Hapen Termat Romake në Durrës Pas 25 vjetësh rikthehen në monument të vizitueshëm - Ministria e Kulturës
Postuar më: 01/06/2015

Hapen Termat Romake në Durrës Pas 25 vjetësh rikthehen në monument të vizitueshëm

Pas 25 vjetësh, Termat Romake  të shekullit të parë të erës sonë në Durrës,  rikthehen në monument të vizitueshëm për turistë dhe publikun e gjerë.  Ky monument i rëndësishëm i qytetit, i shtohet lashtësisë së Durrësit, si vlerë e turizmit kulturor, si destinacion i  vizitueshëm  nga çdo turist dhe vendas. Projekti u bë i mundur në kuadër të bashkëpunimit dhe një marrëveshjeje ndërmjet DRKK- Durrës, Universitetit Lumiere Lyon2 në Francë,  Institutit të Arkeologjisë, Bashkisë së Durrësit.

Një ndihmesë të vyer në këtë bashkëpunim kanë dhënë edhe nxënësit e projektit “Miku i Monumentit”, të cilët u përfshinë në projekt. Ky monument i restauruar dhe me kontributin e nxënësve të shkollës “Marie Kaçulini” pritet të rrisë ndjeshëm tërheqjen e turistëve vendas dhe të huaj për Durrësin, qytetin e pasur në trashëgimi kulturore dhe arkeologjike.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro e cila pasi pa nga afër punën e bërë vlerësoi se Monumenti Antik,dëshmi e historisë, është një nga format e promovimit të trashëgimisë sonë kulturore e cila ndikon edhe në rritjen e turizmit në vend. Ajo u shpreh mes të tjerash se : “Është një nga qëndrat më të rëndësishme të Durrësit.  Jemi vetëm në fillim të punës me kryetarin, sepse me kryetarin e ardhshëm prapë do të vazhdojmë t’i ndjekim, zoti Dako nuk do të na lëshojë, sepse është në interes të Durrësit për ti përfshirë monumentet e kulturës në itinerarin turistik dhe në interes të të gjithë trashëgimisë kulturore dhe të gjithë shqiptarëve që këto monumente, jo vetëm të mbrohen e të pasurohen, por edhe të promovohen për turistët dhe për vizitorët vendas”.

Për kryetarin e Bashkisë së Durrësit, z.  Vangjush Dako historia dhe trashëgimia kulturore zënë një vend të rëndësishëm në projektet e tij:  “Moto jonë është që të mbrojmë të gjitha sitet e trashëgimisë kulturore, por nga ana tjetër dhe t’i vëmë në dispozicion të vizitorëve të cilët do të vijnë çdo vit e më shumë në Durrës”

 

Projekti për pastrimin e monumentit antik tashmë ka dy vite që ka nisur dhe është bashkëpunimi i Ministrisë së Kulturës me Bashkinë e Durrësit.