Nuk është aspask i rastësishëm ky takim dhe as ngut i ditëve të fundit. Dhe ka arsye edhe pse jemi në këtë shesh të gjithë bashkë.
Kemi më shumë se dy vjet që i kemi hyrë gjithë territorit të Shqipërisë duke prekur çdo cep, e dukej sikur kishim harruar se sa shume vende të bukura ka Republika jonë.
Një pjesë na i ka dhënë natyra, por një pjesë e kanë zbukurar të parët tanë në shekuj duke na lënë në çdo gur edhe porosinë për t’i ruajtur. Kjo është ajo që ne e quajmë trashëgimi kulturore. Trashëgimia nuk është vetëm pronë e secilit por edhe shpirt i kombit dhe i çdo fshati.
Po kaq nuk mjafton
Kemi dy vjet që pasi kemi studjuar zonat më të bukura të Shqipërisë i kemi vene në mbrojtje duke i shpallur zona të trashëgimisë kulturore, qendra historike, monumente kulture.
Por as kaq nuk mjafton.
Kemi ndërhyrë me ngut të shpëtojmë objektet më të rrezikuara, ato që po shembeshin, për t’i riparuar, ringritur e për t’i mbrojtur nga ndërtimet e paligjshme që kishin mbirë si çibanë lart e poshtë.
Por jemi të bindur se nuk mund të mjaftohemi me kaq.
Tashmë jemi në një fazë të re, në fazën e zhvillimit të këtyre thesareve siç e meritojnë ata që i ndërtuan dhe ata që duhet t’i gjallërojnë.
Sot jemi me ju për të ndarë sëbashku këtë program zhvillimi për zonën e Bregut që të gjithë e lëvdojmë si perlën e Jugut, por perla duhet ruajtur e kthyer në një burim zhvillimi.
Është folur shumë për detin e Bregut, për peizazhet, por pak ose aspak për trashëgiminë monumentale të këtyre fshatrave të mrekullueshëm.
Marrim rrugën për të zbritur në det dhe i heqim vetes kënaqësinë për t’u ndalur në fshatrat e vjetër Dhërmi, Vuno, Qeparo, Kala e Himarës, ku duhet të rrimë vetë e të tërheqim turistë.
Ju keni një pasuri të rrallë që është lënë pas dore.
Jemi të bindur që të gjithë bashkë duhet të kthejmë vëmendjen drejt trashëgimisë si një mundësi zhvillimi për ju, për zonën, për turistët, për ekonominë.
Në janar Qeveria i shpalli fshatrat Dhërmi, Vuno, Kala e Himarës “Qendra Historike”. Do ta vazhdojmë këtë praktikë edhe me fshatra të tjerë të Bregut.
Çfarë do të thotë kjo për banorët e pronarët e shtëpive ? – Që çdo cep do të rivlerësohet nën efektin e restaurimit dhe të rikualifikimit të hapësirave.
Kemi studjuar vetëm në Dhërmi e Vuno më shumë se 500 banesa për të cilat po përgatiten projektet e restaurimit, të rregullimit të mureve, të shesheve të vogla, të çative, të dritareve, të rrugicave të mrekullueshme dhe të ballkoneve të Bregut. Prona e gjithësecilit do të marrë më shumë vlerë dhe Bregu do të tërheqë më shumë turistë që vijnë jo vetëm për detin e plazhet por edhe për monumentet e kulturës.
Rijetëzimi dhe mirëmbajtja e trashëgimisë kulturore është zhvillim ekonomie dhe punësimi për sot dhe burim të ardhurash për nesër.
Një nga pasuritë e jashtëzakonshme të kësaj zone janë kishat e mrekullueshme jo vetëm për shpirtin por edhe për syrin, vetëm Dhërmiu ka rreth 30 kisha, të gjitha vlejnë të vizitohen.
Nën qiparisin e Shën Spiridhonit dhe kishën e tij, jemi sot të gjithë bashkë.
Ju e dini më mirë se sa ne, që Kisha e Shën SPiridhonit, u shemb gati 2 vjet më parë. U shemb se ishte meremetuar keq e harruar, këtu e vite të shkuara.
E bëme nga e para! E sot jemi këtu për ta inaguruar. Se banorët e kësaj zone që kanë nxjerrë shpirtrat e lirë të artistëve si Petro Marko, Robert NDrenika, Dhimiter Anganosti e plot të tjerë, e meritojnë jo vetëm qiellin e detin blu, por edhe kishat e trashëgiminë kulturore të bardhë.
Siç e thonë dhe vargjet popullore:
Vunoi një kasaba,
Me saraje të mëdha,
Palate treqint e ca,
Të vëna sira-sira…”
Me përulje duam të ndajmë me ju edhe projektet që Instituti i Monumenteve të Kulturës, ka përgatitur tashmë për restaurimin e kishave të tjera të harruara në vite, të shtëpive me arkitekturë të rrallë. Por synojmë sidomos të shohim sëbashku programin e zhvillimit të kësaj zone të cilës duam t’ia ruajmë të gjithë vlerat, por dhe t’ia kthejmë njerëzit, turistët e investitorët.
Ky është programi ynë që ka filluar e do të zbatohet që këtë vit, me buxhetet e shtetit dhe të partnerëve tanë që na mbështesin në këtë program zhvillimi.
Vuno, 2 prill 2016
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.