Për Bashkërendimin e Punës në lidhje me Organizimin e Aktiviteteve lidhur me vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri, në datën 21 Shtator 2014 - Ministria e Kulturës
Postuar më: 20/09/2014

Për Bashkërendimin e Punës në lidhje me Organizimin e Aktiviteteve lidhur me vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri, në datën 21 Shtator 2014

Jemi më pak se 24 orë nga ardhja e Papës – që ndalesën e parë do e ketë pikërisht këtu në këtë sallë të aeroportit e cila është rinovuar së fundmi edhe për të pritur Atin e Shenjtë, që vjen nesër, në përgjigje të ftesës personale të Kryeministrit Edi Rama.

Si çdo familje që kujdeset dhe bën disa përgatitje të veçanta për një mik të shtrenjtë, edhe qeveria shqiptare, shteti shqiptar, në keto dy muaj, u mobilizua, u organizua për të pritur Mikun e shtrenjtë, dhe të gjithë miqtë e tjerë që vijnë për këtë ngjarje me përmasa botërore.

Pohoj që nuk ka qenë e lehtë që në një kohë kaq të shkurtër të realizonim gjithë objektivat e projektet tona, jo sepse nuk dimë a nuk mundemi, por sepse nuk mendonim që kjo  ngjarje të reduktohej veç në protokollin e një ditë, por në ngjarjen e kësaj vjeshte e të këtij viti:

për Tiranën, për Shqipërinë, për shqiptarët, për rajonin, ngjarje me shumë dimensione: kulturore, shpirtërore, sociale dhe historike; por edhe për të përkthyer dy mesazhet që Papa ka përcjellë për vizitën e tij në Shqipëri:   – Në kujtim të vuajtjeve të këtij populli të cilit iu hoq barbarisht për dyzet vjet e drejta e lirisë së mendimit dhe e lirisë së besimit; – Për të përshëndetur këtë vend i cili diversitetin e tij ndërfetar e jetoi dhe e jeton paqësisht pa prodhuar konflikt, duke dhënë me këtë një shëmbull të shkëlqyer se mund të jemi ndryshe duke qenë bashkë.

Kjo ishte arsyeja pse përshpejtuam punimet rehabilituese në disa zona, siç është Sheshi Nënë Tereza dhe zona përreth, Pallati i Kongreseve, Muzeu Historik, Aeroporti;

Kjo ishte arsyeja pse ndërtuam një kalendar shumë të pasur kulturor i cili u shtri jashtë kryeqytetit dhe vazhon përtej datës 21 shtator.

Sot kthejmë kokën pas në këto javë pune intensive, dhe me cilësinë e Kryetares së Komisionit të shtetit për organizimin e kësaj vizite, nuk mund të mos falenderoj për bashkëpunimin shëmbullor, të gjithë ata që kontribuan dhe vazhdojnë ende të punojnë me intensitet me qëllim që çdo gjë të shkojë me sukses të sigurt deri në minutën e fundit:

  • Ministrinë e Kulturës dhe gjithë stafin e palodhur të saj që ka qenë  dhe janë 24 orë në shërbim
  • Ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati me të cilin kemi organizuar bashkë çdo hap,

dua të falenderoj

Protokollin e shtetit;

  • Të gjithë anetarët e Komisionit shtetëror për organizimin e vizitës së papës:
  • Përfaqësuesit e grupeve parlamentare, deputetët, qoftë dhe për mbështetjen dhe inkurajimin,
  • – Bashkinë e Tiranës për bashkëpunimin dhe komunikimin ne interes të përbashkët të vendit dhe popullit shqiptar si dhe për realizimin e disa prej angazhimeve tona reciproke,

duke treguar kështu së Shqiperia ka potencial për t’u marrë vesh edhe kur jemi në kampe të ndryshme.

Dua te falenderoj posaçerisht:

  • Kabinetin e Kryeministrit që është pjesë e pandarë e Komisionit dhe bashkëudhetar në çdo etapë, e në çdo orë.
  • Ministrinë e Brendshme dhe ministrin Tahiri
  • Gardën e Republikës për profesionalizmin e saj,
  • Policinë e shtetit për gatishmërinë e parreshtur,
  • Ministrinë e shëndetësisë për mbështetjen e organizuar që do të ofrojë nesër për kujdesjen shëndetësore të pjesëmarrësve në meshë.
  • Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, për të gjithë informacionin e përgatitur për vizitorët e Shqipërisë në këtë ditë të madhe.

gjithashtu:
Bashkinë e Shkodrës, Lezhës, Durrësit dhe Rubikut me të cilat organizuam një pjesë të mirë dhe të rëndësishme të kalendarit tonë kulturor “në pritje të papës”

Më lejoni të shpreh mirënjohje veçanërisht për Kishën Katolike shqiptare me të cilën kemi ndarë në këto javë veshtirësitë dhe arritjet dhe kemi qenë plotësisht të koordinuar për kapercyer çdo veshtirësi, Nunciaturën e Vatikanit dhe Protokollin e shtetit të Vatikanit për të dakordësuar çdo element.

Një falenderim me gjithë zemër shkon për të gjithë përfaqësuesit e komuniteteve fetare, dhe krerët e tyre: Komunitetin Mysliman, Kishën Ortodokse dhe Komunietin Bektashi, për bashkëpunimin, komunikimin, mbështetjen dhe kontributin e tyre esencial në ndërtimin e kësaj fryme të një harmonie reale

Kjo frymë bashkëpunimi ndërfetar me Komunitetet kulmon sot me hapjen e një ekspozite krejt të veçantë, organizuar nga Ministria e Kulturës, dhe që titullohet “Besim”, e që nën kujdesin e Kryeministrit Edi Rama përurohet sot në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Ekspozitë që do të jetë e hapur gjatë gjithë muajit tetor dhe si Ministre e kulturës ju ftoj ta vizitoni, sepse ka edhe emocion edhe mendim! Besoj se për të dyja kemi shumë nevojë!

Për orët në vijim do t’ju bëja ftesë të gjithë qytetarëve që do të jenë në Tiranën e Meshës së shenjtë të ditës së nesërme, dhe që do të jenë të shumtë, të dëshmojnë atë bashkejetesë fetare për të cilën lëvdohemi.

Po kështu i bëj thirrje të gjithë qytetarëve, këmbësorë dhe drejtuesve të mjeteve, të ndjekin me vëmendje të gjitha udhëzimet që kemi shpërndarë në media dhe rrjetet sociale, lidhur me lëvizjet dhe kufizimet e lëvizjeve, me pikat e shërbimit, me itineraret e përcaktuara; stafet tona të angazhuara, policia e shtetit dhe vullnëtaret që ndihmojnë ne organizim, do te jenë pranë jush, me shenja dalluese për t’ju orientuar, por kërkojmë dhe bashkëpunimin e gjithësecilit, për mirëkuptim, durim, dhe buzëqeshje.

Vizita e atit të shenjtë është një ngjarje e rrallë, jo vetëm për botën katolike, por për botën mbarë. Dhe Shqipëria do të di ta justifikojë se e meriton të jetë në qendër të vemendjes së botës.

Jo më kot lashë në fund një mirënjohje shumë të veçantë:

Kjo është për ju! për mediat, që na kanë shoqëruar në çdo hap, duke pasqyruar punën, vështirësitë dhe arritjet tona që janë edhe tuajat, që kanë informuar publikun për gjithçka! dhe do të jenë me ne edhe në vazhdim.

Faleminderit me BESIM