Botimi “Lekë Matranga, njeriu, koha, vepra”, nga profesori arbëresh Matteo Mandala, botuar nga “Ombra GVG”, është fituesi i çmimit kombëtar të Bibliofilisë “Lumo Skëndo” për vitin 2012. Juria, me kryetar drejtorin e Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasarin, Uran Butkën, Luan Malltezin, Flora Dervishin, Bendis Pustinën, ka marrë në shqyrtim botimet e të vitit që kanë hyrë në Bibliotekën Kombëtare, për të zgjedhur ato më të mirat. Juria ka përzgjedhur pesë botimet më të mira si, albumi “100 Vjet Pavarësi Kombëtare” nga Aleksandër Meksi, shtëpia botuese “Eugen”, “Rrethimi i Shkodrës” nga Marin Barleti, botuar nga “Onufri”, albumi fotografik, albumi me fotografi nga Leon Çika, si dhe botimi fitues “Lekë Matranga, njeriu, koha, vepra”. E pranishme në ceremoninë e ndarjes së çmimit dje në sallën “Lumo Skëndo”, në ambientet e Bibliotekës së vjetër ishte dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Kryetari i jurisë, Aurel Plasari tha se këtë vit janë bërë selektime për ta shpërndarë këtë çmim duke mos përzgjedhur ato shtëpi botuese që e kanë fituar më parë atë. Çmimi kombëtar i Bibliofilisë “Lumo Skëndo” është një çmimi i vetëm, që nxit dhe mbështet cilësinë estetike të botimeve shqiptare. Ky çmim i shërben vlerësimit dhe stimulimit të botimeve me vlera të spikatura bibliofilike e intelektuale nëpërmjet evokimit të personalitetit të kulturës dhe politikësshqiptare, Lumo Skëndo (Mit’hat Frashërit), veçanërisht si themelues i bibliofilisë shqiptare.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.