Kjo foltore krijon, padyshim, një emocion të veçantë, sidomos kur gjendesh përballë zonjave të cilat kanë njohur të gjitha sfidat dhe përplasjet me politikën, me paragjykimet e shoqërisë, me prapaskenat elektorale, me xhelozitë e kolegëve dhe të kolegeve, me vështirësitë e terrenit, me ambiciet e konkurrencës, me përgjegjësinë përballë zgjedhësve, me dilemën e fitores, me barrën për vendimmarrje.
Sot është 8 mars, dhe një rast që ju, ne, të ndajmë bashkë këto sfida.
Ndihem e nderuar që ftohem të them dy fjalë përballë zonjave që kanë kaluar në të gjitha dallgët që ceka më parë. Dhe bash për këtë unë përulem me nderim para jush.
Sot është 8 mars.
Që të jem e sinqertë deri në fund, 8 marsi dhe une s’kemi patur ndonjëherë marrëdhënie të mira. Pse? – do të thoni ju. Nuk e kam pranuar dot karakterin festiv që ka marrë përgjithësisht 8 marsi në Shqipëri, ku gratë urojnë gratë, burrat bëjnë sikur lëshojnë diçka nga pushteti i tyre, bash këtë ditë.
Sot nuk mund të injoroj ato çfarë kam thënë deri para një viti dhe për këtë kërkoj lejen tuaj të citoj një fragment nga një shkrim botuar për njërin nga 8 marset e radhës:
“Në 8 mars, gratë të çliruara nga kornizat zyrtare dhe familjare brenda të cilave kalojnë 364 ditë të vitit, u drejtohen lokaleve për të festuar. Por për të festuar çfarë? Rraskapitjen e 364 ditëve të tjera të vitit, apo dhunën që shpesh u bëhet shoqja më e ngushtë? Megjithatë, ato festojnë sepse kanë nevojë të çlirohen, të paktën një ditë.
Por festa nuk e zbut dhunën dhe diskriminim, thjesht i bën ato ta harrojnë për pak.”
Po kështu, për të qenë besnike e vetes, më lejoni të citoj një tjetër copëz shkrimi pas historisë së tmerrshme të Baldushkut 2-3 vjet më parë kur gruaja vrau burrin dhe e varrosi bashkë më bijën e saj 12- vjeçare, ju kujtohet besoj. Të nesërmen e asaj dite kam shkruar:
“Vajzës së vogël nuk i lëvizte as qerpiku kur tregonte skenën makabre të vrasjes së të atit prej nënës. Nuk i munguan fjalët për të treguar dhunën “me thikën në fyt”, që ai kishte ushtruar prej vitesh mbi të, mbi vëllezërit, motrat e mbi vetë nënën dhe që ajo kurrë s’e kishte kuptuar.
Aq sa dukej se më shumë ishte çliruar nga hapja me duart e veta të varrit të të atit (“Më shumë e hapa unë se mami nuk kishte fuqi” – e si mund të kishte!) sesa ishte tmerruar nga gjaku i përhapur mbi shpinën e gomarit me të cilin kishte transportuar kufomën bashkë me gruan vrastare. Ajo nuk e dinte se po ilustronte kështu thënien e mbarëprovuar : “Më mirë një fund i tmerrshëm se sa një tmerr pa fund”.
Dhe që ky tmerr të marrë fund duhet që çdo ditë të vitit shoqëria shqiptare të fitojë një betejë shumë të madhe: betejën kundër padijes.
E kam shprehur shumë herë në vite qëndrimin tim, dhe fakti që sot më jepet mundësia të ngjitem në këtë foltore jo thjesht si grua, por si një grua me një përgjegjësi shumë të madhe para publikut, nuk ma ndryshon qasjen, por vetëm ma rrit përgjegjësinë dhe ma forcon bindjen se jemi ende larg asaj që do të quhej shoqëri e emancipuar.
Sepse besoj fort që pozita e femrës në shoqëri nuk është një problem grash dhe as thjesht një ndërgjegjësim burrash, por është çështje e emancipimit të të gjithë shoqërisë.
Dhe emancipimi vjen përmes edukimit dhe kulturimit të të gjithëve, burra dhe gra, të vegjël e të rritur. Kjo kërkon kohë, kërkon durim, por është një investim afatgjatë dhe që meriton çdo sakrificë.
Rruga e edukimit, e kulturimit, e fjalës në kuptimin biblik të saj, është ajo që do të garantojë shanse më të mira për gruan dhe jo vetëm për të.
Masat e tjera kanë vetëm efekt të përkohshëm. Nuk jam kundër, por – e di që kjo që do të them nuk tingëllon korrekt politikisht – personalisht e kam të vështirë të besoj tek efikasiteti i kuotave gjinore, si një instrument mrekullibërës që nuk është.
Besoj më shumë te forca e edukimit, e shkollës, e fjalës dhe e aksionit të secilës prej jush, dhe te mendjet e hapura.
Mirela kumbaro Furxhi
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.