“Mirë se ju gjej në këtë diskutim me temë tejet joshëse “Një shpirt për Evropën” por në të njëjtën kohë është një cilësim që të bën të mendosh, sidomos kur kjo përkthehet në një panel për periferitë që ne banojmë dhe na banojnë.
Unë nuk do të merrem me përcaktimin e Periferisë, më duket një mision i pamundur.
Por nga krahu tjetër, a mundem ta bëj?!
Unë që vij nga vetë periferia, sipas përcaktimit të njëpasnjëshëm të këtij termi në gjeopolitikën moderne, që bën që qendra e Evropës, jo vetëm të Evropës gjeografike, por sidomos politike dhe politikane, gjithmonë e gjithëfuqishme, ka përcaktuar kufijtë ndërmjet qendrës, majës, fuqisë dominuese dhe të dominuar, vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim e kështu me radhë.
Që prej 25 vitesh, e dija që vija nga vendet ish komuniste, madje një nga vendet më të vështira të kësaj kategorie.
Pastaj, na e ndryshuan adresën, dhe unë vija nga vendet e Lindjes, me kalimin e kohës, kam mësuar se në fakt vija nga vendet e Evropës Juglindore.
Jo shumë e qartë si toponimi dhe për këtë arsye, ishte më e lehtë për të na degdisur në zonën e zakonshme periferike, por po aq problematike të Ballkanit.
Për të bërë ndryshimin, dhe për të nxitur konkurencën ndërmjet nxënësve të mirë dhe atyre jo aq të mirë, i shtymë akoma më tej kufijtë, dhe unë duhet ta prezantoj veten time me vendbanimin tim të ri të quajtur, Ballkani Perëndimor-(Western Balkans.)
Me këtë ‘aleancë fjalësh’ që intrigon : ‘Perëndim’ dhe ‘Ballkan’. Dhe ja ku jemi.
Në të gjithë këtë tërësi vendesh unë nuk kam patur mundësi zgjedhjeje as të vendit dhe as emrit të vendit. Ai ishte gjithmonë në periferi. Qendra e politikës së kontinentit ka përcaktuar gjithmonë periferitë dhe periferitë e periferive. Nga ana e tyre, periferitë nuk mund ta ndryshojnë situatën, por ato mund të bëjnë gjithcka për të tërhequr vemendjen e qendrës, madje dhe futen në garë për këtë.
Kjo është loja e përjetshme midis qendrës dhe periferisë. Kjo është loja e politikës. Ndonjëherë qendra do të bllokojë kalimin e periferive drejt qendrës, do thoja fare e panevojshme, – Hannes Svoboda, e tha shumë mirë, – atëherë periferia shtyn me forcë, nëpërmjet rrugëve të shtrembëra, në gjendjen e saj më të keqe…
E di që sot jam e ftuar si politikane, por së pari unë nuk vij nga politika, por nga bota e kulturës dhe e kritikave të politikës.
Megjithatë, në vendet tona njerëzit e kulturës kritikojnë shumë dhe veprojnë pak. Dhe ky është problem, problem kulturor, problem zhvillimi dhe edukimi. Për të ndyrshuar gjërat duhet të reagojmë, për të reaguar duhet të marrim vendime dhe për të marrë vendime duhet të futesh në politikën e veprimit. Dhe në këtë pikë, mendoj se nëse kultura merret seriozisht, dhe është aktive me zgjuarsi, ajo mund të bëjë dallimin.
Është koha që fuqitë të kuptojnë se investimi tek kultura dhe edukimi është më afatgjatë se investimi i pastër ekonomik. Krizat ekonomike janë ciklike, përsëriten, kalojnë, harrohen, kultura qëndron, trashëgohet, zhvillohet. Në vendet, të ashtuquajtura periferike, ndryshimet ekonomike nuk janë të shpejta ndërkohë që në periudhë krize, një investim në kulturë ndihmon gjithashtu mirëadministrimin e krizave ekonomike.
Për më tepër, ne i njohim shumë pak potencialet kulturore të periferive, sepse nuk i kemi kushtuar vëmëndje. Është një botë e tërë për t’u zbuluar, në kulturë periferia humbet kuptimin e fjalës, sepse është thjesht një fakt kulture, i cili kthehet në një pasuri, një mjet komunikimi e njohjeje reciproke.
Më lejoni t’ju sjell një shembull nga Shqipëria – Ballkani perëndimor, periferi, i cili vuan nga të gjitha klishetë e mundshme që pushtojnë gazetat e qendrës. Shqipëria është një vend që edhe pse ka gabuar shumë, nuk ka njohur kurrë konfikte me përmbajtje etnike, fetare apo kulturore, dhe megjithatë ndodhet në zemër të një rajoni, i cili njihet si “fuçi baruti e Europës” – më falni për këtë thënie të luftës së parë botërore që ende qarkullon në tekstet e qendrës!
Është një vend ku tri fetë kanë bashkëjetuar historikisht, dhe secili prej shqiptarëve mbart me vete në njëfarë mënyre këtë bashkëjetesë, për shkak të lidhjeve familjare, martesave të përziera, duke i festuar të gjitha festat fetare së bashku.
Papa Françesku zgjodhi Shqipërinë si destinacionin e parë në Europë në 2014, sigurisht për këtë arsye, duke e konsideruar periferinë si qendrën, jo për nga vendndodhja gjeografike, por nga modeli i shkëlqyer i harmonisë së feve dhe kulturave të ndryshme. Ai e cilësoi Shqipërinë “një vend europian”
“Ky është një mesazh, një sinjal që unë ju dërgoj”, tha ai i cili mendon se një problem kuptohet më mirë nga periferia.
Kultura mund të ndërtojë ura që politika demagogjike nuk do të ishte e aftë. Njerëzit e dinë, si ata të qendrës edhe ata të periferisë, pyes veten nëse e dinë edhe qeveritë. Eshte koha e kulturës siç e ka thënë dhe babai themelues i Europes se Bashkuar: “Nëse do e ribëja Europën do e filloja nga kultura”.
Berlin, 9 nëntor 2015
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.