Fjala e Ministres Kumbaro në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Librit - Ministria e Kulturës
Postuar më: 08/03/2014

Fjala e Ministres Kumbaro në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Librit

Ka gati më shumë se dy vjet që Këshilli kombëtar i librit nuk është mbledhur.
Kjo do të thotë si organ këshillimor që është, jo vetëm që s’është respektuar ligji pasi një këshill i tillë parashikohet në ligj, por edhe s’ia kanë parë nevojën. Ndonëse jo vendimmarrës, unë besoj se çdo ministër ka nevojë por edhe detyrë të këshillohet e të shkëmbejë mendime me komunitetin e fushave me të cilat lidhen vendimarrjet e ministrisë.

Nga ana tjetër, duket se edhe komuniteti i librit nuk ka pasur nevojë as të japë dhe as të marrë shumë opinione me ministrinë. Sipas nesh kjo do të thotë se, në një farë mënyre, bota e librit e përbërë nga botues e shpërndarës, krijues dhe lexues, është rregulluar vetë, çka është krejt normale, në bazë të kërkesës dhe ofertës.

Kjo do të thotë gjithashtu se, ndryshe nga disa fusha të tjera, botimet kane qenë për mua ndër sektorët kulturorë më revolucionarë, më mendje hapur, duke kapërcyer me sukses fazën e parë të zhvillimit të vitit 1990, ku më shumë sesa botime të mirëfillta profesionale kishim një kaos publikimesh pa rend, pa kronologji, pa rryma, pa koherencë, në rendje për të kapur kohën tmerrësisht të humbur, çka na servirte në tabakanë e letërsisë më të mirë tekste për interpretime ëndrrash si shpresë për t’u çliruar nga makthet e diktaturës, ose librat e ndaluara për psherëtimat tona.

Pas kësaj faze ku të gjithë provuam veten në gjithçka, vitet 2000 nxorrën në pah:
– libra të mirë; koncepte për të drejtën e autorit, madje edhe debatin për shkeljen e kësaj të drejte që për mua, në vetëvete është mjaft emancipues;
– nevojën për librari dinjitoze, ende shumë të pamjaftueshme dhe sidomos jo të shtrira gjeografikisht;
– modelin e botuesve profesionistë, me botime cilësore, me kolana serioze, me profile të dallueshme çka i bën ata të jenë krejt konkurues në një treg rajonal dhe ndërkombëtar.
Nuk duhet harruar që këto vite krijuan edhe një figurë të re, atë të botuesve të vegjël, por dinjitozë e të guximshëm, që nuk mbysin tregun, por që përpiqen të jenë elitarë në modestinë e tyre, duke ndërthurur botimet me aktivitetet promovuese dhe zbavitëse dhe duke luajtur një rol të vyer në zgjerimin e audiencave të lexuesit të ri.

Unë nuk kam për synim të bëj këtu analizën e  thelluar të botimeve dhe as të botuesve. Dhe këto që thashë i përmenda jo aq nga ndonjë analizë si ministre e kulturës, por më shumë si profesioniste e asaj fushe prej nga vij.

Nga ana tjetër, ajo çka ne kemi konstatuar në këto pak muaj në Ministrinë e re të Kulturës është mungesa e një politike ose prioriteti në fushën e librit si Ministri.

Kemi gjetur më shumë gjurmë të marrëdhënieve individuale, financime kërkesash po aq individuale, dhe disa produkte të shkëputura lehtësisht të harrueshme.

Duket se Ministria e ka larë veten duke mbështetur Panairin e nëntorit, pa ndonjë filozofi të veçantë dhe duke mbështetur në mënyrë preferenciale kërkesa botuesish aty-këtu që duken më shumë si qoka sesa si politika.

Nuk them asnjë çudi këtu se të gjithë e dini se kush ka patur mundësinë të trokasë në derën e ministrave ka gjetur pjesërisht ose plotësisht ujdinë për një financim.

Por edhe kështu, bota e librit nuk janë vetëm botuesit, por janë edhe krijuesit dhe sidomos lexuesit; këta të fundit nuk i gjejmë në asnjë nga politikat pararendëse, duke i konsideruar veç si pasoja të rastësishme të zinxhirit, ndërsa krijuesit si klientë të një sistemi çmimesh, që vetëm hierarki vlerash nuk krijuan ndonjëherë, në mos disa zarfa që ndheshin mes vedi  dhe kjo ishte arsyeja pse ne vendosëm ta prishim atë skemë. Sot nuk i kthehem sepse e kam bërë një herë pulikisht atë shpjegim.

Në politikën që duam të zhvillojmë, duam të krijojmë më shumë hapësira për të mbështetur krijuesit, ku pa më të voglin dyshim përfshijmë autorët njësoj si dhe përkthyesit.

Nuk besoj se krijuesit, mbështeten vetëm duke ndarë copa financimesh, që edhe kështu janë shumë të vogla.

Por duke krijuar terrene që ata të nxiten, të konkurojnë, të promovohen dhe sidomos të lexohen. Rritja dhe zgjerimi i audiencave të sotme dhe sidomos zhvillimi i politikave për të siguruar audiencat e nesërme është prioriteti ynë.
Duke promovuar mendimin krijues, debatin, edukatën e leximit, jo vetëm kryejmë detyrën tonë në politikat edukuese të publikut, por ndihmojmë edhe krijuesit sepse u shtojme lexuesit, por edhe botuesit sepse u shtojme klientët.

Kjo ka qenë arsyeja pse Ministria ka këmbëngulur që edhe në panairet e librit të mbështesë financiarisht autorët, debatet, promovimin e librit.

