Fjala e ministres së kulturës, Mirela Kumbaro në nisjen e projektit "Muzeu i Gjetheve" - Ministria e Kulturës
Postuar më: 29/01/2015

Fjala e ministres së kulturës, Mirela Kumbaro në nisjen e projektit “Muzeu i Gjetheve”

Përshëndetje,
Kjo është ajo që për vite të tëra në komunizëm e kemi quajtur Shtëpia misterioze, ose shtëpia e gjetheve, sepse e veshur me gjethe ishte e padukshme nga rruga sa ç’ishte e rëndë hija e frikës që lëshonte dhe paranoia e shqiptarëve që për dyzet vite jetuan me hijen e tjetrit misterioz që i ndiqte nga pas.
Kur përgatitëm ftesat për këtë prezantim, të përfshirë nga hija e shtëpisë, nga historitë e vogla e nga dramat e mëdha, guxuam të bënim një shaka: vendosëm vulën “SEKRET” mbi zarfa.
Zyra postare na i ktheu se e mori shumë seriozisht “sekretin” dhe shakaja na tregoi se sa e rëndë është pesha e “hijes” edhe kur është shaka.
Unë i përkas brezit që u rrit me këshillën e përditshme “mos fol se dhe muret kanë veshë”dhe me histori përgjimesh e çimkash (për të rinjtë që s’e njohin: çimka është jo vetëm gjallesa, por edhe mikrofoni përgjues që na futej në tru më keq se çimkat në trup).
Në një qytet ku të gjithë përgjonin të gjithë e ku, siç kam lexuar, një përgjues i pakënaqur në vitet 70, qahej se “në çdo vend të botës spiunët i gjen me para, në Shqipëri i gjen falas, prandaj vuajmë kaq shumë..”, roli famëkeq e keqbërës i sigurimit të shtetit nuk ishte shaka.
Historia urbane e kësaj ngrehine është në vetëvete një dëshmitar elokuent i historisë së Shqipërisë së gjysmë shekullit të XX.
Ndërtuar si Klinikë mjekësore ku lindi i biri i mbretit Zog, u transforma në zyra të Gestapos në Luftën e Dytë Botërore.
Më pas përdoret për zyra hetimore pas Luftës nga Policia e fshehtë, – nënkupto dhoma torturash, – derisa në vitet ‘50 kthehet përfundimisht në Qendrën e Sigurimit për të përgjuar të gjallë e të vdekur, të huaj e shqiptarë, në shtëpi e në autobus, te komshiu, apo te radha e vajgurit.

Është iluzion të mendosh se ajo hije mund të zhdukej me rënien e komunizmit. Vitet ‘90 e hoqën zvarrë atë me përgjime politikanësh e lojë dosjesh, me emra spiunësh e shantazhe individësh, lojë që fatkeqësisht ende s’ka mbaruar.

Sot kemi vullnetin t’i hapim dosjet e gurta e ato prej letre, shtëpitë e mistershme e misteret e kyçura nëpër bunkerë e tunele, sepse s’kemi gjë për të fshehur, sepse duhet të mos harrojmë, sepse duhet të mësojmë, sepse duhet t’i tregojmë, duhet të edukojmë dhe duhet të na shohin me historinë tonë jo të zakonshme.
Prandaj, hapësirat tabu duam t’i hapim, ndërtesat e harruara e të rrënuara po i rikonceptojmë. Eshtë kjo pjesë e strategjisë sonë muzeale, edukative, krijuese dhe turistike.
Vitin që shkoi, Shtëpia me Gjethe që në fakt dhe emrin e koduar e kishte “Gjethi”, i kaloi në administrim Ministrisë së Kulturës.
Me vendim të Këshillit Kombëtar të Muzeve ndërtesës iu dha statusi muze dhe, qysh atëhere, MK ka punuar për përgatitjen e projektit, të konceptit, të itinerarit dhe të planit për restaurim dhe muzealizim. Eshtë punuar gjithashtu për mbledhjen e pajisjeve, dëshmive personale dhe dokumentare, të objekteve, të aparateve të të gjitha markave e origjinave, si për të treguar se në ato kohë izolimi, dukej se Shqipëria komunikonte me botën më shumë përmes prangave të censurës dhe jo me lirinë e fjalës.
Një ekip profesionistësh ka punuar pa rreshtur me Ministrinë e Kulturës dhe dua të falenderoj bashkëautorët që e ngritën projektin në këmbë, Bashkim Shehu dhe Elisabetta Terragni, që kanë përjetuar jo pak emocione, si dhe studiuesit Agron Tufa dhe Eduard Zaloshnja, që janë pjesë e ketij ekipi. Dua të falenderoj
skuadrën e MK-së dhe IMK-së, që e konsideron këtë projekt një nga më të rëndësishmit, por edhe më pasionantët.
Dua të falenderoj edhe dëshmitarë që kanë rrëfyer historitë e përvojat e tyre duke parapëlqyer të rrinë në hije.
Do të mirëpresim çdo kontribut, çdo dëshmi e dokument, që mund të na dërgoni nëse mendoni se e pasuroni tregimin e kësaj historie, rindërtimi fizik i së cilës do të fillojë së shpejti.
Ky muze i përgjimit, them se është unik në Evropë. Dhe, fakti që, perceptimi i shqiptarve se ishin të përgjuar ishte më i madh se sa vetë kapacitetet përgjuese, tregon se ky nuk do të jetë një muze pajisjesh, por një muze jetësh njerëzore të asaj Shqipërie, që ne duhet ta njohim për vete dhe për fëmijët tanë, por edhe që të ftojmë miqtë e turistët ta vizitojnë.