Konferenca Ndërkombëtare Shkencore - Ministria e Kulturës
Postuar më: 17/05/2019

Konferenca Ndërkombëtare Shkencore

Konferenca Ndërkombëtare Shkencore me temë:

“Fytyra e ‘armikut të popullit’ gjatë diktaturës së proletariatit në Shqipëri (1944-1990)”

 

“Pavarësisht se sa vuan duke i kujtuar, asnjëherë nuk do të duash të heqësh dorë nga ato kujtime”. Kështu shprehet një nga romancierët më të mëdhenj të kohës sonë, japonezi Haruki Murakami.

Me apo pa vetëdije, njeriu përpiqet që kujtimet e errëta t’i depozitojë në zona edhe më të errëta të subkoshiencës së vet; të mos flasë më për to; dhe në tentativë për të ecur përpara, mbetet i ngecur pikërisht aty: tek e shkuara. Prandaj, sado të na dhembë, ne nuk duhet të heqim dorë nga kujtimet e së shkuarës sonë.

Dhe diktatura komunisteështë pikërisht një nga ato periudha të dhimbshme të memories sonë kolektive. Çdokush nga ne e ka përjetuar diktaturën në forma të ndryshme. Dikush përmes burgosjes, një tjetër internimit, të tjerët përmes përjetimit të një izolimi të pamëshirshëm nga bota dhe një varfërie ekstreme.

Siç thotë poeti gjerman Hajnrih Hajne (Heinrich Heine): “Komunizmi zotëron një gjuhë, që mund ta kuptojë kushdo; elementët e tij janë: uria, zilia dhe vdekja”.

Nuk ishin pak ata që përjetuan urinë dhe vdekjen. Ndërsa zilinë më së shumti e provonin ata që ishin në pushtet dhe sajonin kudo “armiq të popullit”. Dhe kjo konferencë na sjell në vëmendje pikërisht profilet e këtyre “armiqve”, që në të shumtën e herëve ishin intelektualë dhe kundërshtarë politikë.

Përmes kësaj konference ne zbulojmë po ashtu edhe profilet e akuzuesve, dhe në këtë mënyrë ne thellojmë jo vetëm njohjen historike, shoqërore, por njëkohësisht ne i japim vetes mundësinë për të folur, për të mësuar dhe për t’u ndërgjegjësuar mbi burimet e së keqes, në mënyrë që historia të mos përsëritet.

Dhe këtë vullnet, këtë njohuri të tonën, ne duhet t’ia përcjellim më së shumti brezave të rinj, që ata jo vetëm të njohin të shkuarën e prindërve të tyre, por edhe që të mos ecin në rrugën e gabuar. Kjo është edhe arsyeja pse, Ministria e Kulturës, i jep një rëndësi të veçantë ngritjes së institucioneve të kujtesës, hapjes së muzeve, jo vetëm fizikë, por edhe virtualë, duke iu përshtatur interesit të të rinjve dhe zhvillimeve të teknologjisë. Jemi dëshmitarë të interesit që ka ngjallur hapja e Muzeut të Përgjimeve, i cili na zbulon një prej metodave të përdorura nga makineria komuniste për të mbajtur njerëzit nën terror.