Fjala e Ministres Kumbaro Furxhi në takimin: Kultura-Hapësira jonë e përbashkët - Ministria e Kulturës
Postuar më: 14/02/2014

Fjala e Ministres Kumbaro Furxhi në takimin: Kultura-Hapësira jonë e përbashkët

Pak muaj para se të merrja detyrën e ministres së kulturës, kur as nuk e mendoja se do të isha në këtë detyrë, në një reportazh pas kthimit nga një aktivitet multikulturor në Prishtinë, organizuar nga Qendra Multimedia, kam shkruar:

“Kapërcimi i kufijve gjeografikë e kulturorë bëhet i mundur vetëm nëse arrijmë të zhvendosim kufijtë tanë të brendshëm. Për të udhëtuar diku tjetër, na duhet së pari të udhëtojmë brenda vetes. Në thelb, ndryshimi i imazhit për tjetrin fillon nga ndryshimi i imazhit që kemi për veten.”

Tashmë, 9 muaj kanë kaluar qysh nga ai reportazh, dhe unë jo vetëm i mbetem atij mendimi, por them se jam me fat sot, që bashkë me ekipin e ri të Ministrisë së Kulturës që drejtoj, dhe në harmoni e koordinim të plotë me Minstrin Krasniqi e skuadrën e tij, takohemi këtu në Tiranë, në Galerinë e Arteve, në një hapësirë të përbashkët kulture, që mund të ishte e njëjtë në Tiranë, në Prishtinë, në Vlorë apo në Prizren, madje edhe përtej qyteteve e krahinave tona.
E në çdo rast ne jemi sot bashkë për të bërë një hap më përpara në njohjen tonë të ndërsjelltë, në lidhjet tona afektive, në takimin e ideve, në shkëmbimin e përvojave, por edhe në kuptimin e vetëvetes.

I nderuar Ministër Krasniqi, I dashur Memli,

Unë nuk mund ta harroj që ditën e parë të punës time si ministre e kulturës e kam nisur bash në Ministrinë e Kulturës në Prishtinë në 13 shtator të vitit të kaluar!
Sot, 13 shkurt unë ndjehem e nderuar, fort e nderuar, që pas takimit tonë të parë në shtator, pas bisedës së gjatë në nivel ministrash e kabinetesh ministrore në nëntor, pas mbledhjes së përbashkët të qeverive në Prizren, ja ku jemi bashkë, jo thjesht si politikanë, jo vetëm për deklarata, por për një vizion të përbashkët kulturor, për aksione tonat dhe nga ne, për publikun tonë këtu dhe atje, për njerëzit e artit e të kulturës gjithandej, për një hartë të përbashkët të trashëgimisë kulturore.

Të nderuar drejtues të institucioneve të kulturës e të artit, në Kosovë e në Shqipëri,
Të dashur kolegë!
Në këtë tryzë për kulturën, sot, besoj se unë dhe kolegu im Krasniqi, nuk jemi aktorët më të rëndësishëm. Ne sot morëm vetëm nismën që të jemi bashkë, për të organizuar dëshirat dhe planet tuaja në fushat e ndryshme të art-kulturës, por edhe për t’i mbështetur ato, në një qëllim të përbashkët:
– qarkullimin e vlerave tona dhe të prodhimeve tona kulturore
– rritjen e audiencave
– shkëmbimin e përvojave më të mira në menaxhimin e institucioneve të artit
– përafrimin e rregullave dhe ligjeve për të lehtësuar këtë komunikim kulturor
– krijimin e itinerareve të përbashkëta në trashëgimi

Është kjo një listë jo shterruese, të cilën ju ftoj ta plotësojmë sot së bashku, jo me propagandë, por me aksione,
jo me patetizëm gjoja patriotik, por me ngjarje kulturore skena e të cilave të jetë e hapur për këdo që ofron  në radhë të parë cilësi kulturore dhe dashuri për Njeriun,
jo me mbyllje në vija xhamadanësh populistë, jo me nacionalizma të sëmurë, por me mendje të hapur e larmi kulturore,
jo me thirrje e britma, por me këngën e gjeneratës tjetër!

Kultura është hapësira jonë e përbashkët, askush s’na i mbyll, askush s’na i kufizon. Sëbashku, ne marrim përsipër të gjenerojmë forca e burime të cilat do të jenë një pistë edhe më e sigurt dhe po aq e diversifikuar, drejt një rrugëtimi të përbashkët europian.