtare, mësimin e gjuhës së vendit tjetër përmes ndërmjetësimit dhe dërgimit të
kuadrit mësimdhënës, lektorëve, këshilltarëve dhe ekspertëve të ndryshëm të fushës së arsimit,
vënien në dispozicion të librave dhe materialeve didaktike, pjesëmarrjen e mësuesve dhe
studentëve në kurse formimi dhe kualifikimi, shfrytëzimit të mundësive që ofron radio dhe media
televizive në secilin vend për të përhapur gjuhën e palës tjetër.
Marrëveshja synon gjithashtu bashkëpunimin në të gjithë sektorët e arsimit duke
shkëmbyer informacion, përvojë, por edhe delegacione e individë midis institucioneve përkatëse,
ndër të tjera edhe të bibliotekave dhe arkivave, duke kërkuar kështu angazhimin e drejtpërdrejtë
të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, por edhe të Ministrisë së Kulturës, të Ministrisë së
Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, dhe të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit.Parashikohet
që palët do të përkrahin shkëmbimin e shkencëtarëve, mësuesve, arsimtarëve, doktorantëve,
studiuesve dhe personelit administrativ të shkollave të larta dhe institucioneve të tjera shkencore,
duke nxitur pjesëmarrjen në konferenca shkencore dhe duke ofruar bursa me qëllim formimin,
kualifikimin dhe kërkimin shkencor. Palët angazhohen që, për personat që shkëmbejnë, të
lehtësojnë procedurat e lëshimit të lejeve të qëndrimit dhe punës, duke bërë që për zbatimin e
këtij neni, përveç Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, të përfshihen edhe Ministria e Punëve të
Brendshme dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Palët do të angazhohen gjithashtu të
shqyrtojnë kushtet e njohjes reciproke të diplomave dhe titujve akademikë për qëllime
akademike, si dhe mundësinë për të lidhur një marrëveshje të veçantë në këtë fushë.
Marrëveshja prek gjithashtu dhe bashkëpunimin në fushën e kinematografisë, teatrit, si
dhe në trashëgiminë kulturore, duke nxitur bashkëpunimin në sektorët e kujdesit dhe ruajtjes së
trashëgimisë, të monumenteve, ansambleve dhe qendrave të mbrojtura të trashëgimisë, fusha të
Ministrisë së Kulturës por dhe të Ministrsië së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, për zhvillimin e
turizmit kulturor .
Marrëveshja i mundëson gjithashtu shtetasve të dyja palëve, që jetojnë në territoret
respektive të kujdesen për gjuhën, kulturën, traditat dhe besimin e tyre fetar sidomos në vend
takimet e tyre, angazhim i Ministrisë së Kulturës dhe institucionit të Kulteve. Ato marrin në
konsideratë të përshtatshme interesat e këtyre qytetarëve në kuadër të programeve të
përgjithshme mbështetëse.
Institucionet kulturore të përmendura në këtë marrëveshje janë kryesisht: institutet e
kulturës, shkollat e larta, organizatat shkencore, institucionet kërkimore, shkollat e formimit të
përgjithshëm dhe atij profesional, të formimit profesional të fushës së turizmit, institucionet e
formimit dhe kualifikimit të mësuesve, të arsimimit të rriturve, të formimit dhe kualifikimit
profesional, bibliotekat dhe sallat e leximit.
Për zbatimin e kësaj marrëveshje, parashikohet ngritja e një komision të përbërë nga
përfaqësues të institucioneve përgjegjëse, për të përpunuar rekomandime dhe programe për
bashkëpunimin e ardhshëm, si dhe për të bërë një bilanc të shkëmbimit të realizuar në kuadër të
marrëveshjes.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.