Fjala e Ministres së Kulturës Elva Margariti me rastin e ditëlindjes së At Gjergj Fishtës dhe prezantimit të “Rrugëtimit Fishtian”, në Lezhë - Ministria e Kulturës
Postuar më: 23/11/2019

Fjala e Ministres së Kulturës Elva Margariti me rastin e ditëlindjes së At Gjergj Fishtës dhe prezantimit të “Rrugëtimit Fishtian”, në Lezhë

Kur flasim për At Gjergj Fishtën e kemi të vështirë të flasim për të, si për një personalitet të shquar vetëm në një fushë të caktuar. Kjo do të ishte shumë e thjeshtë, nëse nuk do të na ndërmendej figura poliedrike e njeriut, që përtej rrasos së klerikut dhe bariut që ftonte grigjën e vet drejt Zotit, ishte edhe atdhetari, gjuhëtari që luftonte për gërmat shqipe, poeti që i këndoi gjuhës dhe ngriti në nivelin e eposit historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, që ne sot me të drejtë e krahasojmë me një Homer të shek. XX.

Me poemën e tij epike “Lahuta e Malcis”, Fishta do të fitonte pavdekësinë, do të kthehej në rapsodin e përjetshëm, që i këndoi lirisë dhe vendit të vet.

Për të mos harruar publicistin penëmprehtë, jo rrallë edhe të pamëshirshëm, ironikun, që i hapi vetes jo pak andralla dhe autoritete të kohës do t’ia mbyllin sa herë revistën, themeluar prej tij, “Hylli i Dritës”, e cila nuk ishte thjesht një revistë kulturore, por një fanar ndriçues në kohë të vështira e kur shqiptarët kishin nevojë për zgjim.

“Tash që u ba Shqypnia, duhet me u ba shqyptart”.

Duket sikur edhe sot na kumbon zëri i tij, teksa kërkon jo vetëm zgjim, por edhe ndërgjegjësim kombëtar, edukim..

Sot, është radha jonë që të mbajmë ndezur pishtarin që ai na la, të transmetojmë stafetën e atdhedashurisë dhe vetëdijes nga njëri brez në tjetrin dhe këtë duhet ta bëjnë, duke njohur ata burra e gra, që i kushtuan jetën qëllimeve të larta kombëtare.

Dhe At Gjergj Fishta ishte një nga ata burra, për të cilin ne jemi mbledhur sot për ta kujtuar dhe që duhet me doemos ta njohim edhe më mirë.

Për gati një gjysmë shekulli, gjatë viteve të diktaturës, figura e Fishtës u anatemua, u njehsua me imazhin e fashistit, të kolaboracionistit, u hodh baltë mbi të dhe veprën e tij, e cila s’ka askurrfarë lidhje me ideologjinë fashiste, ashtu siç bënë në kohë të tij, shumë poetë, që quheshin “kombëtarë”, në vendin fqinj, Itali.

Për gjysmë shekulli, vepra e Fishtës u gropos, u hoq nga çdo lloj teksti shkollor, u hoq nga qarkullimi, mbi kapakët e librave dhe revistave u vendos gërma “R”, veçse unë jam i bindur se edhe sot mund të gjenden ata burra malsie, që vargjet e “Lahutës së Malcisë” i dinë përmendësh.

E të tillë do të vazhdojë të ketë.

Ju përmenda pak më sipër nevojën për ta kujtuar këtë burrë (të cilin do të doja ta quaja kështu, sepse nuk më gjendet një përcaktues shterues për figurën e tij) dhe lipsen forma, që të na rrëfejnë për të.

Dhe për këtë nuk mjaftojnë vetëm fjalët, madje as veprat e shkruara në letër.

Të flasësh për Fishtën, duhet të njohësh jetën e tij, e që të njohësh jetën, duhet të prekësh dhe të shkelësh vendet ku ai ka shkelur. Të rrugëtosh në një itinerar sa fizik aq edhe shpirtëror, që lidhen me momente kyçe të jetës së tij, që nga lindja deri në vdekje, nga thirrja hyjnore te shërbimi kishtar dhe vendet ku shkroi kryeveprat e tij letrare.

Ndaj edhe lidhja e këtyre nyjave, përmes një rruge, merr një tjetër rëndësi dhe një tjetër vlerë.

Do të doja t’ju ftoja të njihnim Fishtën, duke udhëtuar së bashku, së pari me mendje e duke ndaluar në stacione të ndryshme të jetës së tij.

 

1.Le ta nisim me ish- banesa ku ka lindur At Gjergj Fishta, më 23 tetor 1871, në fshatin Fishtë të Zadrimës, Lezhë. Një fshat që duket se i ka dhënë i pari emrin Atit, por që sot është ky i fundit, që i jep emër fshatit.

Dikur aty ngrihej një godinë reale, e shpallur monument kulture, por që nuk i mbijetoi dot zulmës së ndryshimit dhe u shkatërrua e sot na ka mbetur vetëm një kryq dhe një libër simbolik. “Atje ku dikur ishte shtëpia e lindjes së tij, sot është një livadh që quhet Çarja e Gegë Pjetrit”.

