Mirela Kumbaro në datat 25-26 gusht 2014 do të marrë pjesë në takimin rajonal mes Ministrave dhe përfaqësuesve të Kulturës së Kroacisë, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi në qytetin e Dubrovnikut.
Pas konferencës së Ohrit së këtij viti, ku u diskutua lista e monumenteve të Trashëgimisë Botërore që do të pranohen në listën e UNESKO-s, në këtë takim do të diskutohet për bashkëpunim të vazhdueshëm në fushën e artit bashkëkohor, për përgatitjen e Konferencës Rajonale të Ministrave të Kulturës (Lubjana Procesi II – Rehabilitimi i trashëgimisë së përbashkët), e organizuar nga Ministria e Kulturës Kroate dhe Këshillit për Bashkëpunim Rajonal të Evropës, e cila do të mbahet në tetor në Dubrovnik, i cili synon të përmirësojë bashkëpunimin e ardhshëm në fushën e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, veçanërisht në fushën e ekspertëve dhe mënyra të reja të menaxhimit të trashëgimisë.
Pritet një takim dypalësh i Ministres së Republikës së Kroacisë, Andrea Zlatar Violić dhe Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, në lidhje me bashkëpunimin e ardhshëm në fushën e kulturës dhe trashëgimisë mes dy vendeve.
Në takimin, i cili do të zhvillohet ditën e hënë, datë 25 gusht 2014, pritet të diskutohen tema të rëndësishme si: Edukimi përmes artit dhe kulturës, politikat kulturore dhe praktikat zbatuese në Kroaci. Temë e rëndësishme e bisedimeve do të jetë dhe bashkëpunimi në fushën e trashëgimisë kulturore, një nismë për të eksploruar mundësitë për organizimin e seminareve dhe trajnimeve të rregullta drejtuar specialistëve shqiptarë për restaurimin; Bashkëpunime në fushën e trashëgimisë për ekspertizë në menaxhimin e siteve historike ; Bashkëpunime në fushën e menaxhimit të ngjarjeve artistike multikulturore, etj. Një temë e rëndësishme e takimit do të jetë bashkëpunimi dypalësh për të përmirësuar dhe forcuar partneritetin shqiptaro -kroat për aplikimet në Programin e Evropës Krijuese.
Ministrja Kumbaro do të zhvillojë edhe takime të tjera të rëndësishme dhe të vlefshme për forcimin e bashkëpunimeve të ardhshme në fushën e kulturës, si takimi me ministrin e Punëve Civile të Republikës së Bosnjë-Hercegovinës Sredoje Nović, ambasadorin e Malit të Zi në Serbi, Branislav Mićunović.
Pjesë e axhendës së Ministres Kumbaro do të jetë edhe takimi me kryetarin e bashkisë së Dubrovnikut, Andro Vlahušić.
Programi i vizitës së ministres Kumbaro parashikon pjesëmarrjen në ceremoninë e ndarjes së çmimit “Orlando” dhe koncertit përmbyllës në Festivalin Veror të Dubrovnikut, një bashkëpunim i Orkestrës së Dubrovnikut me Orkestrën Filarmonike të Zagrebit, nën drejtimin e dirigjentit Ivo Lipanović, me pjesëmarrjen e baritonit Željko Lučić dhe sopranos Lana Kos.
Ministrja Kumbaro së bashku me homologen e saj Andrea Zlatar Violić do të vizitojnë një sërë institucione të rëndësishme të kulturës dhe trashëgimisë kroate si : qendrën e konservimit në Dubrovnik, qendrën historike në Cavtat, Galerinë Stradun, shtëpinë e piktorit të njohur kroat, Vlaho Bukovac, etj.
Ministrja Kumbaro përfundon vizitën e saj në Dubrovnik në datën 26 gusht.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.