"Sende që nxirrte deti” fituese e çmimit Ardian Klosi në paMur - Ministria e Kulturës
Postuar më: 26/04/2014

“Sende që nxirrte deti” fituese e çmimit Ardian Klosi në paMur

“Sende që nxirrte deti”, është shpallur vepra më e mirë publicistike për vitin 2013 dhe është kurorëzuar me çmimin “Ardian Klosi”, i cili jepet për herë të parë, dy vjet nga ndarja tragjike nga jeta e publicistit të njohur, shkrimtarit, përkthyesit dhe aktivistit të shoqërisë civile.

Në ditën e katërt të Festivalit të Librit dhe Artit, paMur, përzgjedhur nga juria me kryetar Pirro Mishën, Katerina, vajza e të ndjerit, i dorëzoi çmimin publicistit Ardian Vehbiu.

Ky libër që pasqyron kulturën shqiptare në raport me kulturën e vendeve perëndimore, është vlerësuar në këtë eveniment të rëndësishëm, si një botim publicistik dhe mjaft origjinal. Autori është ndjerë i befasuar në vlerësimin që i është bërë librit të tij. “Është nder i madh dhe i papritur, nuk di nëse do të jem në gjendje të flas për këtë nder. Megjithatë dua të falenderoj kolegët, botuesen Dudaj, kolegët e jurisë, familjen e Ardian Klosit, familjen time dhe sidomos lexuesit e librit. Jam i lumtur që u nderova me çmimin dhe natyrisht që çmimi mban emrin e Ardian Klosit, që është një figurë e shquar e kulturës, letërsisë dhe shoqërisë civile dhe njëkohësisht shoku im. Gjithçka është perfekte me përjashtim të prezencës së tij”- u shpreh Vehbiu në fjalën e tij.

Për ministren Kumbaro ky festival i ka dhënë një tjetër imazh jetës kulturore të kryeqytetit.

“Dita e 4 e festivalit të librit dhe artit, një ngjarje e kësaj jave që ka gjallëruar jetën e kryeqytetit, që në ditën e parë hapi siparin e serisë së aktiviteteve kulturore nga Ministria e Kulturës. Me larminë jo vetëm të tendave, pamjeve, prerjeve, gjinive, ngjyrave, aktiviteteve, librave dhe performancave por edhe të publikut të të gjitha moshave, ky Festival trazoi për mirë jetën e kryeqytetit në këtë fund prilli. Mbase kjo festë artistike, si çdo gjë e re, trazoi dhe mendje dhe qejfe aty këtu, por kjo është veçse e shëndetshme dhe provë e demokracisë edhe në kulturë e në art. As duhet të na shqetësojë dhe as të na bezdisë. Përkundrazi indiferenca ndaj ngjarjes kulturore do të ishte shqetësuese për një shoqëri. Në këtë kuptim, të gjitha debatet që janë zhvilluar e zhvillohen rreth çdo ngjarjeje që ndodh, tregojnë jo vetëm se skena e kulturës nuk është e fjetur por edhe se interesi është rritur e bash për këtë falenderoj çdo zë, pro ose kundra, që rri zgjuar e reagon ndaj ngjarjeve të kulturës.” – u shpreh ministrja Kumbaro.

Mirela Kumbaro tha se sistemin kulturor priten reforma rrënjësore, ndërkohë që hodhi poshtë deklaratat e ditëve të fundit se  janë mbyllur institucione kultuore apo janë shkurtuar vende pune. Ajo tha se për të hipur në skenën e artit duhet të mbizotërojë cilësia artistike.

”Kulturën nuk e bën as një ministri, as një qeveri, por e bën ajri që gjallon e zhvillohet përtej politikës. Reforma në art ishte e domosdoshme pasi nuk mund të sakrifikosh aq shumë thjesht për të zënë një vënd pune e për të marrë një rrogë. Kemi një kaos administrativ me kontratat e punës për artistët, por reforma e re instuticionale nuk do të shkurtojë asnjë vend pune, madje do të hapë vende të reja pune”, tha Kumbaro.

Ky çmim, “Ardian Klosi” mbështetet nga rrjeti i njohur TRADUKI, dhe me këtë rast, në emër të Ministrisë së Kulturës, tashmë anëtare me të drejta të plota në Traduki, Ministrja Kumbaro deklaroi se:

“Kam kënaqësinë të ndaj me ju vendimet e fundit të Tradukit në bashkëpunim me Fondacionin Fisher, për letrat dhe letrarët shqiptarë:

– së pari Traduki konfirmon se do ta financojë çmimin “Ardian Klosi” për librin më të mirë jo vetëm këtë vit, por edhe në vitet në vijim.

– së dyti Traduki, në nderim të përkthyesit Ardian Klosi, ofron për vitin 2015 një bursë për një përkthyes shqiptar nga gjuha gjermane në shqip për një muaj në ‘Literarische Colloquium Berlin’, çka i jep mundësinë kujtdo të aplikojë, ndërsa fituesi do të ketë një muaj qëndrim falas për të punuar në këtë shtëpi të letërsisë dhe një bursë prej 2000 eurosh për të ndjekur jetën kulturore të një kryeqyteti europian siç është Berlini. Gara është e hapur dhe informacionin do e gjeni shumë shpejt në faqen e Ministrisë së Kulturës dhe të Tradukit” – përfundoi ajo në fjalën e saj.

I pranishëm në ndarjen e çmimit “Ardian Klosi”, ka qenë dhe kryeministri Edi Rama, bashkëshortja e Ardian Klosit, Jutta Benzenberg, pjesëtarë të familjes Klosi, si dhe botues, përkthyes, lexues, njerëz të artit e kulturës.

Festivali i Librit dhe Artit paMur, mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe TRADUKI vazhdon me aktivitete deri në datën 27 prill 2014.

Foto: Blerta Kambo