Thirrja publike AHP - Ministria e Kulturës
Postuar më: 24/06/2022

Thirrja publike AHP

I. QËLLIMI I PROJEKTIT

Ministria e Kulturës e Shqipërisë ka kënaqësinë të shpallë këtë thirrje të hapur për vepra arti publike në territorin shqiptar. Ky projekt synon përfshirjen e artit në hapësirën publike si një mënyrë për ta bërë artin pjesë të rëndësishme të jetës së përditshme të gjithkujt prej nesh.

Vepra e artit në hapësirë publike është një shprehje e rëndësishme dhe e pamohueshme e zhvillimit njerëzor në habitatin e tij. Ajo krijon qartazi një memorie të përbashkët kulturore e cila diskutohet, ndahet, përjetohet dhe trashëgohet dhe shërben si pikë referimi për identitetin e qytetit apo lokalitetit në të cilin ngrihet. Shpesh në përmasa të mëdha ajo konfirmon dëshirën njerëzore dhe të komunitetit për të pasur një raport të drejtpërdrejtë me veprën e artit në publik, përtej muzeut dhe jashtë tij.

Arti në hapësirë publike luan një rol të fuqishëm në tërheqjen jo vetëm të turizmit kulturor por edhe në tërheqjen e investitorëve publikë ose privatë, vendas apo të huaj, duke u përpjekur të harmonizojë bërthamën sociale dhe kulturore të atij vendi me zhvillimin ekonomik të tij. Efekti transformues i artit është i fuqishëm përmes përballjes me të në vendndodhje dhe terrene ku priten më së paku të haset, në vende të papritura, të befta dhe jashtë klishes së muzeut dhe vendeve ku njerëzit janë mësuar ta shohin tradicionalisht. Po ashtu edhe fuqia e tij në të tilla vende transmetohet drejtpërdrejtë.

Ministria e Kulturës, e sheh integrimin e artit në hapësira publike, si shprehje e krijimtarisë njerëzore e cila gjallëron hapësirat publike dhe bashkon kultura dhe komunitete të ndryshme. Ndaj MK me bashkëpunimin e Grupit Ndërinstitucional të punës i përbërë nga MIE (Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë), ARRSH (Autoriteti Rrugor Shqiptar), AKPT (Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit), dhe MSHMS (Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale) në kuadër të zhvillimit të këtij projekti, propozojnë 18 vendndodhje publike, kryesisht në infrastrukturë interurbane, të shpërndara në një shtrirje territoriale nga Veriu në Jug të Shqipërisë, si mundësi për të pasuruar me art dhe ridimensionuar artistikisht hapësirën që rrethon ekspozimin e tij.

Në zbatim të nenit 27 të ligjit nr. 10 352, datë 18.11.2010 “Për Artin dhe Kulturën” i ndryshuar, Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 306, datë 11.5.2022, “Për Procedurat Që Ndiqen Për Financimin e Projekteve Artistike”, si dhe në mbështetje të politikave strategjike të Qeverisë Shqiptare për zhvillimin dinamik të kulturës dhe trashëgimisë së përbashkët nëpërmjet artit në të gjitha format e tij, Ministria e Kulturës shpall “Edicionin I” të Konkursit Ndërkombëtar “Art në Hapësira Publike”, për vitin 2022. Artistët janë të lirë të përzgjedhin ndër hapësirat publike të propozuara. Theksojmë se projekti është parashikuar të zhvillohet në disa edicione, me qëllim ndërtimin e veprave në të gjitha territoret e propozuara, nga autorë të ndryshëm bashkëkohorë, shqiptarë dhe ndërkombëtarë, në mënyrë që gjithsecila prej vendndodhjeve të ketë një vepër unike, identifikuese, dhe tërheqëse për të gjithë, por sidomos për komunitetin në të cilin ngrihet.

