Mbrojtja e trashëgimisë kulturore jomateriale dhe inventarizimi i saj me bazë komunitetin - Ministria e Kulturës
Postuar më: 24/06/2019

Mbrojtja e trashëgimisë kulturore jomateriale dhe inventarizimi i saj me bazë komunitetin

Në epokën e globalizimit, kur kufijtë janë gjithnjë e më tepër fluidë; kur lëvizja dhe teknologjia i ka bërë njerëzit, qytetarë të gjithë botës;

të vetmit elementë që do të mbajnë gjallë kombet, janë ata identitarë: gjuha, kultura, traditat, zakonet…

Që në fillim të marrjes së kësaj detyre, e kam theksuar, se një nga sfidat e kësaj ministrie, është pikërisht regjistrimi dhe ruajtja e trashëgimisë jomateriale.

Është shumë e rëndësishme që t’i ruajme këta elementë, që na identifikojnë, që na bëjnë të ndihemi shqiptarë dhe për më tepër t’i trashëgojmë ato brez pas brezi.

Koha dhe teknologjia janë dy sfiduesit e mëdhenj të traditës, por ne na duhet që ta kthejmë pikërisht teknologjinë në favorin tonë.

Ka kaluar më shumë se një shekull që kur At Shtjefën Gjeçovi apo diplomati e albanologu autriak, Johann Georg Von Hahn, e të tjerë të apasionuar pas folklorit, rrugëtonin shkrepave të Shqipërisë për të mbledhur visaret e kombit, nëpër radhonj.

Sot na ofrohen shumë më tepër mundësi se atëherë, por po njëlloj si atëherë, kemi nevojë për dashuri dhe pasion.

Organizimi i kësaj punëtorie është një hap i rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë jomateriale, të cilën duhet të dimë ta mbledhim, ta iventarizojmë, ta ruajmë, ta përcjellim, ta promovojmë dhe po ashtu si trashëgimia materiale, elementë të rëndësishme të saj, t’i bëjmë pjesë të listës së trashëgimisë botërore nën mbrojtjen e Unesco-s.

Inventarizimi, digjitalizimi dhe ruajtja e tyre, duhet të ecë paralelisht.

Aq më tepër ajo jomateriale, që është shprehje e pasurisë sonë shpirtërore.

Me këtë punëtori, që synon aftësimin e punonjësve të këtij sektori, por edhe të shoqërisë civile apo studentëve, jemi në sintoni me projektin e UNESCO-s të fituar nga vendi ynë “The International Assistance for Albania”, që po ashtu fokusohet tek inventarizimi.

I uroj punë të mbarë kësaj punëtorie, me shpresën që rezultatet në terren do të jenë të shpejta.