Fjala e ministres së kulturës, Mirela Kumbaro në ekspozitën: "Demokracia në epokën e ekstremeve. Fasha drite mbi historinë e Evropës së shekullit XX”. - Ministria e Kulturës
Postuar më: 14/10/2014

Fjala e ministres së kulturës, Mirela Kumbaro në ekspozitën: “Demokracia në epokën e ekstremeve. Fasha drite mbi historinë e Evropës së shekullit XX”.

Ekspozita që përurojmë sot, është një ekspozitë historike e një shekulli që pa, jetoi, vuajti e gëzoi gjithçka: Katastrofat, epokën e artë, dhe shembjet e mëdha.
Unë kurrësesi nuk do i lejoj vetes të flas për historinë, sepse nuk jam historiane në profesion por edhe sepse nuk është e nuk duhet të jetë detyrë e politikës të shkruajë historinë.
Ne, shqiptarët, më shumë se shumë të tjerë, kemi nevojë t’ia përsërisim vetes se më në fund ka ardhur dita t’ua lëmë historianëve dhe kohës ta shkruajë historinë. Dhe për këtë jam e bindur.
Po siç jam e bindur se kthimi dhe rikthimi te faktet historike, përpjekja didaktike për t’i treguar e shpjeguar ato, për t’ia sjellë në vëmendje brezit të ri është shumë i rëndësishëm dhe nuk është vetëm detyrë e shkollës, por edhe e institucioneve kulturore që duhet të flasin përmes profesionistëve dhe jo përmes politikës, e ca më keq kur kjo e fundit e instrumentalizon dhe keqpërdor historinë.
Prandaj një ekspozitë si kjo që flet përmes imazheve, fakteve, datave, përmes krahasimit të luftrave, të vendeve, të sistemeve, e gjej shumë të dobishme dhe që na bën të mendojmë.
Ajo nuk flet për Shqipërinë, por shqiptarët mund t’i flasin asaj duke kërkuar veten përmes krahasimit dhe duke reflektuar. Është e sigurt se gjithkush gjen një fakt a një ngjarje që e ngacmon.
Natyrisht e kemi gjithmonë më të lehtë të flasim e të bëjmë teori për ato periudha ku dëshmitarët e gjallë e për pasojë edhe emocionet e dhimbjet kanë vdekur. Kjo shpjegon faktin pse tekstet më të mira të historisë së luftës së parë botërore po shkruhen në 20-30 vitet e fundit.
Por, personalisht, nuk mund të mos reflektoj për atë që brezi im ka jetuar, diktaturën.
Duke shfletuar këtë pjesë të ekspozitës, nuk mund të mos kujtoj se edhe në atë që quhej blloku lindor Shqipëria nuk është. Nuk është dhe nuk mund të jetë, sepse Shqipëria jetoi versionin më të egër dhe më të gjatë të totalitarizmit të pasluftës së II botërore.
Edhe brenda diktaturës, Shqipëria ishte në margjinat e saj. Dhe ajo diktaturë shënjoi jetët tona private dhe jetën tonë publike. Ne jemi pjesë e atij shekulli dhe ai është pjesë e jona.
Si përkthyese e Kunderës në shqip kam kohë që reflektoj mbi këtë temë dhe ndërsa Shqipëria nuk jetoi as Pranverë Prage, as Revolucion të Mëndafshtë, as Perestroike, Kundera tek flet për bllokun komunist thoshte:

“Sado e llahtarshme të jetë, një diktaturë fashiste zhduket me diktatorin e vet, aq sa njerëzit nuk e humbasin shpresën. Komunizmi, përkundrazi, që ushqehet nga qytetërimi i stërmadh rus, për një Poloni a për një Hungari (për të mos folur për Estoninë!) është një tunel pa dalje. Diktatorët vdesin një ditë, Rusia është e përjetshme. Fatkeqësia e vendeve prej nga vijmë qëndron te mungesa e plotë e shpresës.”

Mund të buzëqeshim sot në shekullin XXI kur e lamë pas atë tjetrin.
Sepse shpresën po e ndërtojmë, po e shohim, po i afrohemi, e quajnë Europa e bashkuar, e paimagjinuar në ekstremet e shekullit tjetër.
Gjithsesi e shkuara është e pashkatërrueshme, më mirë ta përballim, por mendje të hapur. Na bën mirë.
Brezi im është prova se mund t’i mbijetojmë diktaturave, ndonëse nuk është e lehtë t’i hedhim tutje, se ato përpiqen të gjallojnë në mendjet e mykura ende aktive.
Por siç thotë Eric Hobsbaëm në librin e tij “Epoka e ekstremeve
“Dija, shkenca dhe kultura do të jetë shpresa e vërtetë për të përmirësuar të ardhmen”.
Po përpiqemi ta bëjmë çdo ditë!

13 tetor 2014, Muzeu Historik Kombëtar.