Fjala e ministres Kumbaro në ekspozitën "Këndvështrime" - Ministria e Kulturës
Postuar më: 02/12/2014

Fjala e ministres Kumbaro në ekspozitën “Këndvështrime”

Mirëmbrëma,
Dhe ndjesë që marr guximin të flas në hapje të një ekspozite të artit pamor para profesionisteve të artit.
Pak durim do t’ju kërkoja gjithësesi, për t’ju falenderuar që jeni ketu me ne sonte për një ekspozitë ndryshe nga të tjerat.
Jo vetem se ajo hapet në hollin e Kryeministrisë që gjithmonë e më shumë i liron hapësirat e saj për kulturën, artistët dhe publikun, por sidomos për natyrën e saj të veçantë.
Sot, 70 vjet pasi Lufta çlirimtare kundër fashizmit dhe nazizmit u krye në Shqipëri, nuk është  e lehtë, – sic e shikojmë çdo ditë, – të shquajmë dy periudha të historisë:  Luftën e drejtë dhe Diktaturën e egër të pasluftës,  angazhimin për çlirim dhe lirinë e burgosur dhunshëm, të cilat, edhe pse të lidhura logjikshëm e të mpleksura me jetë njerëzish të dyzuar,  me njera tjetrën, kanë të drejtën kronologjike por edhe historike të ndahen e të kqyren edhe si të mëvetësishme.
Mirëpo, pa harruar që ajo që i bashkon fort është Kujtesa!
Kujtesa duhet të jetë e njëjtë për të dyja etapat.
Harresa e cilësdoqoftë është vrastare, sepse harresa e fshin të kaluarën; ndersa kujtesa, nga ana tjeter, e shndërron atë, sidomos kur kujtesa bashkëjeton me emocionet legjitime të dëshimitarëve të gjallë.
Prandaj modestisht, mirë është të pranojmë secili mosdijen tonë, që s’është mangësi intelektuale por vetëm gjendje njerëzore.
Nuk pretendojmë të shkruajmë historine, atë duhet ta bëjnë historianët, madje me shumë gjasë do e bëjnë shumë më mirë historianët e brezit tjetër kur ne dëshmitarët e gjallë do të kemi shterrur. Historiografia botërore na mëson se historia rishkruhet më mirë nga mendje të ftohta dhe larg emocioneve të përvojave jetësore, larg  subjetkitivzmit të individëve dhe larg ndikimeve të politikave të ditës.
Aq më pak do të na shkonte mendja të ftojmë këtu për një ekspozitë dokumentare apo per relike historike, që kanë dhe ato rolin e tyre të vyer.
Është një forum artistik kjo ekspozitë e cila, përveç konceptit estetik synon të ndjellë edhe reflektime historike mbi atë se si historia e Luftes është përthyer përmes gjuhës së artit në kohë të ndryshme që hyjnë në dialog brenda kësaj hapësire.
Qoftë përmes artit të futur pa zgjedhje brenda kallëpit ideologjik të realizmit socialist, qoftë sipas këndvështrimit specifik të viteve që pasuan në Shqipëri dhe jo vetëm.
Artisti thotë Milan Kundera nuk është shërbëtor i historianit. Edhe në këtë ekspozitë të hapur për publikun, artistët nuk pikturojnë apo komentojnë historinë, por zbulojnë pjesë të panjohura të ekzistencës njerëzore.
Ngjarjet e mëdha historike janë për ta si një ndriçues i madh që befas hedh dritë mbi anët e fshehura dhe i zbardh ato.
Nuk më mbetet veçse t’i falenderoj të gjithë artistët që na flasin sot mes veprës së tyre, që na ftojnë t’i qasemi një cope të historisë përmes këndvështrimit artistik, dhe të përgëzoj, duke i falenderuar sinqerisht për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë, dy kuratoret Artan Shabani dhe Fani Zguro dhe gjithë ekipin pasionant të Galerise së Arteve.
Gëzuar të gjithëve, festat e ngjarjeve të mëdha!