Ministria e Kulturës dhe Muzeu Historik Kombëtar, në bashkëpunim me komunitetet fetare, nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, ditën e shtunë, datë 20 shtator 2014 në MHK, hap ekspozitën “Besim”, organizuar në vigjilje të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri.
Shqipëria e periudhës së diktaturës përbën një rast të papërsëritur në botë me vetëshpalljen si i vetmi vend ateist në botë dhe me ndërtimin e të vetmit muze të “Ateizmit” në Shkodër. Kjo paranojë kulmoi me fushatën e egër kundër fesë dhe moralit që ajo përfaqësonte e që binte ndesh me moralin e të ashtuquajturit “njeriu i ri”. Marrëzia anti-fetare filloi me mbylljen dhe shkatërrimin e pakthyeshëm të objekteve të kultit, shumë prej të cilave me vlera unikale nga pikëpamja e trashëgimisë kulturore. Vala e egër e kësaj marrëzie nuk kurseu dhe jetën e shumë prej klerikëve të cilët u persekutuan, u torturuan dhe u asgjësuan fizikisht nga diktatura, të klerikëve që sjellin një kontribut madhor në disa nga momentet më vendimtare të zhvillimeve politike e kulturore, e posaçërisht të gjuhës e letërsisë shqipe.
U mbyllën shtypshkronja, u shkatërruan biblioteka, u dogjën libra, vepra arti, ikona duke i berë një dëm të jashtëzakonshëm kulturës dhe trashëgimisë materiale dhe jomateriale. U tentua të shkatërrohej tradita shekullore e shqiptarëve, bashkëjetesa ndërfetare, një vlerë që nuk u shua as gjatë periudhës së diktaturës.
Për të evokuar pikërisht kontributin e klerit në Shqipëri para, gjatë dhe pas periudhës së diktaturës, sakrificën e tyre në breza si dhe për të promovuar bashkëjetesën ndërfetare, këtë tipar dallues të shoqërisë shqiptare, Ministria e Kulturës, Drejtoria e Planifikimit Strategjik për Trashëgiminë dhe Diversitetin Kulturor në bashkëpunim të plotë me komunitetet kryesore fetare ne Shqipëri: Musliman, Katolik, Ortodoks dhe Bektashi organizon ekspozitën per Klerin dhe Bashkëjetesën fetare “BESIM”, me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Tiranë më 21 Shtator 2014. Materiali fotografik dhe filmik i mundësuar nga komunitetet fetare është kuruar nga kuratorët me përvojë artistike Edi Hila dhe Zef Paci.
Për realizimin e kësaj ekspozite kanë dhënë ndihmesën e tyre Muzeu Historik Kombëtar, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit, Fototeka Marubi, Arkiva e RTSH, Qendra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë, Studio Nenshati, Shkodër, etj.
Ekspozita u mbështet nga ‘Bankers Petroleum‘.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga data 20 shtator-30 tetor 2014. Hyrja e lirë.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.