Po e filloj fjalën duke falenderuar Ministrin Steinmeier jo se më detyron protokolli, por sepse ai pati këtë ide, ndryshe nga të tjerat, për të ftuar Ministrat e Kulturës, ndërkohë që vetë është Ministër i Jashtëm.
Për të qenë e sinqertë me ju, kjo ide, jo si të tjerat, më bëri t’a pranoj me kënaqësi zhvendosjen nga Tirana në Berlin të mbledhjes së nëntorit për Traduki-n.
Në perceptimin kolektiv, posti i Ministrit të kulturës konsiderohet “i lehtë”. Një klishe kjo, më korigjoni nëse jam gabim, që është e njëjtë për të gjithë ministrat e kulturës në të gjitha vendet.
E pra, po jua pohoj, dhe sërish ju ftoj të më korrigjoni, se na ndjek një paradoks: sepse sa më shumë probleme ekonomike ka një vend, aq më e vështirë bëhet detyra e ministrit të kulturës. Dhe është pikërisht momenti i duhur për të kuptuar që roli i Kulturës bëhet jashtëzakonisht i rëndësishëm kur pranojmë faktin që kultura nuk është një luks që ia lejojmë vetes pasi kemi zgjidhur të gjitha problemet sociale.
Përkundrazi, bëhet fjalë për një element qendror të përjashtimit shoqëror, sepse janë barrierat kulturore, injoranca , turpi dhe pasiguria e përgjithshme që pengojnë pjesëmarrjen politike dhe sociale dhe që prekin vlerat më elementare të ekzistencës.
Po ashtu, sa më e ndërlikuar është historia e një shoqërie, – se shoqëria është viktimë e historisë , apo se shoqëria vetë bën gabime duke e ndërlikuar jetën e saj, – aq më shumë bëhet i rëndësishëm roli i kulturës, si një rrugëdalje shpëtimi për shpirtrat që vuajnë.
Kultura është e vetmja hapësirë pa kufij ku mund të qarkullojmë lirisht pa pasur nevojë për lejekalim, ku në vend që të kundërshtojmë mund të dialogojmë edhe nëse nuk jemi dakort.
Prej këtu lind nevoja që të flasësh me Tjetrin. Të njohësh Tjetrin, do të thotë të fillosh t’a respektosh. Të respektosh do të thotë të tolerosh. Të tolerosh do të thotë të bashkëjetosh. Bashkëjtesa është një element kulture.
Të njohësh faktin që ke një kulturë, do të thotë që njeh kulturën e tjetrit, të të tjerëve, sepse nuk ka një kulturë universale, por një shumësi, të cilat njohin njera-tjetrën me tolerancë, ose në të kundërt përjashtojnë njera-tjetrën me dhunë.
Por ka gjithmonë alternativa përkundrejt dhunës. Është fjala… dhe fjala përmes kulturës.
Nuk mendoj vetëm per dialogun e kulturave por mendoj më shumë për kulturën e dialogut. Dhe kjo tryezë është një provë. Ne të gjithë, të gjithë këtu rrotull, nga Shqipëria, Kroacia, Serbia, Rumania, jemi prova e saj.
Është një kulturë që duhet ta zhvillojmë së pari brenda vetes, shoqërive tona, përpara se ta kërkojmë nga të tjerët.
Është një rast i veçantë që ndodhemi rreth kësaj tryeze, me përvoja të ndryshme por me histori të përbashkëta, me kufij të dallueshëm, por me kultura që këndojnë këngë të ngjashme. Pra, kur flasim duhet t’i drejtohemi vetes më shumë se të tjerëve. Përpara se të identifikojmë tjetrin pranë nesh, duhet t’i drejtohemi tjetrit brenda nesh. T’a gjejmë dhe t’a pranojmë, është diçka që i bën mirë individit dhe shoqërisë.
Kapërcimi i kufijve gjeografikë, midis disiplinave dhe diskutimeve, bëhet i mundur vetëm nëse ai apo ajo që udhëton ia dalin të zhvendosin kufijtë e brendshëm. ” Po udhëtoj brenda vetes” thoshte Julia Kristeva, filozofja e shquar bullgare. Vetëm në këto kushte idetë ngrihen mbi dëshpërimin dhe ta kuptosh këtë nuk është e pamundur.
Dhe Europa nuk duhet të frikësohet nga vendet që dalin nga histori të trazuara si ajo e vendit tim.
Ekziston një Europe që ka frikë, sidomos në periudha vështirësish ekonomike. Do doja t’i thoja Europës që druhet të mos frikësohet nga vendet e reja që afrohen sepse nuk janë të rinj, përkundrazi janë, nga ana kulturore, po aq të vjetër sa vendet që krijuan Europën e bashkuar.
Kjo ndodh se Europa e frikës nuk na njeh, ose na njeh keq, vetëm përmes ca episodeve të rëndomtë që fatkeqsisht zenë faqet e para të gazetave, dhe kur bëhet fjala për gazeta aspak të rëndomta.