II. OBJEKTIVAT KRYESORË

a. Forcimi i rolit dhe rëndësisë së kulturës në zhvillimin kombëtar si një forcë dinamike, sfiduese, e lirë dhe pavarur, bazuar në lirinë e shprehjes.
b. Promovimi i një trashëgimie publike të gjallë artistike, të aksesueshme, e cila konservohet, përdoret dhe zhvillohet.
c. Promovimi dhe forcimi i rolit të artistit në shoqërinë shqiptare, në qëndrimin kritik dhe përfshirjen e publikut mbi cilësinë estetike dhe ndjesore, në ridimensionimin e mendimit të publikut mbi shprehjen artistike, si dhe në analizën e fenomenve që përfshijnë shoqërinë mbi vlerat kulturore dhe marrëdhënies ndërmjet nesh dhe botës.
d. Promovimi i diversitetit dhe cilësisë artistike në vendin tonë, si shprehje e zhvillimit të shoqërisë.
e. Mbështetje e skenës artistike.
f. Promovimi i artit bashkëkohor publik, duke i kushtuar një vëmendje të posaçme të drejtës për kulturë të shoqërisë, të fëmijëve dhe të rinjve.
g. Forcimi i identitetit lokal, nëpërmjet politikave të kulturës.
h. Identifikimi i hapësirave publike, nëpërmjet artit, duke impaktuar tërheqjen turistike dhe rrjedhojë ekonominë lokale.
i. Tërheqja e investitorëve publikë dhe privatë.
j. Zhvillimi ekonomik i zonës dhe rajonit përreth.
k. Promovimi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, nëpërmjet artit bashkëkohor në hapësirat publike.

III. MËNYRA DHE KOHËZGJATJA E PUBLIKIMIT TË KONKURSIT NDËRKOMBËTAR
a. Artistët mund të aplikojnë në konkursin ndërkombëtar “Art në Hapësira Publike”, nëpërmjet adresës elektronike e-mail: art.publik@kultura.gov.al dhe nëpërmjet protokollit të Ministrisë së Kulturës me adresë: Rr. “Aleksandër Moisiu”, Nr. 76, ish Kinostudio “Shqipëria e Re”, Tiranë, Shqipëri, deri më datë 19.08.2022, ora 14:00, sipas afateve te vendosura ne shpallje.
b. Për arsye të natyrës ndërkombëtare të këtij konkursi, aplikimet në fazën e propozimit të koncept idesë (faza I-rë) duhet të dorëzohen të formuluara edhe në gjuhën angleze.

(Shënim: Subjekti në dorëzimin e projekt idesë dhe materialeve të tjera shoqëruese të projektit, në kuadër të konkursit duhet të mbaj titullin “Art në Hapësira Publike”)

IV. DETYRA E PROJEKTIMIT

a. Thirrja e hapur mbi konkursin ndërkombëtar “Art në Hapësira Publike”, është shpallur për 18 (tetë mbledhjet) hapësira publike në territorin e Republikës së Shqipërisë, duke dhënë mundësin e përzgjedhjes midis 18 hapësirave. Kliko këtu
b. Artistët janë të lirë të përzgjedhin vendndodhjet apo hapësirat publike të propozuara.

c. Theksojmë se ky projekt është parashikuar të zhvillohet në disa edicione, me qëllim përfshirjen e plotë të hapësirave të propozuara, kundrejt formave të eficences, vlerësimit të cilësisë artistike dhe teknike.
d. Ky konkurs mbështetet, në zbatim të nenit 27 të ligjit nr. 10 352, datë 18.11.2010 “Për Artin dhe Kulturën” i ndryshuar, si dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 306, datë 11.5.2022, “Për Procedurat që ndiqen për Financimin e Projekteve Artistike”.

