Fjala e Ministres së Kulturës, Elva Margariti me rastin e fillimit të punimeve për teatrin e ri Kombëtar
Dhjetor 2022
Asgjëmangut asaj që tha Erioni, sot është një ditë e veçantë jo vetëm për komunitetin artistik, por për Tiranën, për Shqipërinë.
Sot nis puna jo thjesht për një teatër të ri, bash në hapësirën ku ndodhej godina e vjetër; jo vetëm për një nga projektet më ambicioze arkitekturore, në kryeqytetin tonë vibrant, që zjen nga energjia, nga fryma rinore, nga gara për të tejkaluar të djeshme e për të shkuar drejt së ardhmes, në Tiranën tonë, një muze i hapur nën qiell, ku historia dhe shtresëzime qytetërimesh kanë lënë gjurmën e tyre. Dhe sot arkitektë të njohur ndërkombëtarë po nxitojnë të hedhin firmën në ndërtesa të rëndësishme, ashtu siç është edhe kjo godinë.
Por nuk është vetëm kaq, sot nis puna për ngritjen e një pike të re referimi në kryeqytet, e cila në fakt nuk është një hallkë e shkëputur, por pjesë e një zinxhiri qendrash kulturore, në zemër të Tiranës. Një zemër që do të pulsojë edhe më fort nga aktivitetet kulturore, nga debati i shëndoshë mbi artin.
Teatri i ri shenjon kulminacionin e një vizioni afatgjatë, pune këmbëngulëse, por mbi të gjitha, pasioni për të bukurën dhe estetiken.
Gjithnjë kam menduar se teatri është atje ku janë aktorët, sepse janë ata që i japin jetë çdo hapësire, kam bindjen se ata dhe ne spektatorët e meritojmë një supergodinë teatri, ku të shkojmë me qef dhe jo për hall; ku arti shijohet bukur, pa stresin se në dimër bën shumë ftohtë e në verë të nxehtët është mbytës.
Ashtu si ndodh rëndom me ndërmarrje të guximshme, as kultura nuk i shpëton dot “mexhelisit” politik. Duke shfrytëzuar ndjeshmërinë e ligjshme të atyre njerëzve që i kanë dedikuar jetën artit, që janë rritur në këto hapësira, që jetë e mot do t’i përkasin teatrit, “matrapazë politikë” përdorën këtë skenë për të luajtur dramën e tyre të dështuar.
Ndodhi kështu me stadiumin e ri, por edhe me parkun e liqenit, por kush mund të thotë sot se nuk i gëzohet këtyre dy poleve dedikuar sportit, familjes, rinisë…
Dhe më të zjarrtët janë ata që teatrin e kishin dëgjuar vetëm si emër dhe nuk shkonin aty as me ftesë…
Të njëjtët që kulturën e lanë në një qoshe, që e braktisën edhe teatrin e vjetër deri sa u kthye në një hije, memorja e të cilit do të gdhendet në teatrin e ri.
Janë po ata që e kanë kulturën me një buxhet vjetor prej 1,8 miliardë lekësh, të paktën në letër, aq sa ne kemi një kantier.
Në vitin 2013, investimet në kulturë ishin vetëm 1 milionë dollarë, në vitin 2022 kjo shifër shkoi në 20 milionë dollarë.
Ky është vizioni ynë qeverisës për kulturën, dhe me falenderimin për Kryeministrin Rama, mund t’ju them se vetëm për këtë mandat të Qeverisë Rama 3 nga buxheti i shtetit Arti e Kultura është mbështetur me mbi 55 milionë dollarë.
Cdo koment do të ishte i tepërt.
E dizenjuar nga një prej emrave më të mëdhenj të arkitekturës moderne, Bjarke Ingels, për të cilin metropole në mbarë botën bëjnë garë për të patur firmën e krijimtarisë e vizionit të tij në hapësirat e tyre. Ky teatër do jetë i mbarë globit dhe kushdo do të mund të gjejë në të një copëz nga vetja dhe për veten.
Komuniteti i artistëve nuk do të fitojë thjesht kushte pune më të mira, me standarde bashkëkohore dhe infrstrukturë moderne, por mbi të gjitha dinjitet. Në projekt madje ka një detaj interesant, që hapësira e provave është po aq e madhe sa edhe auditori kryesor i shfaqjeve!
Kryeqyteti dhe mbarë Shqipëria do të përfitojnë një tempull të artit dhe kulturës, ku do të përjetojnë skenën madhështore të një teatri, komunikimi i të cilit nuk zhvillohet vetëm brenda, por edhe në marrëdhënien që ai ka me hapësirën e jashtme. Një teatër që shndërrohet në aktor në shfaqjen e ansamblit kulturor të ndërtesave që ndodhen rreth e rrotull.
Nga ana tjetër, ky projekt do të shenjojë një pol të ri artistik e kulturor që është në simbiozë me Muzeun e Arteve të Bukura (Galerinë e Arteve) tashmë në rikonstruksion, në harmoni me trashëgiminë kulturore të kalasë së Tiranës dhe Sarajeve të Toptanasve, madje fare pranë edhe me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit nga nisi udha e ringritjes jo vetëm e infrastrukturës artistike, por edhe dinjitetit.
Bashkë me të tjera kantiere që kanë nisur e që do të nisin, ky teatër, ëndrra e sa e sa breza aktorësh, që nuk arritën ta shihnin veten në një skenë të vërtetë, do t’i japë Tiranës dimensionin kulturor që i duhet një kryeqyteti të ri e modern ku aksesi për kulturë nuk është luks, por përditshmëri.
Ky teatër është ngjizja e modernes me traditën, relektimi në të sotmen i së shkuarës dhe së ardhmes, ndërthurja e vizionit dhe ambicjes sonë për brezat e rinj me nderimin e pakufi për ata paraardhës; një qëmtim në yjësinë e ëndrrave tona drejt së ardhmes, ku çdo brez artistësh dhe fëmijët tanë do të ndihen krenarë.
Faleminderit!
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.