100 VJET `HYLLI I DRITES` - Ministria e Kulturës
Postuar më: 02/12/2013

100 VJET `HYLLI I DRITES`

Revista “Hylli i Dritës” lindi në nëntorin e vitit 1913 dhe u bë shprehësja kryesore e aspiratave të elitës shqiptare për pavarësi, demokraci e kulturë perëndimore. Kjo revistë ka në themel veprën e përkushtimin e paharrueshëm të françeskanëve shqiptarë ndër të cilët ndrin emri i Atë Gjergj Fishtës.

Që në editorialet e para, ai  u drejtohej bashkëkombësve “se kur flasim për ekzistencën e Shqipnisë na e nënkuptojmë gjithmonë si Shtet të qytetnuem dhe europian”.

Te historia e “Hyllit të Dritës” gjejmë të shprehura të gjitha shpresat dhe zhgënjimet, ulje-ngritjet shqiptare dhe shumëçka tjetër që ka lënë gjurmë të kundërtash përgjatë një shekulli.

Sot mund ta themi që te kjo revistë e konfirmuar si institucion kulturor, shqiptarët kanë shprehur maksimumin e energjive të veta mendore, si asnjëherë tjetër, si askund tjetër.

“Hylli” vuri bazat për një sërë studimesh, si ato albanologjike, letrare, etnografike, folklorike, pedagogjike e nxorri në pah gjithë atë pasuri shpirtërore që kishte mbetur e pacenuar nga nata otomane.

Ne sot shohim të mrekulluar sesi në faqet e “Hyllit” të kësaj kohe përfshihen emrat më të spikatur të mendimit shqiptar – shkrimtarë, filozof e kulturologë si Harapi, Prenushi, Shllaku, Çabej, Marlaskaj, Palaj, Kurti, Dodaj, Sirdani, Rrota, Bardhi, Dema, Gazulli, Gegaj, Gjoka, Alkaj, Gjeçi, Dema e shumë të tjerë, të cilët u përvijuan si akademia e vërtetë e shkencave shqiptare, e modelit perëndimor me bazë të vetme: dijen.

Në vitin 1944 fillon heshtja e gjatë. Një nga aktet e para të qeverisë së Tiranës ishte mbyllja e kësaj reviste si “përfaqësuese e reaksionit”, si dhe dënimi me vdekje e burg i drejtuesve të saj, si At Gjon Shllaku, At Anton Harapi, At Benardin Palaj, At Donat Kurti e shumë të tjerë, si dhe vjedhja e trashëgimisë së saj arkivore nga shteti komunist. Periudha e rilindjes së Hyllit fillon pak vite pas rënies së diktaturës, pikërisht në vitin 1993 e vazhdon edhe sot. Këto vite kanë shenjën e “fratit të kujtimeve” Atë Zef Pllumi “ideologut shqiptar të lirisë kundër tiranisë”.

Qasja ndaj lirisë, edukata demokratike, gjuha e komunikimit me Europën, rreziku i tribalizmit dhe autoritarizmit, por edhe plotësimi i sistemit të gjymtuar kulturor, “ringjallja së vdekurish”, qasjet moderne e pa ngarkesa ideologjike që e shihnin letërsinë dhe historinë “si të tillë”, ishin disa prej motiveve të grupit themelues që rilindën “Hyllin”.

Në metropolin postkomunist plot me kioska, që i ngjante një ngrehine pa shpirt në çoroditje e rendje pas fitimit të shpejtë, do të gjindej kjo çetë intelektualësh që do të grumbulloheshin rreth “Hyllit” në kërkim rrënjësh, në pasqyrim tradite, në rizbulim të identitetit europian të mbuluar nga ideologji e trashëgimi të tjera qytetërimore..

“Hylli”, në sintoni me traditën e vet të hershme, u shfaq gjatë tranzicionit si zëdhënëse e mendimit demokratik perëndimor në Shqipëri.  Qysh në editorialin e parë të vitit 1993, At Zef Pllumi shtronte këtë sfidë:

Secili shqiptar, që më të vërtetë e don atdheun, duhet t’i bajë vedit e kombit këto pyetje

1. “Pse kemi mbetë të izoluem prej Europës?”

2. “A jemi nda na prej Europës apo Europa na ndau ne?”

3. “A na pranojnë ne kombet europiane në gjinin e vet me individualitetin e mentalitetin tonë armiqësor ndaj Europës?”

4. “Ç’ka na mungon ne që të mos jemi si europianët e tjerë? Toka –jo, dielli e deti-jo.”

5. “Si mund e duem Shqipninë kur secili shqiptar mendon se vetëm ai ka të drejtë mbi Shqipninë dhe intrigojmë e tiranizojmë njani-tjetrin?”

E “Ati ynë”, kalitur sakrificash, sigurisht e kishte një përgjigje: “shqiptarët kanë për të ba ma shumë për atdheun, në qoftë se kanë për t’u dashtë ma tepër ndërmjet vedit”.

“Hylli” sot e kësaj dite vazhdon të ecë në traditën e jashtëzakonshme të vetën. Cdo numër i ri i saj demonstron një pasuri të vyer dokumentesh albanologjike që ndjellin lexime të reja historike, dokumente që botohen e zbulohen së pari duke mbledhur rreth vetes albanologët më të mirë që sot gjinden në katedrat e botës.

Ndaj sot ndodhem këtu me dëshirën dhe vullnetin tim për t’i kthyer,në një farë mënyre,  borxhin që i ka shteti shqiptar këtij institucioni dijeje, kësaj vatre patriotizmi, këtij modeli europian të menduari dhe të debatuari. Ndaj përveç bashkëpunimit me këtë revistë në kremtimin e 100 vjetorit, por edhe në botimin anastatik të plotë të saj që është një event kulturor më vete.

Ndaj edhe njëherë e them se ndjehem mirë dhe e angazhuar që jam këtu për Hyllin e Dritës  e cila është themeluar si “votër” e kulturës shqiptare dhe e tillë ka mbetur, një revistë përtej krahëve politikë, një revistë europiane e bërë nga shqiptarë dhe për shqiptarët si një arritje e lartë e tyre

Faleminderit