Kam parasysh këtu mbështetjen financiare te Ministrise në Panairin e nëntorit, ku ministria financoi, çmimet, punën e jurisë, konferencat, debatet dhe promovimet. Po kështu Ministria mbështet financiarisht stendën shqiptare në Panairin e Laipzigut javës që vjen, si dhe pjesëmarrjen e autorëve shqiptarë atje.

Dhe do të mbështesim çdo iniciativë dinjitoze që do të ndërmerret në këtë drejtim.

Kjo ka qenë edhe arsyeja pse Ministria e Kulturës negocoi dhe finalizoi dy marrëveshje të rëndësishme në 5 muaj:
– anëtarësimin e Shqiperisë në TRADUKI – një rrjet ky ku botuesit, krijuesit dhe promovuesit e letrave mund të konkurojnë, përfitojnë dhe integrohen në një skenë europiane dinjitoze;
– pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin e madh Creative Europe /Europa Krijuese ku mundësia për të financuar përkthimet letrare është mjaft e madhe.
Por ku sërish i vetmi kriter është cilësia, cilësia dhe vetëm cilësia.

Ministria e Kulturës ka marrë përsipër të paguajë kuotën për të dyja këto anëtarësime, çka i jep mundësinë të gjithë subjekteve shqiptare të përfitojnë nga fonde që i kalojnë ndjeshëm zarfat e vegjël të qokave të fshatit.

Në mbështetje të po kësaj filozofie, Drejtoria e Komunikimit përmes Fjalës dhe e Perkthimit, po përpunon edhe programe të tjera, si:
– krijimin e fondit për bibliotekat publike, për t’i ardhur në ndihmë bibliotekave të rretheve, lexuesve që s’janë vetëm në Tiranë, por edhe krijuesve dhe botuesve prej të cilëve do të blihen librat e këtij fondi;
– nxitjen e aktiviteteve të leximit, përmes kafeneve letrare dhe ndërthurjes së arteve të tjera me leximin, sidomos dedikuar fëmijëve dhe të rinjve.

Dhe këtu roli i institucioneve publike është shumë i madh. Kam parasysh këtu Bibliotekën Kombëtare që sipas mendimit tonë nuk e ka luajtur këtë rol siç duhet duke ndenjur në pozita pasive dhe duke iu përmbajtur më shumë profilit shkencor se sa atij kulturor, duke qenë më shumë një sportel për lexuesin klasik në ikje dhe aspak një atraksion për lexuesin më të madh në numër dhe që është lexuesi i së nesërmes.

Kjo kërkon një ndryshim rrënjësor të qasjes dhe aktivitetit të Bibliotekës Kombetare e cila, duam apo s’duam ne, në mungesë të rrjetit të bibliotekave publike, është kthyer në referencën qendrore të librit, dhe duam apo s’duam ne do ta luajë rolin e vet edukativ, promovues dhe gjallërues sepse nuk e kemi luksin t’i leme gjithe te rinjte nëper kafenetë e analfabetizmit.

Është detyrë e jona, t’i joshim, t’i edukojmë dhe t’i tërheqim, jo me sportelet e vjetëruara por me gjuhën dhe stilin e moshës së tyre. Deri më sot, këtë e kanë bërë shumë më mirë, iniciativat e lira por jo institucionet publike.

Unë nuk dua të monopolizoj as kohën dhe as fjalën. E di që mund te flasim me orë e me ditë.
Kjo është vetëm një tryezë e parë që jo pa qëllim nuk e kufizova vetëm në formulën e diktuar nga ligji i sotëm për Këshillin Kombëtar, por një sofër me të gjerë se kaq.

Do të më lejoni edhe dy gjëra:
– Ndaj opinionin tim me shumë prej jush me të cilët kam patur rastin të flas individualisht, që ligji aktual ka nevojë për përmirësim, që nga ndryshimi i detyrimit absurd per botuesit për të dorëzuar në bibliotekën e Kuvendit 5 kopje të çdo libri të botuar, e shumë gjëra të tjera, që meritojnë një tryezë më vete.

Do të doja gjithashtu të bëja publike propozimin për shpalljen e vitit 2014 si Viti i Jeronim De Radës, me rastin e 200 vjetorit të lindjes se tij. Kultura arbëreshe nuk ka qenë sa duhet në vëmendjen e merituar.
Ne kemi nisur një bashkëpunim shumë të mirë me komunitetin arbëresh, me universitarë e personalitete të kulturës arbëreshe.
Tashmë kemi marrë angazhimin që në bashkëpunim me ta dhe me Ministrinë e Kulturës së Kosovës të botojmë veprën e plotë të Jeronim De Radës, dhe të organizojmë një aktivitet promovues rinor rreth saj.

Në panairin e Laipzigut, Ministria e Kulturës mbështet dhe pjesëmarrjen e autorit arbëresh në stendën shqiptare, Mateo Mandala.

Propozoj krijimin e komitetit për mbarëvajtjen e aktiviteteve kushtuar këtij viti, i cili do të ketë detyrën t’i konceptojë dhe t’i ndjekë në bashkëpunim me të tjerë aktorë të kulturës.

Dhe tani nuk do të flas më, por do të mbaj shënim çfarë do të thoni ju.

Dhe gjithashtu do të kërkoj me përulje ndjesën tuaj sepse ndoshta do të më duhet të largohem pak më shpejt nga ç’e kisha përgatitur nga kjo sallë, për shkak të detyrimit të pranisë time në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit që po zhvillohet në të njëjtën kohë.

Faleminderit!

(foto: Erion Kovaçi)