9 maj 2014 – Teatri i Operas dhe Baletit.
Europa nuk do të ndërtohet në një ditë, i tha Robert Shuman ministri i punëve të jashtme të Francës, Kancelarit gjerman
Konrad Adenauer, kur donte ta bindte për solidaritet, dy ditë para se të shpallin projektin që do t’i jepte jetë Europës së Bashkuar.
Është mbrëmje, Zoti Kancelar, qeveria franceze do ta bëjë publike projektin e saj, dhe shpresoj shumë që qeveria gjermane do të bashkohet me ne.
Deri në atë datë ju lutem ruajeni të fshehtë këtë letër personale.
7 vjet më vonë, do të lindte Angjelin Preljocaj, ngjizur fshehtaz, diku midis maleve të Shqipërisë, përmes ish-Jugosllavisë, për të parë dritën e diellit në Francë, ndërkohë që ëndrra europiane kishte hedhur tashmë hapat e para në zemër të kontinentit, sepse në Shqipëri diellin e lirisë e kishin ndrydhur egër.
Në vitin 1994 Angjelini u kthye me trupën e tij të baletit, për të parën herë në vendin ku nuk do të ishte bërë balerin, dhe ku ishte hapur qielli i lirisë, por që ende thërriste ” E duam Shqipërinë si gjithë Europën”
20 vjet më pas Angjelini rikthehet për trupën e baletit të Teatrit shqiptar, me balerinët e tij, për një skenar europian. Ata nuk dallojnë nga njeri tjetri, sepse luajnë të njëjtën koreografi, me të njëjtën muzikë dhe me të njëjtat rrahje zemre. Sepse kultura u jep atyre mundësinë të jenë të gjithë europianë.
Është mbrëmje, Zonja dhe Zotërinj Ambasadorë, qeveria shqiptare jo vetëm e ka bërë publike projektin e saj europian të filluar e mbështetur qysh herët nga të gjithë shqiptarët, por Shqipëria është sot shumë afër Europës, po aq afër sa dhe balerinët shqiptarë, Angjelini, si dhe shumë shqiptarë të tjerë të suksesshëm të kulturës, janë dëshmia më e mirë e këtij integrimi.
Prandaj kam besim se të gjitha qeveritë tuaja do të bashkohen me ne në projektin europian të Shqipërisë.
Dhe bash për këtë, mos e mbani të fshehtë këtë gjë! Por tregojeni në vendet tuaja!
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.