Festivali Ndërkombëtar i Teatrit BUTRINTI 2000, edicioni 14 , këtë vit do të zhvillohet në datat 19 deri 23 korrik 2016 në Teatrin e Qytetit Antik të Butrintit. Në këtë edicion do të performojnë në skenen magjike të Butrintit, trupa teatrore nga Shqipëria, Bullgaria dhe Spanja, sikundër edhe një shfaqje koncertale nga Greqia.
Shfaqja e suksesshme “Made in Albania”, me autor Stefan Çapalikun dhe regjisor Altin Bashën do të hapë natën e parë të festivalit më date 19 korrik 2016.
Nata e dytë e festivalit do të vazhdojë me një shfaqje koncertale nga Korfuzi, Greqi, drejtuar nga dirigjenti Alkis Baltas. Në këtë koncert të veçantë, pritet pjesëmarrja e 60 artistëve.
Shfaqja “Shtëpia e Bernarda Albës”, e regjisores Diana Dobreva prezantohet nën interpretimin e aktorëve bullgarë nga Sofja. Një nga regjisoret më të njohura në Bullgari , Diana Dobreva rikthehet në Butrint, fituese e çmimit të kritikës në Avignon, në vitin 2011. Fituese e çmimit ASKER si shfaqja më e mirë e vitit 2015 në Bullgari.
Për t’u veçuar nata e fundit e festivalit, me rikthimin e Teatrit Tribuene, Madrid, Spanjë, me shfaqjen “Dasma e Gjakut”, Federico Garcia Lorka dhe regjisores Irina Kouberskaya. Kjo shfaqje është realizuar posaçërisht për Festivalin e Butrintit. Pas suksesit të shfaqjes “Shtëpia e Bernarda Albës” 3 vjet më parë në Butrint , “Dasma e Gjakut”, sipas realizuesve ‘do të trondisë gurët e lashtë të Butrintit’.
Ky edicion, organizuar nga Qendra Kombëtare e Teatrit Mesdhetar, Parku Kombëtar Butrint mbështetet nga Ministria e Kulturës, Bashkia Sarandë dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit.
19-23 korrik 2016, Butrint
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.