Ministrja e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, znj. Mirela Kumbaro kryeson delegacionin shqiptar që merr pjesë në kremtimet e 2500-vjetorit të themelimit të qytetit të Yangzhout në Republikën Popullore të Kinës nga data 28 shtator-2 tetor 2015.
Në kuadër të vizitës zyrtare në Kinë, Ministrja Kumbaro u prit sot nga Kryetari i Bashkisë së qytetit Yangzhou, z. Zhu Mingyang. Në këtë takim u diskutua për marrëdhëniet e përbashkëta dhe shkëmbimet e drejtpërdrejta midis institucioneve kulturore si dhe bashkëpunimin në fushën e shërbimeve publike kulturore, të teknologjisë, industrisë kulturore, ruajtjen e trashëgimive kulturore, duke shtuar edhe shkëmbimet kulturore midis të rinjve.
Yangzhou, kohët e fundit, po zhvillon marrëdhënie të posaçme me Shqipërinë duke intensifikuar marrëdhëniet edhe në fushën e investimeve. Në kuadër të këtyre marrëdhënieve është nënshkruar memorandumi bashkëpunimit mes qytetit të Vlorës dhe qytetit Yangzhou. Memorandumi ndërmjet dy qyteteve të binjakëzuara përfshin bashkëpunimin në fushën e turizmit, arsimit dhe infrastrukturës.
Ministrja shqiptare e Kulturës Mirela Kumbaro u shpreh nga ana e saj se marrëdhëniet e shkëlqyera në fushën e kulturës dhe miqësia tradicionale mes Kinës e Shqipërisë do të shndërrohen në projekte konkrete bashkëpunimi, jo vetëm në kulturë, por edhe në fushën ekonomike, për të bërë të mundur tërheqjen e sa më shumë investimeve kineze në Shqipëri. Ministrja e Kulturës u shpreh se bashkëpunimet kulturore me Kinën do të zhvillohen edhe më tej në kuadër të nismës 16+1.
Nisma 16+1 u krijua në vitin 2013 ku 16 vende të Evropës Qendrore dhe Lindore (CEEC) ndërmorrën një nismë bashkëpunimi me Kinën, për projekte të përbashkëta, përfshirë edhe kulturën.
Vendet e Evropës Qendrore e Lindore dhe Kina kanë nivel të afërt zhvillimi dhe një potencial të madh bashkëpunimi. Shtimi i bashkëpunimit me vendet në Evropën Qendrore e Lindore pasqyron strategjinë e Kinës për zhvillimin e gjithanshëm të marrëdhënieve me vendet evropiane.
Në kuadër të vizitës së saj në Kinë, Ministrja Kumbaro dha një intervistë për Radion e Jashtme të Pekinit ku rikonfimoi edhe njëherë se marrëdhëniet e shkëlqyera në fushën e kulturës do të kthehen shumë shpejt në aksione konkrete. Ajo prezantoi në intervistën e saj hapat transformues në politikat dhe strategjitë e Ministrisë së Kulturës në fushën e trashëgimisë, artit, investimet e reja në kulturë, programet për edukimin përmes artit , diplomacinë kulturore, etj.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro mori pjesë në forumin e kulturës, i mbajtur me rastin e kremtimit të 2500- vjetorit të krijimit të qytetit Yangzhou, ku merrnin pjesë personalitete të larta në vend.
Delegacioni shqiptar, i kryesuar nga Ministrja Kumbaro vazhdon vizitën zyrtare në Republikën Popullore të Kinës deri në datën 2 tetor 2015.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.