Fjala e Ministres Kumbaro në Koncertin "Një Udhëtim drejt Evropës" për marrjen e Presidencës italiane të Këshillit të Bashkimit Evropian - Ministria e Kulturës
Postuar më: 02/07/2014

Fjala e Ministres Kumbaro në Koncertin “Një Udhëtim drejt Evropës” për marrjen e Presidencës italiane të Këshillit të Bashkimit Evropian

Të dashur miq,

Unë kam lindur në një kohë kur Italia nuk ishte thjesht bregu përballë, por horizonti i paarritshëm.

Madje më keq. Ishte përfytyrimi i mundimshëm i botës tjetër të cilës jo vetëm s’i përkisnim por e pikasnim të deformuar nën zhgarrivanat e televizorëve Adriatik, një markë, që në vend të na i hapte kufirin detar na i mbyllte më keq.

E megjithatë Adriatiku ishte e vetmja gjë që brezi im mund të ndante me portën e Evropës, atë Evropë që sot e duam ta kemi. Ta kemi sepse jemi.

E kaluam atë det me gjak, me not, me anije, edhe me plagët tona sociale, por pastaj e kapërcyem me shkollim, me dije, me ekonomi por edhe me art e kulturë.

Adriatiku sot është deti qv na kushton veç një hap, për të ndarë përvojat, në të dy kahjet, për të investuar e punuar si italianë në Shqipëri, ose për të fituar e pushtuar skena si shqiptarë në Itali.

Kështu e nisi brezi ynë sfidën europiane të demokracisë, duke u përpjekur t’i zgjasnim jetën jetëve të humbura nën diktaturë të prindërve tanë nga njëra anë, e duke thërrmuar kafshatat e fundit të diktaturës që gjallon në mendjet – ende aktive – të shoqërisë e që s’ishte e lehtë t’i rrëzonim, madje që përpiqen akoma të godasin, prej dëshpërimit të humbjes pa kthim.

Pak ditë më parë Shqipëria tregoi se falë energjive shumëvjeçare të njerëzve të saj të rinj në mendje, ja doli të hyjë në një tjetër etapë, pa asnjë dyshim edhe më e vështirë.

Por e rëndësishme është se në këtë sfidë nuk jemi vetëm, sikurse nuk ishim vetëm deri dje. Dy detet që lagin Shqipërinë, nuk ndajnë më. Ata bashkojnë.

Siç na bashkoi dhe na bashkon deti Jon me Greqinë, vendin mik që na shoqëroi në hapat e fundit për të mbërritur në këtë stacion të statusit të vendit kandidat, ashtu dhe deti Adriatik na bashkon me Italinë në hapat e parv, e dimë, jo të lehtë, drejt njv sfide të re.

Sot jemi këtu, për një Shqipëri më të bukur, jo vetëm europiane, por për një Shqipëri të të gjithë shqiptarëve dhe jo shqiptarëve, për një Shqipëri të njerëzve mendjehapur dhe gjithëpërfshirës, për Shqipërinë si një hapësirë ku çdokush, – si shumëkush në Evropë,-  mund dhe duhet të jetojë, fitojë, përparojë, falë vullentit, punës dhe talentit të vet, por edhe ku do të gjejë mbështetjen e shtetit dhe solidaritetin njerëzor pa ndarje e pa paragjykim.

Kjo është Shqipëria e brezit tjetër!

Dje, brezi tjetër në Shqipëri, hyri në stacionin e ri evropian, me këmbën e kulturës, duke e shënjuar këtë me marrëveshjen e re kulturore me Komisionin Evropian, “Evropa krijuese”, që Presidenti Barroso i dorëzoi kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama.

Sot, brezi tjetër, falë orekstrës rinore italo-shqiptare, ju fton në këtë sallë, në urën që ngre në të dy anët e detit, për të na folur një gjuhë të përbashkët, atë të kulturës. Sot ata janë orkestër rinore, nesër, shumë shpejt, do të jenë orkestra e Teatrit dhe bashkë me kolegët italiane e jo vetëm, do të forcojnë këtë urë që ne kemi hedhur.

Sikur ta bëja Evropën sërish, do e nisja nga kultura, – më pëlqen të përsëris thënien e Jean Monet, një ndër themeluesit e ngrehinës evropiane, para se të ndahej nga kjo botë ndërsa bënte bilancin e veprës së tij evropiane.

Jean Monet e tha. Shqipëria e brezit tjetër po e bën realitet.
Dhe nëse keni dëshirë të duarotrokisni sonte, bëjeni për këta të rinj tani!
Mbrëmje të këndshme!