Arie, duete, korale dhe numra baleti nga repertori më i mirë botëror dhe shqiptar vijnë së bashku në një mbrëmja gala për të festuar 60-vjetorin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
“60 vjet skenë operistike shqiptare” do të ngjisë në skenën e TKOB-së mbrëmjen e17 dhjetorit solistët lirikë dhe të baletit në TKOB, por edhe artistët e ftuar si, Kledi Kadiu, Agim Hushi, Eno Peçi dhe Frano Lufi. Galaja festive nën regjinë e Nikolin Gurakuqit do të risjellë arie dhe duete nga vëniet më të rëndësishme ndër vite si operat , “Berberi i Seviljes”, “Toska”, “Trovatore”, “Skënderbeu”, etj, apo pjesë nga baletet si “Halili dhe Hajria”, “Arrëthyesi”, etj”.
Mbrëmja do të shoqërohet nga Orkestra Simfonike e TKOB-së nën dirigjimin e Edmod Dokos dhe të ftuarit, Ermir Krantja.
TKOB, institucioni më i rëndësishmë i muzikës së kultivuar dhe baletit në vendin tonë, shënon këtë vit 60- vjetorin e themelimit të tij.
Tradita e ansambleve korale në Shqipëri është zhvilluar që në vitet e para të shpalljes së pavarësisë. Kori i përgjithshëm i shtetit, i cili u formua në Priskën e Madhe të rrethit të Tiranës në vitin 1944, kishte drejtues artistik Kostandin Trako, dirigjenti i parë koral në vendin tonë. Në vitin 1950, kjo trupë inkuadrohet në Filarmoninë e Shtetit dhe në vitin 1953 në TOB.Shfaqja e parë operistike nën çatinë e kësaj shtëpie bujare është opera “Rusalka” e kompozitorit A.S.Dargomizhskij dhe mban datën 28 Nëntor 1953, datë që simbolizon lindjen e Teatrit Operistik në Shqipëri
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.