"One day show” – prezantim i projektit të Muzeut te Përgjimeve ‘Shtëpia e Gjetheve” - Ministria e Kulturës
Postuar më: 24/01/2015

“One day show” – prezantim i projektit të Muzeut te Përgjimeve ‘Shtëpia e Gjetheve”

Muzeu “Gjethi” – një projekt për t’u përballur me hijet e së shkuarës të terrorit komunist, për të treguar se e keqja nuk duhet fshehur, për të mos mbajtur as ngrehina dhe as dosje të mbyllura, për të mos luajtur me mistere të përdorura poshtërsisht e politikisht.
Përballje dhe mosharresë që të mos përsëritet e keqja!

Prezantuam FAZËN E PARË të një pune nisuar muaj më parë nga Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës, në bashkëpunim me një grup ekspertësh si ‎Bashkim Shehu (shkrimtar, studjues, hulumtues, skenarist), ‎Elisabetta Terragni (arkitekte muzeografe), ‎Agron Tufa (shkrimtar, studjues, drejtor i Institutit të Kutjesës), Eduard Zaloshnja (publicist, studjues, ekspert i statistikave), e të tjerë kolegë, si dhe në bashkëpunim me ekspertë të SHISH dhe të Minstrisë së Brendshme, për të mbledhur dokumentacion dhe objekte, për të përgatitur konceptin, përmbajtjen dhe projektin e muzealizimit.

Do të hyjmë tani në FAZËN E DYTË të punës që do të jetë konsolidimi i ngrehinës së dëmtuar rëndë nga mospërdorimi prej më shumë se 10 vjetësh i saj.
Për të vijuar më tej me FAZËN E FUNDIT që do të jetë muzealizimi dhe përgatitja e muzeut për publikun vendas dhe të huaj.

Faza e parë dhe e dytë është kryer dhe do të kryhet me mjetet financiare të buxhetit të Ministrisë së Kulturës dhe me shumë angazhim të ekipit hartues të projektit.