“Kampionët e leximit”, nxënësit nga fshati Blinisht dhe qyteti i Lezhës mirëpritën sot në ambientet e Bibliotekës Publike, Ministren e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro , ku nisi programi i Ministrisë së Kulturës për pasurimin e bibliotekave publike dhe shkollore. “Kampionët”, që kanë lexuar 25 libra për një muaj janë fëmijë të moshës 6-14 vjeç të zonave të largta rurale të Lezhës.
Ministrja Kumbaro vuri në dukje krijimin e bashkëpunimit të MK me bashkitë vendore, nismë e cila nis me Lezhën dhe zhvillohet në kuadër të programit “Edukimi përmes Kulturës”.
“Prej shumë vitesh bibliotekat publike kanë qenë jashtë vëmendjes së bashkive. Arsyeja pse e nisëm këtë projekt nga Lezha, është se në këtë bibliotekë gjetëm dashuri për librin. Prandaj edhe e mirëpritëm projektin e Lezhës “Biblioteka lëvizëse”. Në të gjitha programet e MK prioritet mbetet lexuesi. Nëse nuk kemi lexues, nuk kemi autor, nuk kemi, përkthyes, nuk kemi botues”- u shpreh Ministrja Kumbaro në fjalën e saj.
Projekti i MK-së është vijueshmëri e nismave të ndërmarra në këto katër vite për pasurimin e bibliotekave vendore dhe shkollore. Vitin e kaluar, në kuadër të Fushatës së leximit “Takohemi për një libër”, u hartua edhe projekti për mbështetje të bibliotekave vendore të qytetit të Tiranës.
“Ka një qasje të re të institucioneve të kulturës , andaj jam shumë e gëzuar që nisim sot një marrëdhënie bashkëpunimi me MK”- u shpreh drejtoresha e Bibliotekës Publike “Gjergj Fishta” Lezhë, Suela Bala.
Titujt e librave që dhurohen sot nga fondi i MK janë përzgjedhur nga një kolegjium ekspertësh të jashtëm në përgjigje të nevojave të lexuesit. Projekti do të vazhdojë edhe në bibliotekat e Vlorës, Shkodrës, Fierit, Korçës dhe Elbasanit.
“Edukimi përmes leximit mbetet një nga prioritetet e kësaj qeveri dhe MK. Libri ushqen mendjen. Të ushqesh mendjen është tolerancë, emancipim, zhvillim. Të dhurojmë libra dhe të vazhdojmë traditën e kësaj zone që është e njohur për figurat e shquara në krijimtari, ku mes të cilëve do të doja të përmendja poetin tim të dashur dhe mbi të gjitha Njeriun me mendje të bukur, Ndoc Gjetja”.
Zhvillimi i fushatës së leximit në mbarë vendin në tetor të vitit 2016, evidentoi gjithashtu Bibliotekat vendore më aktive në vend, me një shërbim profesional dhe të përkushtuar, si Biblioteka qendrore e qytetit të Lezhës, fituese në rang kombëtar për projektin “Biblioteka lëvizëse”, Biblioteka Publike e Vlorës “Shefqet Musaraj”, Biblioteka Publike “Marin Barleti”, Shkodër, Biblioteka Publike “Thimi Mitko”, Korçë, Biblioteka Publike “Qemal Baholli”, Elbasan. Këto biblioteka, si pjesë e kalendarit të gjërë të aktiviteteve, jo vetëm dëshmuan gatishmëri të stafeve përkatëse për punën me librin dhe për përthithjen e lexuesve, sidomos lexuesve të rinj, por gjatë monitorimit të aktiviteteve përkatëse u konstatuan edhe kushte të mira shërbimi dhe hapësire fizike për librat.
“Shkrimtari im i parapëlqyer je ti Njeri, me shpirt të bukur njerëzor, që do te jetosh në të nesërmen e të ardhmes”- u shpreh Xhoana Gjokaj, nxënësja fituese e esesë më të mirë.
Në këtë takim merrnin pjesë edhe nënkryetarja e Bashkisë së Lezhës, znj. Alfrida Dedgjonaj, Drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale, Lezhë, Bardhok Pulaj, botues, krijues dhe nxënës që ndoqën aktivitetin në kuadër të programit “Orë letrare në Bibliotekë ”.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.