Galeria Kombëtare e Arteve ka kënaqësinë të hapë për publikun në sallën e vogël të ekspozitave të përkohshme, ekspozitën “Abstrakt dhe Kolazh” të piktorit Agron Hoti.
Ekspozita e kuruar nga Ylli Drishti prezanton rreth 15 vepra, të realizuara në periudhën 2001 – 2015, pjesa më e madhe e të cilave të realizuara nga artisti për këtë ekspozitë. Punët janë në dy teknika: akrilik mbi kanavacë dhe kolazh.
Karakteristika themelore e tablove abstrakte të Hotit është raporti që ai ka vendosur me ngjyrat e fuqishme në telajot e veprave të tij. Ai preferon tablo abstrakte dekorative, jo sipas skemave klasike, por që brenda tyre të ndjehet lëvizje, hapësirë dhe lojë e strukturave të njollave që ai krijon duke realizuar vepra me një fantazi jo të zakonshme.
Koleksioni i veprave të kësaj ekspozite shpreh energji pozitive dhe komunikon lehtësisht me publikun e çdo moshe. Piktura abstrakte e Agron Hotit të kujton artin tradicional shqiptar, por shpesh edhe mjeshtrat e mëdhenj të artit abstrakt botëror, duke i bërë tablotë e Hotit të veçanta, të papërsëritshme e me mjaft sens artistik.
Artisti ka krijuar disa cikle si: Collage Monsieur 2009 – 2012, Astrato 2009 -20015, Cavalli, Citta diverse, Froud, Fumetti, Machine diverse, Pagani. Ciklet e tij të njohura si “Fumetti HOTI”, kanë zënë vend në ekspozita të rëndësishme të hapura në Itali e jashtë saj.
Duke jetuar prej 14 vjetësh në Verona, në artin e Hotit ndjehet qartë ndikimi i këtij qyteti dhe arti italian bashkëkohor të cilat ndërthuren estetikisht me memorien artistike që artisti ruan nga vendlindja. Tradita e artit të veshjeve popullore shqiptare me ngjyra të fuqishme, ka ndikuar që ai të vlerësojë dhe përzgjedhë ngjyrat kryesore që kanë si një lidhje të padukshme, të kuqen e zjarrtë, blunë, të verdhën e plotë e me dritë, të gjelbrën dhe grinë me nuancat e saj të panumërta.
Ekspozita do të hapet në datën 15 korrik, ora 19:00 në GKA.
15-30 korrik 2015, GKA
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.