“Investimi në kulturë dhe kreativitet për zhvillim të qëndrueshëm dhe punësim”
Në datën 19 Nëntor 2019, Ministrja e Kulturës, Elva Margariti mori pjesë në Forumin e Ministrave të Kulturës, në UNESCO. Një takim i këtyre përmasave nuk ishte zhvilluar që prej 21 vjetësh. Hera e fundit ishte viti 1998, në Stockholm.
Në këtë takim, i cili zhvillohej në kuadrin e sesionit të dyzetë të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s, morën pjesë përfaqësues nga 120 vende të botës. Tema qendrore e këtij Forumi ishte “Kultura dhe politikat publike për zhvillimin e qëndrueshëm”.
“Çdo zë meriton të dëgjohet, pavarësisht gjinisë. Dhe përmes kulturës ne mund ta bëjmë këtë që të ndodhë”, u shpreh në fjalën e hapjes së Forumit, Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay.
“Na ndajnë 20 vjet nga ky takim ndërkombëtar i ministrave të kulturës dhe prej atëherë, faqja e botës ka ndryshuar. Kultura ka një rol fondamental në sfidat e këtij shekulli. Përballë thyerjeve globale dhe bllokimit të disa platformave institucionale, është gjuha e përbashkët, që rrëzon barriera”, tha ajo.
Përgjatë takimit u diskutua mbi katër tema:
-Kultura dhe trashëgimia, një energji e rinovueshme për dialog dhe paqe.
-Kultura në zemër të edukimit, një dimension themelor për zhvillimin njerëzor dhe inovacionin.
-Investimi në kulturë dhe kreativitet për zhvillim të qëndrueshëm dhe punësim
-Kultura në hapësirën publike, një forcë lëvizëse për transformimin urban dhe social
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti referoi mbi temën “Investimi në kulturë dhe kreativitet, për zhvillim të qëndrueshëm dhe punësim”, duke ndarë me të pranishmit hapat e ndërmarra përgjatë viteve të fundit nga qeveria shqiptare në kulturë dhe trashëgimi kulturore, me qëllim që kjo e fundit të kthehet në një motor zhvillimi ekonomik.
Duke u ndalur në tri pika kyçe, ministrja Margariti u ndal së pari në turizmin kulturor:
“Janë bërë përpjekje të veçanta për të shfrytëzuar vendet e trashëgimisë dhe monumentet si mundësi për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, duke promovuar këto destinacione, por edhe produktet e komuniteteve lokale rreth këtyre zonave të mbrojtura, duke financuar projekte të ndryshme, që kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin dhe mirëqenien e komuniteteve lokale të interesuara, gjë që çon në rritjen e punësimit në këto rajone.
Trashëgimia jomateriale kërkon një vëmendje të veçantë. Nëse deri më sot ajo është ruajtur nga individë, bartës të traditës, thjesht në mënyrë orale, në kushtet e zhvillimit të shpejtë të tekologjisë dhe mediave sociale, presioni mbi të është shumë i lartë. Ne jemi të ndërgjegjshëm se pa kujdesin dhe mbështetjen e duhur, ajo mund të zhduket dhe ne nuk mund ta lëmë këtë që të ndodhë. Së pari, sepse është pjesë e identitetit tonë, por edhe sepse kontribuon në mirëqënien e komuniteteve lokale”.
Forumi i Ministrave të Kulturës shërbeu si një tryezë diskutimi dhe shkëmbimi të eksperiencave të ndryshme, me qëllim që kultura të vendoset në qendër të vëmendjes së politikave publike.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.