Të nderuar miq, studiues, politikanë,
mbledhja së bashku për të kujtuar një figurë mendimtari të shquar si Ibrahim Rugova na bën së pari nder ne të gjithëve. Duke respektuar veprën dhe kujtimin e tij, respektojmë modelin e dijetarit dhe politikanit të arrirë. Rrallë herë ndodh që të bashkëvendosen e të qëndrojnë në harmoni brenda një personi këto dy emërtime.
Rugova është ndër të paktit e të rrallët udhëheqës shteti që arriti në jetën e tij të përmbushte tërësisht misionin në lidhje me veten si tip meditant, në lidhje me vendin si tip militant. Njerëzit e mëdhenj e largpamës nuk i dallon dija, kultura dhe formimi, por i bën të tillë zgjedhja e duhur në momente kyçe historike, marrja e pozicionit, orientimi.
Për një nxënës të Barthit që u bë themeluesi i kritikës moderne shqiptare, për një filozof teoricient që ndau mirë dhe qartazi letërsinë e shkencën e kritikës nga politika, për një studiues që e përcaktoi letërsinë si vendin e vetëm një forme refuzimi, atij estetik, larg refuzimit politik e ideologjik, kapërcimi ka qenë zgjedhje dhe zgjidhje e ardhur natyrshëm, pa i rënë ndesh gjithë formimit të tij.
Rugova ishte kritiku i situatave letrare që nuk merrte asgjë të mirëqenë, që vinte në diskutim dhe në krizë çdo gjë, ishte interpretuesi i shtigjeve të hapura që shtronte mundësitë, që ngrinte veprën në një rrafsh kuptimor të ri dhe mbështeste me argumentim qëndrimin e vet. Ishte kritiku që hodhi bazat e artit të hapur, jo dogmatik, i aftë më tepër për të shtruar pyetje se për të dhënë përgjigje përmbyllëse. Kalimin në jetën politike, përgjigjen e nevojës imediate të çështje kombëtare e bëri në respekt të plotë të vetvetes, të mendimtarit dhe filozofit të formuar.
U bë politikani kritik, i hapjes dhe i dhënies së mundësive, i debatit dhe diskutimit, i përdorimit të armës së arsyes për zgjedhje të situatave kritike, i shmangjes deri në pamundësi të dhunës. U bë politikani misionar që misionin e gjeti në analizën e historisë së vendit të tij.
Projekti i tij për shtetin më të ri shqiptar u mbështet në vetëdijen se qyterimi ynë është një qytetërim properëndimor dhe se të tillë nuk na bën zgjedhja e drejtimit politik të momentit, konformizmi me situatat aktuale, por analiza e rrënjëve të historisë së botës shqiptare: këtij projekti politik i parapriu këndvështrimi largpamës i kritikut që zanafillën e modernitetit e kërkoi në veprën e një humanisti si Bogdani. Ai arsyetoi dhe argumentoi fillimisht si studiues e më pas si politikan se bota shqiptare nuk e bën sot zgjedhjen për orintimin drejt qytetërimit europian, por e ka të qenësishme në thelbin e vet, si një diçka të natyrshme që thjesht duhet ta njohim dhe ta respektojmë.
Rugova është shembull i zgjedhjeve politike të studiuara, të thelluara, të debatuara e të hapura. Shembull bashkeksistence koherence në një njeri të vetëm të ideologut e politikanit, të njeriut të mendimit me njeriun e veprimit, shembull i ndryshimit e përkryerjes së vetvetes pa tradhëtuar thelbin, në respekt të rrënjëve.
Ne jemi sot këtu për të analizuar pikërisht këtë model të rrallë që na la si pasuri, këtë model mendimitari dhe politikani që duke mos tradhëtuar veten, nuk tradhëtoi as kombin e tij, këtë model për të cilin sot më tepër se kurrë politika shqiptare, si në Kosovë e si në Shqipëri ka nevojë ta njohë dhe ta marrë si shembull.
Falenderoj nismëtarët e kësaj konference, falenderoj studiuesit dhe politikanët, të Kosovës dhe të Shqipërisë, që u bënë bashkë sot për të sjellë në vemendje këtë model shqiptar të devotshmërisë dhe pastërtisë në politikëqë shpesh e kërkojmë larg, në kohë dhe në vende.
Modele të tilla na japin të gjithë frymëzimin dhe besimin e duhur se politika e mirë, e drejtë dhe largpamëse bëhet nga mendimtarë të mençur që respektojnë njeriun.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.