Fjala e Ministres Kumbaro në hapjen e ekspozitës muzeale BUNK’ART
“Duhet të vish e ta shohesh vetë!” më tha Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, muaj më parë në telefon kur kishte zbuluar këtë hapësirë gjigande fshehur këtu, që na mahniti për nga përmasat, për nga puna e bërë në zgafellë të malit, por jo për nga deliri e as për nga paranoia që përkonin me profilin e diktatorit Hoxha i cili, gjithë Shqipërinë e kishte kthyer në bunker antinjerëzor.
Sado mësuar me bunkerë ushtarësh e artilerish që rinia e viteve 80’, privuar nga strehat normale të dashurisë, i përdorte edhe si vende të të fshehta ëndërrimi e joshjeje, ky pallat gjigand ndërtuar në mal e kalonte cakun e përfytyrimit.
E megjithatë, ajo që të habit më shumë nuk ishte gjithësesi paranoia e diktatorit në përmasat e një pallati brenda malit, por fakti që edhe pas rënies së diktaturës, kjo hapësirë rrinte fshehur këtu, në padijen tonë, ndërsa hapësirat tona të veprimit ngushtoheshin gjithmonë e më shumë atje jashtë, në turravrapin e zënies së hapësirave.
Jemi vend i vogël dhe nuk e kemi luksin e mos përdorimit të mjediseve që nuk i duhen më as mendjeve më të sëmura të cilat, edhe pa i përdrorur, i mbajtën mbyllur për më shumë se 20 vjet.
E para ide që na bashkoi të gjithëve, sa herë e diskutonim mundësinë e ripërdorimit të këtij monumenti të ideologjisë së ndarjes e izolimit, ishte krijimi i një hapësire për art e kulturë, hapësirë jo si të tjerat, që kërkon sfidë, guxim dhe vizion.
Dhe kjo ekspozitë muzeale sot është një përpjekje e parë drejt këtij guximi, që përkon edhe me konceptin që kemi për hapjen e shfrytëzimin e hapësirave për shprehje artistike, për mendim në format jashtë klasikes.
Per ne, skena kulturore nuk është vetëm katërkëndëshi i institucionit publik, por çdo hapësirë e mundshme ku mund të çlirohet oksigjen artistik, ku mund të shprehen vullnetet e lira të krijimtarisë.
Ky bunker, tunelet e nëndheshme të bllokut, skutat e sigurimit të shtetit apo shtëpia e diktatorit, kapanone industriale të rrënuara apo dhe vetë rruga, janë dhe do të jenë skena pa kufi për cdo shprehje të lirë të mendimit, social dhe kulturor, dhe një itinerar turistik i vecantë.
Pa asnjë kompleks ndaj të shkuarës, pa asnjë dilemë drejt të ardhmes europiane, do t’i shprehim të lira emocionet dhe mendimet, ndërsa historinë do ta shkruajnë më mirë shqiptarët mendjehapur të brezit tjetër.
Ripërdorimi për qëllime kulturore i hapësirave të së shkuares, kujtesa jonë pa ngarkesa dhe pa manipulime, si dhe përkthimi artistik i saj u shërben atyre.
Kur Migjeni thoshte “si s’kam një grusht të fortë malit që s’bzan në zemër me ia ngjesh”, me hapjen e kësaj ekspozitë ia kemi ngjesh malit me grushtin e artit.
Website: www.bunkart.al
Photo: on.fb.me/1ziRzj1 dhe on.fb.me/11q6Y61
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.