Përshëndetje,
Mirësevini, në një cikël të ri të çmimit letrar të vitit që Ministria e Kulturës ka nderin të japë sivjet, për të parën herë, ndryshe.
Vetëm 2 çmime:
atë të veprës më të mirë letrare dhe atë të përkthimit më të mirë letrar.
Gara e çmimeve është e rëndësishme kur ajo është e vërtetë.
Sepse letërsia ka nevojë të nxitet, sepse krijimtaria ka nevojë të mbështetet,
se krijuesit duhen falenderuar dhe nderuar nga ne,
sepse lexuesi kërkon edhe të orientohet në leximet e tij,
të edukohet në mënyrë të besueshme, profesionale, cilësore e pa zallamahi, pa bujë, pa thashetheme,
çka një juri e vërtetë, e paanshme, e qetë dhe e besueshme e bën me pasion
Bash për këtë, Jurinë dua ta falenderoj me gjithë zemër sot
Brikena Çabej, Saverina Pasho, Rita Petro, Ridvan Dibra dhe Ben Andoni
Po i falenderoj sot se qysh kur kanë filluar punën, në qershorin e këtij viti nuk i kam takuar asnjëherë, nuk e di ku kanë punuar, vetëm e di që kanë punuar, lexuar, dhe kanë vendosur dje fituesit e sotëm.
Nuk do të shtirem para jush e të them se unë i mësova sot dy veprat fituese.
M’i thanë dje!
Dhe jam befasuar këndshëm!
Lumturi letrare është çmimi i fituar nga Thanas Medi !
Pranoj që nuk kam arritur ta lexoj. Nuk e njoh autorin. Di që është në librin e dytë të tij, dhe siç sugjeron bindshëm juria është një zbulim i vyer i letrave shqipe të vitit 2013!
U përpoqa ta shfletoj në 24 orët e fundit, duke ndjerë në ajër tharmin e një letërsie të veçantë, të munguar dhe të mbushur me ethe njerëzore e me drama kolektive, me larmi jetësh kulturore e historike. Fate njerëzore dhe diversitet kulturor, nga ato që i mbartim me vete si breshka zhguallin e vet, si vllehët kasollet e tyre!
Ky roman i shkruar mbi faqen e bardhë të harresës, është një histori me aromë vllehe, lëng toke dhe damarë burri e gruaje plot pasion.
Është një lexim i pashmangshëm ky i librit të Thanasit të cilit unë i uroj mirësardhjen në botën e letrave të bukura duke e paralajmëruar se sapo i ka hapur derën pritshmërive tona në rritjen për librat e tjerë që do të shkruajë!
Faleminderit Thanas Medi për letërsinë tënde
Dy fjalë do m’i duroni për çmimn tjetër – the last but not the least!- si mund të jetë ndryshe me një çmim për përkthimin!
“Orlandi i çmendun” i Ariostos vjen në shqip nga Guljem DEDA
Përkthyes i një shkolle të veçantë përkthimi! Ajo e kampeve të internimit dhe e burgut të lirisë! Prej ku dolën, Pashk Gjeçi, Henrik Lacaj, Mark Dema e të tjerë…
Veç përkthimi ishte shpëtimi i shpirtit e i zemrës, si një mundësi arratie në të tjera vise e qytetërime. Por edhe si një mënyrë komunikimi të tërthortë me atë kohë të çmendur të cilës nuk i foli dot me zë të lartë sepse ia mbyllën gojën me pranga.
17 vjet nga jeta e vet i dha përkthimit poetik të Orlandit të çmendun, brenda ferrit të realitetit më të çmendur shqiptar, në fshatin myzeqar Ndërnenas – toponimi po aq aluçinante sa ndëshkimi i dijes në diktaturë-
Sot, pas vdekjes që e mori bash 20 vjet më parë, e kur veç pak vite liri i panë sytë, besoj se profesor Guljemi na sheh që atje lart,
tek i përulemi me mirënjohje për veprën e jetës, nga ato që s’bëhen më, se kërkojnë çmendurinë e pasionit që rrallë e hasim,
e falenderojmë për gegnishten e mrekullueshme që e radhit këtë tekst, njësoj si përkthimet perla të Pashk Gjeçit, në fondin e artë të leximeve shqipe,
e nderojmë sot duke i kërkuar ndjesë që shoqëria shqiptare, bota e letrave dhe njerëzit e fjalës nuk ditën, nuk mundën, nuk arritën t’ia shprehin se sa çmendurisht e bukur është vepra që na ka lënë.
Guljem Deda të përshëndes me fjalët e tua dhe vargjet e para të Orlandit:
Gratë dhe kalorësit, armët, dashunitë
Sjelljet këndoj, dhe veprat guximtare!
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.