“Një ditë lexova një libër dhe gjithë jeta ime ndryshoi” - Ministria e Kulturës
Postuar më: 04/10/2019

“Një ditë lexova një libër dhe gjithë jeta ime ndryshoi”

Kështu është shprehur nobelisti turk, Orhan Pamuk

Por besoj që janë shumë ata, që janë ndjerë si ai.

Nuk ka rëndësi nëse është verë a dimër, pranverë apo vjeshtë, të lexuarit është më shumë se një proces, është një nga ato ndjesitë e mira, që nëse bëhet pjesë e jotja, nuk do të lëshojë asnjëherë.

Por personalisht, vjeshta gjithnjë më ka kujtuar aromën e librave dhe ndihem mirë që muaji i leximit është pikërisht Tetori.

Dhe sot i japim rrugë Tetorit të Librit dhe jam e kënaqur që rrethohem nga bashkëpunëtorë, pa të cilët ky muaj do të ishte i mangët: Bibliotekën Kombëtare, Shoqatën e Botuesve të Shqipërisë, Fakultetin e Histori Filologjisë, Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë, Ambasadën Gjermane, Teatrin Kombëtar, të gjitha bashkitë që i bashkohen këtij muaji, e mbi të gjitha poetë, shkrimtarë, përkthyes e botues, që i japin kuptim këtij muaji.

Edhe pse leximi është një proces individual, që shijohet në qetësi, ne duam që ta nxjerrim nga ajo koraca e vetmisë, për ta bërë një motiv të bukur për të qenë së bashku, për të shijuar kënaqësinë që të jep të lexuarit; të ndarit të ndjesive të përjetuara; të ndarit të botëve që kemi zbuluar; të personazheve që kemi njohur; për ndryshimin që jeta jonë ka pësuar, që kur mori në dorë librin e parë.

Dhe do të dëshiroja që të gjithë të bëheshit pjesë e këtij muaji, i cili ka vend për të gjithë.

Kalendari është i pasur dhe do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, madje edhe në përfaqësitë tona diplomatike, kudo në botë.

Kudo do të mblidhen grupet e leximit për të diskutuar për librat e preferuar, do të zhvillojmë lexime me nxënës shkollash, promovime librash, ekspozita, konferenca shkencore në një nivel më të ngritur akademik..

Motoja e këtij viti është “Lexo shqip” dhe synimi ynë është më së pari të promovojmë letërsinë shqipe, shkrimtarët shqiptarë, ata klasikë dhe bashkëkohorë.

Menduam ta hapnim këtë muaj me një sfidë në rrjetet sociale: “Dhuro-Gjej-Lexo”, që ka si synim, të qasë rreth vetes më së shumti brezin e ri, që po rritet në erën digjitale.

Dhuroni libra dhe ftoni këdo që të lexojë.

Jam e bindur se do t’ju jenë mirënjohës.

Edhe Ministria e Kulturës do të bëjë pikërisht këtë.

Gjatë këtij muaji do të dhurojmë libra për pasurimin e bibliotekave të rretheve, bibliotekave të shkollave, tre bibliotekave universitare, por edhe në institucioneve të vuajtes së dënimit, spitale..

Viteve të fundit është bërë shumë në këtë drejtim, por jemi të ndërgjegjshëm, që ka ende shumë për të bërë, që libri të shkojë në duart e lexuesit, e sidomos të brezit të ri.

Le ta kthejmë këtë muaj në një maratonë leximesh, takimesh e shkëmbimesh!

Ndoshta nuk do të na ndryshojnë jetën, por do të na hapin shumë horizonte.