V. FAZA I
DOKUMENTACIONI QË DUHET TË PARAQESIN ARTISTËT PJESMARRËS NË KONKURS

Inkurajohen të aplikojnë artistë të arteve pamore si dhe profesionistë të lirë (arkitektë dhe designers), të cilët kanë një profil të qartë profesional, eksperienca të ngjashme artistike, pjesëmarrje në ekspozita publike, bashkëkohore dhe të artit publik, si dhe përvojë në krijimin e veprave të mëdha, të përhershme dhe në shkallë urbane.

a. Artistët mund të aplikojnë individualisht ose në grup;
b. Artistët duhet të kenë ushtruar profesionin e tyre sipas përkatësisë profesionale;
c. Artistët duhet të paraqesin deklaratën e “Shprehjes së Interesit”, për angazhimin në konkursin ndërkombëtar me titull “Art në hapësira publike” 2022.
d. Jetëshkrimi i artistëve, ku përfshihet (bio/cv) si dhe porfolio ku të paraqiten të paktën 2 (dy) punë të ngjashme të realizuara;
e. Dorëzimi i projekt idesë dhe bocetit të veprës, si dhe materialet shoqëruese të tyre, sipas kërkesës së thirrjes për paraqitjen e idesë, që duhet të përmbajë:
– Konceptin e projekt idesë.
– Konceptin e paraqitur grafikisht.
– Bocetin e veprës.
– Përshkrim i materialeve që do të përdoren për ndërtimin e veprës, ku të specifikohet rezistenca e tyre materiale.
– Planvendosje e veprës.
– Projekt ideja e sistemimit të mjedisit përreth (projekt ide konceptuale/projekt ide landscape).
– Vizualizimi i veprës duhet të prezantohet minimalisht me një nga këto mënyra paraqitjeje: vizatime; renders; bocet-maket; animacion, fotomontazh, apo dhe forma te tjera alternative prezantimi.)
– Hapat e Realizimit dhe Implementimit të Veprës.
– Preventiv i paraprak i realizimit të veprës duhet të përfshijë vlerën e krijimtarisë dhe të drejtat e autorit për artistët, prodhimin e veprës, transportin, punime ndërtimore dhe infrastrukturore (nëse ka), punime (landscape) të mjedisit përreth, dhe zëra të tjerë të menduar nga artistët sipas specifikës së projektit të propozuar.
– Grafiku i realizimit në kohë të veprës. Implementimi i veprave do të duhet të realizohet brenda përfundimit të vitit 2022.
f. Artistët, duhet të paraqesin një vetëdeklaratë mbi të drejtën e autorit e projekt idesë dhe veprës të materializuar (bocetit) për aplikimin në konkurs, në përputhje me legjislacionin Shqiptar në fuqi. Kliko këtu

g. Artistët, lejohen të aplikojnë, deri më 3 (tre) projekt ide, në 3 (tre) vendndodhje të ndryshme, bazuar në hapësirat publike të vendosura në dispozicion.

SHËNIME:

a. Çdo aplikim do të shqyrtohet dhe do të bazohet në kriteret e kualifikimit dhe të vlerësimit të renditura në Fazën I.
b. Një juri e përbërë nga 5 personalitete të shquara kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e artit dhe kulturës, do të përzgjedhë listën e projekt ideve më të mira të artistëve të kualifikuar në Fazën I të seleksionimit.
c. Pas kualifikimit për në fazën e II, artistët do të njoftohen për të paraqitur dokumentacionin plotësues të kërkuar brenda 15 ditëve.

