Më 5 shtator do të ndahen 3 çmimet kryesore për videot më të mira të realizuara në kuadër të projektit
Projekti ArTVision mbyllet me pjesëmarrjen e videove më të mira të prodhuara nga vendet partnere në ndarjen e çmimeve ArTVision Award. Tre janë kategoritë që do të nderohen me çmim: filmi me metrazh të shkurtër (nga 15 të realizuar në total), video/dokumentari më i mirë (nga 138 të prodhuar) dhe video artistik më i mirë (nga 138 të prodhuar).
Për Shqipërinë, janë shpallur si kandidatë “Dimension”, nga Mirela Oktrova dhe Edmond Topi në kategorinë e filmave me metrazh të shkurtër, “Coexistence- for a new demokratic koiné” për video/dokumentarët dhe ”Autoportret+” me autor Jonida Balliun për kategorinë video artistike.
Ceremonia e ArTVision Awards, e organizuar nga Rajoni Pulia (Itali) dhe Apulia Film Commission do të ketë një juri të përbërë nga Maria Giuseppina Troccoli (nga Ministria e Trashëgimisë, Kulturës dhe Turizmit italiane) Giuseppe Ghigi (kritik kinematografik), Roberto Pisoni (editor i Sky Arte HD) dhe Antonello Tolve (kritik arti). Ceremonia do të zhvillohet në kuadër të eventit Venice Days / Giornate degli Autori të shtunën 5 shtator në orën 18.00 në Venecia (Villa degli Autori, Lungomare Marconi, 56, Lido di Venecia).
Ekspozita është pjesë e projektit “arTVision. A live art Channel”, i financiuar nga Programi Evropian IPA Adriatic CBC 2007/2013, me qëllim për të mobilizuar dhe lidhur energjinë krijuese e artistëve emergjentë, që kanë qenë protagonistët e vërtetë e gjithë aktiviteteve të shumta të organizuara, duke filluar nga organizimi i ekspozitës “Coexistenxe- for a new democratic koiné” që në gushtin e vitit 2014 mblodhi rreth 7000 mijë vizitorë në ambientet e Piramidës në Tiranë. Ky është një projekt pilot udhëhequr nga Rajoni Puglia- Departamenti për Promovimin e Territorit, të Njohurive dhe Talentit, me përkrahjen e Apulia Film Commission, që përfshin: Fondacionin Pino Pascali-Muze i Artit Bashkëkohor; Rajonin Veneto – Drejtoria për Aktivitetet Kulturore; Akademinë e Arteve të Bukura në Venecia; Ministrinë e Kulturës të Malit të Zi; Fakultetin e Arteve Dramatike në Cetinje- Mali i Zi; Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë; Universitetin e Arteve në Tiranë- Shqipëri; Rajoni Primorje Goranska – Kroaci; Kanal RI- Kroaci.
Ideja promovuese ka për qëllim strukturimin e një dialogu të ngushtë ndërmjet kombeve ndërkufitare, përmes një nisme kulturore që ka si objektiv të përbashkëtat dhe thyerjet mes popujve që ndajnë së bashku “Mare Nostrum” mesdhetar.
Info: www.artvision.agency
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.