Fjala e Ministres Kumbaro: “Në gjurmët e Italisë në Shqipëri - Ministria e Kulturës
Postuar më: 13/12/2014

Fjala e Ministres Kumbaro: “Në gjurmët e Italisë në Shqipëri

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro në Teatrin Kombëtar, ku në javën “Në gjurmët e Italisë në Shqipëri” u prezantua video e realizuar nga Roland Sejko “Simmetrie vol.IV” mbi ndërtesat italiane dhe ndërtimin e Tiranës kryeqytet, në bashkëpunim me Institutin Luce, Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit dhe Shoqatën Syri Blu – Anna Cenerini Bova .

 

“Mirëmbrëma,

Mirëseerdhët në sallën e Teatrit Kombëtar!

Për publikun shqiptar kjo është ndërtesa e derisotshme e skenës mitike të teatrit shqiptar, hapur si e tillë në vitin 1945 – skenë artistësh dhe skenë e debateve publike –

Sepse lëngon fizikisht, dhe, pikërisht për këtë ka tashmë vëmendjen tonë maksimale duke i dhënë prioritet skenës së Tiranës si domosdoshmëri për artistët dhe publikun, edhe sikur kjo godinë të na braktisë për shkak të përkohshmërisë së jetës së saj.

Ndjehem e privilegjuar që në përfundim të një dite shumë të pasur me shkëmbime profesionale jo thjesht për arkitekturën, por për praninë e arkitekturës italiane në Shqipëri, t’ju ftoj në sallën e një ndërtese, italiane, po aq, por edhe simbol i një kujtese historike.

Nuk do të bie kurrsesi në kurthin e temës që na mbledh, sepse këtë e bëjnë si duhet profesionistët, por dua të ndaj me ju konceptin e ri që kemi zhvilluar dhe duam ta zhvillojmë duke trajtuar arkitekturën jo thjesht si element konstruksioni, por si pasuri e trashëgimisë, kërkesë kjo që vjen nga arkitektët, nga bota e arkitekturës bashkëkohore dhe nga zhvillimi i trashëgimisë jo thjesht si një natyrë e qetë (naturamorta) por si pjesë e një peizazhi natyror dhe arkitektonik që zhvillohet, rritet, humb pjesë, i zëvendëson ato, bashkë me njerëzit që e jetojnë atë.

Arkitektura, si një element i rëndësishëm kulturor, por edhe njerëzor, ka shpirtin e vet. Çdo njeri ka tipin e vet dhe harmoninë e brendshme të tipareve të veta, të cilat, të gjitha së bashku, shkaktojnë një emocion.

Të tillë emocion shkakton edhe harmonia e raporteve brenda një ndërtese, një kompleksi, një qendre, një qyteti.

Ka qenë një emocion i përhershëm që ka shoqëruar fëmijërinë time në qendrën historike të Tiranës, e cila kulmonte me sheshin NËNË TEREZA, ku gëlonin dëshirat dhe revoltat.

Emocion që u thye përdhunshëm, nga batërdia dhe egërsia e ngrehinave, por sidomos nga guximi edhe më i dhunshëm i legjitimimit të ilegalitetit, i ndotjes së vështrimit, i thyerjes së nofullave të sheshit, i fyerjes së Qytetit, dhe shkelmimit të qytetarisë.

Mjafton ta duash një gjë dhe ajo bëhet e mundur.

Arkitektura e fyer dhe e lënduar, iu rikthye qytetit pak muaj më parë,

iu rikthye me gjithë shkëlqimin e vet, me pastërtinë dhe estetikën e saj, që disa arkitektë italianë të pasionuar e krijuan dhe, shqiptarët, e jetuan dhe e pasuruan me shpirtin e tyre, siç e treguan në ditën e paharruar të vizitës historike të Papa Françeskut.

Treguam me vullnetin tonë se nuk duam të bëjmë vetëm një makijazh, por një vlerësim të trashëgimisë sonë, një rikthim të hapësirës urbane të qytetarëve që e duan sheshin për t’u takuar, për t’u dashuruar dhe për të bërë art.

Sheshi i çliruar i Kolonave po kthehet pak nga pak në skenën e hapur të aktiviteteve, falë arkitekturës së tij, sepse, siç thotë një arkitekt i njohur, Arkitektura është arti që e kthen të panevojshmen në një dosmosdoshmëri.

Më mirë këtë e dinë profesorët ndërsa kujtesën e saj do e shijojmë sonte falë dokumentarit të Roland Sejkos.

Mbrëmje të bukur ju uroj!