VI. FAZA II
DOKUMENTACIONI PLOTËSUES QË DUHET TË PARAQITET, NË VIJIM TË FAZËS II TË KUALIFIKIMIT

a. Në funksion të kushteve të realizmit të një vepre publike, referuar subjektit të këtij Konkursi, artistët duhet të përfshijnë në strukturën e tyre ekspertë dhe profesionistë, në kushtet e një ndërhyrjeje në ambiente publike.
b. Secili prej artistëve duhet të përfshijë në dokumentacionin e aplikimit përbërjen e grupit (ekipit), nga një grup ekspertësh profesionistë, specifikisht në kategoritë e poshtëshënuara:
– Arkitekt: Ka për qëllim, të analizoj situatën e kushteve kontekstuale, faktike dhe fizike, infrastrukturore, dhe ato të pejsazhit urban, faktorët e riskut në përmbajtje të nenit 23 të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, sipas rekomandimeve të ARRSH-së, si dhe ndikimin ekologjik dhe social kulturor, në kushtet e ndërhyrjes urbane nëpërmjet veprës.
– Inxhinier Strukturist: Ka për qëllim, të analizoj situatën e kushteve fizike dhe dinamike, gjeologjike dhe infrastrukturore, faktorët e riskut në përmbajtje të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, sipas rekomandimeve të ARRSH-së, si dhe të siguroj qëndrueshmërinë strukturore (statike) të veprës.
– Inxhinier Elektrik: Ka për qëllim, të analizoj situatën e kushteve infrastrukturore elektrike, faktorët e riskut në përmbajtje të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, sipas rekomandimeve të ARRSH-së, në funksion të ndriçimit të veprës.
– Inxhinier Hidroteknik: (nëse është e nevojshme) Ka për qëllim, të analizoj situatën e kushteve infrastrukturore hidroteknike, faktorët e riskut në përmbajtje të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, sipas rekomandimeve të ARRSH-së, në funksion të realizimit të veprës.
– Realizimi i punimeve të ndërtimit dhe instalimi i veprës, duhet të realizohet nga një kompani e specializuar, e cila është përgjegjëse për ndërtimin dhe sigurinë, si gjatë instalimit ashtu edhe pas saj.
– Kompania duhet të bashkëlidh dokumentacion ligjor për ushtrimin e aktivitetit në këtë fushë.
c. Në rastin e artistëve të huaj:
– Çdo ekip ndërkombëtar rekomandohet, për t’u lidhur në partneritet në aspektin mbështetës teknik dhe këshillues, me një partner/ekip, që ushtron aktivitetin në Republikën e Shqipërisë;
d. Artistët duhet të bashkëlidhin, Projektin Teknik të Zbatimit të Veprës, ku ndër plotësimeve të sugjeruara artistike, duhet të përfshihen gjithashtu:
h. Projekt Arkitektonik / Plan vendosje e Veprës;
i. Projekt i sistemimit të mjedisit përreth; (projekt rikualifikimi i hapësirës së vendosjes së veprës – projekt landscape)
j. Projekt Konstruktiv
k. Projekt gjeolog inxhinierik;
l. Projekt Elektrik (Konceptim i Ndriçimit të Veprës) (nëse është i nevojshëm)
m. Projekt Hidroteknik (nëse është i nevojshëm, në varësi të propozimit dhe konceptit artistik)
e. Përshkrimin e detajuar të fazave të realizimit të veprës artistike; Metodologjia e Zhvillimit të Veprës.
f. Referencë teknike dhe këshillimore, mbi mirëmbajtjen e veprës në kohë, si dhe ndërhyrjeve në lidhje me restaurimin e mundshëm të saj, në vazhdim.
g. Grafikun e realizimit dhe përfundimit të punimeve të veprës;
h. Vlerën e Realizimit të Veprës në tërësi, të detajuar sipas preventivit të përgjithshëm të punimeve, përfshirë shpërblimin për të drejtën e autorit mbi veprën artistike të krijuar;
i. Vetëdeklarimin për angazhimin e artistit, në realizimin dhe prodhimin/ndërtimin fizik të veprës artistike, deri në momentin e vendosjes së saj në hapësirën publike të miratuar; Kliko këtu

j. Vetëdeklarimin e artistit për disponibilitetin e tyre për punimet e mirëmbajtjes së veprës artistike për një afat 2-vjeçar nga momenti i vendosjes së saj në hapësirën publike të miratuar, në rast dëmtimi, Kliko këtu

