Të nderuar Zonja dhe Zotërinj Deputetë,
Ratifikimi nga Kuvendi, i Marrëveshjes mbi bashkëpunimin kulturor ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, është padyshim një akt për të cilin biem të gjithë dakord.
Është shumë e rëndësishme që Gjermania, si një partner i kahershëm e shumë i rëndësishëm strategjik, e vë theksin te diplomacia kulturore si një urë e sigurt bashkëpunimi, si një rrugë e hapur dhe jetëgjate integrimi.
Gjermania e shprehu shumë hapur qëndrimin e saj lidhur me rolin shumë të rëndësishëm të diplomacisë kulturore vetëm një muaj më parë, në 12 janar, kur mori presidencën e OSBE- së.
Ajo foli nën shenjën e kulturës me Konferencën e hapjes së kesaj presidence të titulluar:
“Kultura e dialogut dhe dialogu i Kulturës. T’i kuptojmë shkëmbimet kulturore si element të sigurisë dhe të stabilitetit në hapësirën e OSBE”
Gjermania në këtë presidence e bëri krejt të qartë qasjen e vet duke vlerësuar se në këto kohë të vështira duhet të injektojme sërish frymën e Aktit Final të Helsinkit , që e kemi harruar, frymë me të cilën ritmojnë shtetet anëtare të cilat duhet të arrijnë në marrëveshje konkrete për shkëmbime kulturore mes popujve.
Më lejoni të citoj ministrin e jashtëm Steinmeir i cili tha:
“Jam i sigurt se ata që dinë më shumë për letërsinë, muzikën, filmat, trashëgiminë kulturore te Europës, dinë të kuptojnë edhe më mirë ëndrrat dhe traumat e partnerëve tanë, e miqve tanë.
Janë pikërisht këta që dinë të kuptojnë më mirë anët e errta të kontinentit tonë dhe janë këta që sëbashku mund të lëvizin kah Dritës.”
Kjo është presidenca gjermane e OSBE sot.
Kjo është gjithashtu edhe fryma me të cilën qeveria shqiptare ka ndërtuar marrëdhëniet e saj me Qeverine e Republikës Federale Gjermane në këto dy vjet e gjysëm qeverisje.
Kjo është arsyeja pse Ministria e Kulturës ndërmori dhe realizoi që në krye të këtij mandati anëtarësimin e Shqipërisë në rrjetin ndërkombëtar të Librit TRADUKI, – një organizatë kjo e krijuar dhe e mbështetur fort nga Ministria e Jashtme Gjermane, që sot rezulton si rrjeti më I suksesshëm në Jo vetëm në vendet gjermanofone por sidomos në vendet e Ballkanit.
Në dy vite Shqipëria është një nga anëtaret më aktive në këtë rrjet që Gjermania e ka zgjedhur si një ndër tryezat e rëndësishme të diplomacisë kulturore
Ministria e Jashtme e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, ka mbështetur dhe bashkëorganizuar të gjitha aktivitetet që Qeveria shqiptare apo organizata të pavarura kulturore kanë realizuar dhe përgatiten të realizojnë, sic ishte nëntori shqiptar në Gjermani, i cili filloi për të parën herë në vitin 2015, në vijim të tetorit gjerman në Shqipëri dhe që do të vijojë të ndërtojë urën e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Ka një histori suksesi edhe me përhapjen e gjuhës gjermane në Shqipëri, përmes modelit të klasave dygjuhëshe të iniciuar vite më parë, dhe që qeveria shqiptare e mbështet fort dhe po punon për ta shtrirë më tej, si një mundësi komunikimi, shkollimi dhe pse jo, punësimi, me një vend mik por edhe një shtet të fuqishëm ekonomikisht dhe kulturalisht.
Gjermania është historikisht vendi më i rëndësishëm për studimet albanologjike. Ministria e Arsimit vijon të mbështesë katedrën e Gjuhës Shqipe ne Mynih me pedagogë nga Shqipëria jo vetëm për të mbajtur e zhvilluar kërkimin shkencor në fushën e albanologjisë por edhe sepse ajo është një antenë e rëndësishme për përhapjen e kulturës shqiptare dhe tryezë komunikimi me kulturën gjermane dhe atë perëndimore.
Kjo marrëveshje midis dy qeverive, vjen në vijim të një kalendari kulturor intensiv bashkëpunimi me qeverinë gjermane, gjatë vitit 2014-2015 dhe në përgatitje të një programi ambicioz në vijim.
Pjesë e këtij programi është bashkëpunimi në fushën e kujtesës dhe të mosharrimit të krimeve të komunizmit, për çka Shqipëria ka humbur tashmë shumë kohë në 25 vite duke mos bërë përparim në hapjen e dosjeve, përkundrazi duke i keqpërdorur ato, duke mos pastruar hapësirën politike nga hijet e errta të komunizimit, përkundrazi duke i mbajtur gjallë në forma të deformuara e të rreme kinse demokratike.
Qeveria gjermane ka ofruar ekspertizën më të mirë në krijimin e muzeve të historive famëkeqe të komunizmit, sic janë muzetë e Stazit, me të cilët Ministria e Kulturës po punon për projektin e Muzeut të Përgjimeve Sekrete, ose siç njihet ndryshe Shtëpia me Gjethe.
Gjithashtu po zhvillojmë konsulta për zhvillimin e qendrës së kujtesës në ish-burgun famëkeq të Spacit, që një vit më parë e vumë në mbrojtje për ta ruajtur nga shtrirjet e minierave të liçencuara aty rrotull.
Në koordinim të plotë me Ministrinë e Jashtme, po përgatiten një seri eventesh të rëndësishme kulturore dhe shkëmbime artistësh, të cilat do të konfirmojnë qëndrimin e përbashkët të të dy vendeve për një diplomaci kulturore si një rrugë integrimi europian, e qëndrueshme, e sigurt dhe jetëgjatë për bashkëpunim, që nuk afron vetëm qeverisjet por sidomos njerëzit dhe që nuk ka mandate elektorale dhe as ngjyra partiake, ky është koncepti ynë për diplomacinë kulturore.
Qeveria Shqiptare ka marrë të gjitha masat që realizmi i kësaj marrëveshje të mbështetet me buxhetin përkatës si nga Ministria e Kulturës, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Jashtme.
Na vjen shumë mirë, që këtë qasje e ndanë të gjitha palët në komisionin e Medias dhe Kulturës si dhe në Komisionin e Jashtëm ku prezantuam marrëveshjen dhe prandaj falenderoj paraprakisht të gjithë deputetet dhe deputetët duke i ftuar ta votojnë njëzëri këtë ratifikim.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.