Duam t’i paraqesim Evropës së frikës kulturat tona, sepse Evropa ka nevojë për ne për të pasuruar diversitetin e saj kulturor, gjë që ndodh tashmë me artistët tanë më të mirë që kanë hyrë në Europë dhe performojnë në skenat e saj. Po ashtu dhe ne kemi nevojë për Europën e bashkuar. Vendimet vonojnë nganjëherë, por kjo nuk më shqetëson sepse kultura nuk ka nevojë domosdoshmërisht për vendime politike për të qenë evropiane.
Aftësia kryesore e kulturës është pushteti për të influencuar sistemet e pushtetit , përfshi këtu dhe sistemet antidemokratike. E di për çfarë po flas sepse kam jetuar gjysmën e jetës në një nga diktaturat më të egra në botë, dhe është falë burimeve të fshehura të kulturës që ia dolëm pa e humbur forcën dhe shpresën.
Pa kulturë nuk ka zhvillim – e kuptojmë kur shkëmbejmë ide për çështjet kulturore dhe kur tema është e përqëndruar te kultura.
Por kur lista e preokupimeve zgjatet, komunikimi ndryshon gjuhë dhe kultura del nga skena e debatit për t’ia lenë vendin kryesor vetëm ekonomisë, si shtylla që çon përpara shoqëritë njerëzore.
Atëherë kemi nevojë që shoqëria të ecë më shpejt. Por ajo nuk mund ta bëjë e vetme. Duhet ta përgatisim, duhet të zgjojmë të gjithë elementët që bëjnë që njerëzit e një vendi të marrin pjesë në mënyrë aktive në vendimmarrje. Masat administrative nuk mjaftojnë. Duhet t’i prekim me emocionet e tyre, historitë e tyre, vlerat e tyre kulturore, të shkuarën dhe të ardhmen e tyre.
Në fushën e kulturës, burrat dhe gratë nuk janë spektatorë pasivë të një akti kulturor, ata marrin pjesë me mënyrën si reagojnë apo në rastin më të keq, nuk reagojnë.
Dhe kjo nuk është çështja e një dite, as e një muaji. Si ministër kulture jam e bindur se kultura duhet të luajë një rol të rëndësishëm në edukimin e popullsisë.
Para 24 vitesh shoqëria shqiptare ishte një shoqëri e mbyllur tërësisht në diktaturë. Dalja prej saj ishte një çlirim i plotë, por aspak i lehtë. Të lije pas modelin ku shteti mendonte për gjithçka duke i mohuar individit të drejtën për çdo lloj iniciative, madje dhe atë për të menduar, ka pasur pasoja për mënyrën e qëndrimit dhe të marrëdhënieve që vendosen mes shoqerisë dhe vlerave të përbashkëta. Liria nuk është e thjeshtë për t’u menaxhuar. Është diçka që duhet mësuar.
Kultura luan një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në përpunimin e mendjes, me qëllim që ta hapë mendjen drejt botës, për t’a bërë të lirë dhe të çliruar. Vetëm me këtë kusht mund të rikrijojmë të ardhmen e kontinentit tonë pa pengesa duke respektuar kufijtë e vendeve.
Nuk është vonë për institucionet tona kulturore që t’a kapin këtë mundësi dhe t’a transformojnë në një terren për eksperimente ku idetë e reja mund të testohen pa kushte , duke lehtësuar kapërcimin e kufijve tanë.
Nëse keto institucione do të jenë të paafta të shndërrohen në terrene eksperimentesh, qytetarët do të humbasin një lidhje të rëndësishme me artin dhe trashëgiminë kulturore dhe nuk do të kenë mundësi që t’a rindërtojnë. Dhe ne duhet ta rindërtojmë. Për sa kohë eksperienca demokratike na e mundëson, nuk duhet të rreshtim së krijuari dhe rikrijuari artin, rishkruar historinë, dhe duke i shtuar perspektiva të reja trashëgimisë.
Zonja dhe zotërinj, ju mbase nuk e njihni Shqiperinë ose e njihni shumë pak.
Ju ftoj të vini në Shqipëri dhe ta njihni, do të gjeni gjithçka : njerëzit dhe ngjyrat, detin dhe malin, çmenduritë dhe urtesitë, buzëqeshjen dhe forcën.
Jo gjthçka është rozë .
Shqipëria ka njohur errësirën, e megjithatë është gjithmonë e re dhe tërheqëse.
Ajo kërkon të integrohet në Evropë dhe do ia dalë se ka aftësitë, pikërisht se është e re, dhe të gjithë kemi nevojë për energji. Evropa ka nevojë për energji, sidomos Evropa që ka frikë. Evropa që ka frikë e ka të vështirë të vijë në Shqipëri. Por ju siguroj, nëse pyesni ata që kanë ardhur në Shqipëri e kanë pasur të gjithë më të vështirë të largohen prej saj.
Për t’aprovuar këtë ia vlen t’a bëni një përpjekje. Ju pres në Shqipëri për mbledhjen e ardhshme të Tradukit në pranverën e ardhshme.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.