SHËNIME:

a. Artistët, duhet të depozitojnë marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet partnerëve dhe bashkëpunëtorëve në krijimin artistik, si dhe me subjektin/tet, të cilët do të jetë përgjegjës për ndërtimin dhe sigurinë, si gjatë instalimit ashtu edhe pas saj.
b. Marrëveshje të Bashkëpunimit ndërmjet:
– Artistit në raste partneriteti;
– Artistit, me ekspert me titull “arkitekt”;
– Artistit, me ekspert me titull “inxhinier ndërtimi/profili strukturist”
– Artistit, me ekspert me titull “inxhinier elektrik”
– Artistit, me ekspert me titull “inxhinier hidroteknik”
c. Artistit, me një kompani të specializuar mbi realizimin e punimeve të ndërtimit dhe instalimit.
d. Masa e shpërblimit artistik për fituesin, cilësia artistike do të jetë në vlerën 700,000 Lek.
e. Artistët e shpallur fitues përmes konkursit “Art në hapësirat publike” duhet të nënshkruajnë një dokument në të cilin të shprehet se transferon shtetit shqiptar të drejtën e pronësisë së materialit, në të cilën është mishëruar/fiksuar vepra, bazuar në ligjin me nr. 35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”
f. Për vepra dhe realizime sipas kushteve kontekstuale të aksesit publik si dhe vlerës së preventivit, projektet teknike do ti nënshtrohen kushteve të Zbatimit të Ligjit Nr. 120/2020 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, i ndryshuar.
Neni 6 1. Oponenca teknike për projektet e ndërtimit të objekteve kryhet nga institutet shtetërore ose ente të tjera të përcaktuara nga ministria që mbulon veprimtarinë e ndërtimit, për të gjitha:
a) ndërtimet publike;
b) ndërtimet jopublike, me vlerë të preventuar së paku 100 (njëqind milionë) Lekë;
c) objektet me akses publik.

VII. KRITERET E VLERËSIMIT

a. Projekt idetë bazuar në vlerësimin artistik të veprës në raport me thirrjen e hapur;
b. Kapacitetet teknike të siguruara përmes marrëveshjes të siguruara me subjektet që përfshijnë teknologjinë, hapësirën, mjetet në dispozicion për realizimin e projekt idesë së dorëzuar si dhe burimet njerëzore që disponojnë.
c. Çmimin më të ulët të ofruar në përpjesëtim me cilësinë e projekt idesë.
d. Afatin e realizimit të veprës sipas grafikut të paraqitur nga artisti pa devijuar nga propozimi.

VIII. ARTISTI FITUES I REALIZIMIT TË VEPRËS ËSHTË PËRGJEGJËS PËR:

a. Realizimin dhe prodhimin fizik të veprës, sipas planit të parashikuar deri në vendosjen e saj në lokacionin e miratuar për vendosjen e monumentit/veprës.
b. Mban kontakte me përfaqësuesit e MK-së mbi zhvillimin e realizimit të veprës, për t’u siguruar që procesi të ecë pa probleme deri në zbatimin e përfundimit të instalimit të veprës.
c. Realizimin e instalimit të veprës të përfunduar para fundit të vitit 2022.
d. Mirëmbajtjen e veprës artistike për një afat 2 vjeçar nga momenti i vendosjes së saj në sheshin e miratuar, duke raportuar pranë Ministrisë së Kulturës, në rast dëmtimi.
e. Raportimet periodike nga përfituesi me subjektin bashkëpunues që do të ndërtojë dhe instalojë veprën gjatë procesit të realizimit.

IX. INSPEKTIMI

a. Puna përfundimtare inspektohet dhe merret në dorëzim nga Ministria e Kulturës.

X. PROCEDURA E ANKIMIT ADMINISTRATIV

a. Ndaj vendimit të skualifikimit, subjektet e interesuara kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë ministrit përgjegjës për artin dhe kulturën, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e njoftimit të vendimit të skualifikimit.

⮚ Artistët të cilët nuk janë fitues dhe kanë paraqitur bocetet pranë Ministrisë së Kulturës, brenda një afati 15 ditor duhet të paraqiten për kryerjen e procedurave të tërheqjes.
Pyetje/Përgjigje mbi Konkursin Kliko këtu