“Në një festë libri janë të gjithë të mirëpritur, sepse libri është hapësira bashkuese e të ndryshmëve në kohë, vende apo ide: bashkon si rrënjët, historitë, të shkuarën, ashtu dhe të renë, perspektivën, shpresën, të ardhmen. Libri që në lindjen e tij, ka qenë dhe mbetet një ndërmjetës kulturash, shkëmbim vlerash dhe pikëtakim qytetërimesh. Libri e letërsia në veçanti janë tokë e lirë, ku sundon mendja e hapur e pa kufij të ndarë, është hapësirë njohjeje, thellimi, mirëkuptimi e tolerance. Historitë e librave duke nisur nga ato të autorëve të dikurshëm e deri tek autorët e sotëm kanë përbërë nyjen lidhëse edhe të popujve fqinjë ballkanas, ku mitet dhe legjendat të emërtuara ndryshe sa në një gjuhë në tjetrën, kanë ruajtur thelbin e domethënies së përbashkët. Doruntina e Kostandini, ndryshojnë emrat duke kapërcyer kufinj gjuhësh, por udhëtimi i tyre i përtejmë, është gjithnjë udhëtim i besës e fjalës së dhënë, i vëllazërimit.
Letërsia dhe jeta e shkrimtarëve është dëshmi dhe e mbështetjes dhe mirëkuptimit të dy popujve tanë, shqiptarëve dhe malazezëve, bashkëjetues prej shekujsh në këtë qytet, Ulqinin: e dëshmon këtë Bato Tomašević në librin e tij autobiografik të shumëpërkthyer “Jetë dhe vdekje në Ballkan”, kur rrëfen se në fillim shekullin e kaluar të parët e tij gjetën mbrojtje te shqiptarët e Kosovës, ashtu si në mbyllje të shekullit të kaluar, shkrimtari tjetër malazez Jevrem Brkoviq rrëfen se gjeti strehë në kohë të vështirë tek shqiptarët e Shqipërisë.
Jeta pranë njëri-tjetrit, bashkëekzistenca e popujve tanë, besimi, kultura, gjuha e ndryshme kanë lënë një pasuri shpirtërore që duhet ta rrëfejmë.
Gjuha, si kushti kryesor për mbijetesën e një kulture do të na çojë drejt kulturës integruese evropiane. Modelet tona kulturore po orientohen drejt kulturës evropiane, modeli i të cilit ka përparësi lirinë në zhvillimin e imazhit të shoqërisë, krahas ruajtjes së identitetit kulturor. Ideali i Europës që aspirojmë, shkon përtej kufinjve territorialë, është një “bashkë minoritetesh” që synojnë të krijojnë një vizion të përbashkët human mbi botën. Kush më mirë se kultura e libri mund ta projektojë këtë vizion?
Ndaj ky Panair libri merr një vlerë të vecantë, jo thjesht si manifestim i letrave në gjuhën shqipe, që eshte nje vlere e paçmuar meqenëse ka bashkuar shkrimtarinë e gjithë trevave shqipfolëse, por mbi të gjitha dhe si një pikë komunikimi ndërkulturor mes letrave shqipe dhe asaj të fqinjëve të përjetshëm, atyre malazeze, boshnjakë, serbë e me rradhë, letërsisë që gjithnjë e më tepër po njihet me një emërtim njehtësues mëse të merituar: si letërsisë ballkanike.
Po ajo çka pritet tashmë prej nesh nuk është më euforia folklorike për të shkuarën, kthimi i kokës pas duke ngujuar veten në mite e legjenda, por vështrimi në një të ardhme të përbashkët, ku dallimi na bashkon dhe kthehet në vlerë.
Oganizimi i panaireve, festivaleve, leximeve, rezidencat e shkrimtarëve dhe përkthyesve, grandet për përkthyesit dhe shkrimtarët krijojnë klimën e duhur që edhe libri dhe profesionistët e krijuesit që i kanë kushtuar atij jetën, të jenë konkurues në këtë treg. Nëse libri nuk del nga miti i vetëizolimit dhe nuk futet në rrjetin e këmbimeve nuk do të mund të bëhet dhe pjesë e domosdoshme dhe parësore e jetës së gjithëkujt. Tashmë kultura duhet kuptuar jo vetëm si një vlerë shpirtërore, e shkëputur nga ekonomia, por si shpirti i vetë ekonomisë, që i jep kuptim dhe frymëmarrje gjithë ngrehinës së jetës materiale.
Na gëzon fakti që kemi panaire të tilla si ky i Ulqinit ku në sofrën e letrave shqipe janë të ftuar nderi edhe letrat e popujve fqinjë, për të vazhduar një udhëtim të përbashkët drejt vlerave thelbësore humane”.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.