“Kam kënaqësinë të jem sot në këtë komunitet të nderuar të heronjve të heshtur të letrave, të atyre që ndërtojnë urat më të vështira e më të brishta, ato të komunikimit mes vendeve e kulturave të ndryshme. Integrimi, rruga drejt Europës nuk mund të kuptohet sot pa Kulturën.
Në korridoret e diplomacisë europiane qarkullon rëndom thënia e Jean Monnet, njërit prej baballarëve të Europës së Bashkuar: Nëse do ta nisja nga e para idenë e Bashkimit Europian, do ta nisja nga Kultura. Europa e nisi nga çeliku, qymyri, nga pasuritë, për të vazhduar me tregjet e kapitalet, e për ta vulosur bashkimin me monedhën e përbashkët. Njëlloj si një çift që lidhet në martesë nga interesat ekonomike dhe gjëja e parë që bën është llogaria e përbashkët bankare. Po miqësitë dhe dashuritë nuk nisin nga kuleta e përbashkët, por nga idetë, emocionet, kujtimet, përjetimet, nga komunikimi emotiv, mirëkuptues e respektues. Pra, një bashkëjetë e mirë dhe afatgjatë nis nga bashkëndarja e kulturës që urë transmetimi ka pikërisht gjuhën. Edhe Euro e përbashkët e Kulturës, për një Europë me 24 gjuhë të ndryshme, është pikërisht Përkthimi.
Themelet e Europës duhen ndërtuar me evidentimin e një identiteti kulturor që bashkon vendet e këtij gadishulli, në respekt dhe të diversitetit dhe plurikulturalizmit. E për të thelluar këtë identitet europian që i ka rrënjët te formimi i përbashkët me letërsinë klasike greke, me veprat e Dantes, Servantesit e Shekspirit, me muzikën e Mozartit, Verdit apo Shumanit, me arkitekturën heleniane, romake, baroke, apo libertine, na nevojitet pikërisht të njohim kulturën e gjithësecilit popull për të gjetur pikat përbashkuese e për t’u pasuruar me ato të veçanta e dalluese. Për këtë lindi dhe projekti i Europës Krijuese më 2014. E me të drejtë në themel të këtij projekti të jashtëzakonshëm është Programi i Përkthimit. Ministria jonë e Kulturës u bë pjesë e këtij projekti që në fillimet e tij duke u hapur kështu një portë shtëpive botuese për të konkuruar me të drejta të barabarta me kolegët e vendeve të tjera europiane në projekte përkthimi, për të arritur kështu një njohje më të mirë të Europës ku kërkojmë të integrohemi.
Vetëm me këtë program të Europës Krijuese janë mbështetur 12 projekte përkthimi nga më shumë se 6 shtëpi botuese shqiptare, duke përfituar një shumë prej 878.879 EURO në tri vite. Domethënë: më shumë letërsi e mirë në shqip, më shumë autorë të huaj të ftuar në Shqipëri apo autorë shqiptarë në vendet europiane, më shumë mbështetje për përkthyesit, redaktorët, korrektorët dhe botuesit. Gjithashtu një shans për autorët shqiptarë për të qenë pjesë e garës për çmimet europianë të letërsisë. Deri tani dy prej tyre e kanë merituar këtë çmim: Ben Blushi dhe Rudi Erebara. E gjitha kjo falë një politike largpamëse të Komunitetit Europian dhe politikës mëndjehapur të vetë vendeve që janë bërë pjesë dhe e kanë përkrahur, siç ka qenë dhe vendi ynë përmes punës së Ministrisë së Kulturës.
Falë kësaj politike e kësaj mbështetjeje kanë ardhur në shqip me dinjitet vepra të Umberto Eco- s apo Claudio Magris-it, të Asia Djabar-it, Marguerite Duras-it apo Simone de Beauvoir-it, e shumë të tjerëve, si dhe të autorëve të rinj fitues të çmimit europianë të cilët po krijojnë tashmë një klimë të një letërsie pa kufinj, të një letërsie europiane.
Po të njëjtën qasje kanë pasur dhe politikat tona kulturore në këto katër vite të orientuara drejt rivlerësimit të këtij aktiviteti krijues të rëndësishëm, siç është përkthimi, të kuptuar si burim pasurimi të kulturës vendase dhe e sidomos si burim pasurimi të gjuhës shqipe. Ndaj mbështetja për projektet e përkthimit nga gjuha e huaj apo anasjelltas, ishte një nga nismat e para në mandatin e kaluar, të cilin synojmë ta kthejmë në një nga shtyllat bazë të politikës sonë në fushën e librit. Kush mendon se kjo është në dëm të krimtarisë shqipe, siç ka pasur zëra kritikë, gabohet. Përkthimi ka qenë dhe mbetet burimi kryesor frymëzues edhe për krijimtarinë shqipe”.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.