  1. Rrugëtimi vijon me banesën ku ka banuar vitet e para të jetës At Gjergj Fishta (1874-1877), monument kulture i kategorisë së dytë, po në fshatin Fishtë.
  2. Për të kaluar në ato institucione ku ai do të niste udhën si klerik: si Kuvendi, kisha dhe shkolla Fraceskane. Ishte fëmijë kur do të spikaste zgjuarsia e tij dhe djali i vogël me emrin Zef do të shkollohej në shkollën françeskane në Shkodër deri më 1880.
  3. Kuvendi i Troshanit, monument kulture, është vendi ku ai kaloi një periudhë të gjatë të kohës së tij si mësimdhënës.

Pas studimit në Bosnje si meshtar, do të kthehej sërish në Troshan ku edhe do të jepte meshën e tij të parë, teksa ishte 23-vjeçar.

  1. Kisha famullitare e Dom Lleshit – Zoja Nunciatë, në Lezhë, është një tjetër pikë qëndrimi, ku Fishta kryente shërbime fetare dhe shërbeu si kapelan (1896-1897).

Në fund të Luftës së Parë Botërore, në vitin 1918, pasi e kishte përdorur kuvendin si qendër shëndetësore, ushtria austriake, në tërheqje e sipër, i vë zjarrin. Kuvendi françeskan do të rindërtohej vetëm në vitin 1930, ndërsa kisha do të mbetej pa çati edhe për një dekadë. Gjatë pushtimit gjerman, në fund të Luftës së Dytë Botërore ambientet e kuvendit sekuestrohen për të shërbyer si spital. Kjo situatë do të zgjasë akoma për disa vite në regjimin e ri komunist. Si pasojë e vendosjes së ateizmit në 6 shkurt 1967, e para ndër vendet e kultit katolik, kisha e Zojës Nunciatë resht të jetë vend i shenjtë dhe u bë stallë dhe, në vijim, ofiçinë mekanike dhe kovaçeri.

Këmbanaria shumë shpejt u rrëzua dhe hyrja u tjetërsua, për të lejuar kalimin e kamionëve.

Mesha e shenjtë, e kremtuar me 3 mars 1991, shënon edhe për Lezhën fillimin e një pranvere të re fetare e, njëkohësisht, rikthimin e ndërtesës historike kishtare në funksionin e saj si vend kulti i krishterë.

Mendohet se bash në dritaret e kësaj kishe At Gjergj Fishta ka shkruar këngën e fundit të Lahutës.

  1. Kisha famullitare e Gomsiqes, ëhstë një tjetër stacion i jetës fetare të Fishtës, ku u caktua si famullitar i përkohëshëm në vitin 1899.
  2. Selia e Shoqërisë “Bashkimi” na rrëfen për aktivitetin patriotik të At Gjergj Fishtës. Më 1899 I merr pjesë si anëtar i shoqërisë “Bashkimi” e themeluar nga prelat, Imzot Preng Doçi, i cili mblodhi rreth vetes personalitete të larta si: Dom Ndoc Nikajn, Atë Ambroz Marlaskajn, Luigj Gurakuqin. Fishta mori pjesë në të gjitha botimet e shoqërisë duke filluar që nga Abetarja, libra këndimi e deri tek përpilimi i fjalorit të vyer “Fjalorin e Bashkimit” 1908.

8        Kuvendi, kisha dhe shkolla Fraceskane nuk mund të jenë jashtë këtij itinerari. Më 1902 u emërua sekretar i Komisariatit Gjeneral të Misionit Françeskan në Shkodër dhe po atë vit u bë i pari drejtor shqiptar i Shkollës Françeskane, ku ndërmori si iniciativë të parë vendosjen e gjuhës shqipe si gjuhë mësimi, pasi në Shkodër, aso kohe, synohej ndjekja e shkollave në gjuhët italisht, frëngjisht, turqisht.

Më 15 shkurt 1907 me Gjeçovin themeloi të parën bibliotekë shkollore në viset shqiptare. Ku pëveç librave të vet e të bashkëvëllezërve, mblodhi gjithçka gjeti të vlefshme për të rinj e studentë e mësues.

Jeta dhe veprimtaria e Fishtës lidhet edhe me Kongresin e Manastirit ku ishte kryetar, edhe me Konferencën e Paqes në paris (1920), edhe Parlamentin shqiptar, ku ka qenë nënkryetar dhe momente kyçe të jetës politike në Shqipëri (1921), edhe me Revolucionin e Qershorit…

Vitet e fundit të jetës do ta gjejnë në Troshan, për të ndërruar jetë në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit, në Shkodër në 30 dhjetor 1940.

 

I gjithë ky udhëtim jetësor lidhet me vende e godina konkrete, të cilat të gjitha kanë nevojë për prekje për restaurime, rivlerësime të statusit të tyre si monumente kulture, ngritje kënde të posaçme dedikuar At Gjergj Fishtës, në mënyrë që ato të jenë gati për të pritur vizitorë, të cilët në to të mësojnë jo vetëm për jetën dhe veprimtarinë e tij, por të gjejnë pse jo paqe shpirtërore, një vend meditimi dhe reflektimi.