Gjatë këtyre 30 viteve të fundit, një nga vlerat më të mëdha që u është njohur shqiptarëve, madje edhe nga Papa Françesku, është toleranca fetare. Është një nga ato karakteristika, që na bën të ndihemi krenar, në një kohë kur historia moderne është e shenjuar nga urrejtja dhe luftërat me nxitje fetare.
E pranova me kënaqësi ftesën tuaj, për të qenë sot këtu, sepse gjykoj që tema që keni përzgjedhur është një tregues i kësaj tolerance, e lirisë së shprehjes dhe të ushtrimit të besimit fetar. Hapësirat e besimit fetar, protagonistët dhe komunitetet që ata udhëheqin, kanë një rol të jashtëzakonshëm në shoqëri.
Dhe tek ne, në rradhë të parë i dedikohet angazhimit të vetë komuniteteve religjioze, klerikëve dhe besimtarëve, që nxisin dhe promovojnë paqen dhe harmoninë, në favor të zhvillimit dhe mirëqënies, për të qenë sa më afër atyre që kanë më shumë nevojë, që bëjnë çka mundet për të dhuruar gëzime e për të ndarë dhimbje dhe pamundësi.
Pjesë e këtij sistemi të vlerave pozitive janë dhe radiot fetare. Duke qenë brenda misionit mediatik për informacion, edukim dhe argëtim, transmetimet e tyre përfshijnë mjaft tema sociale, për të rinjtë, për problematikat në shkollë dhe jashtë saj, për luftën kundër përdorimit të lendëve narkotike, alkolit, për respektin ndaj mesuesve, prindërve, ndaj të moshuarve – apo tema që lidhen me kontributin në komunitet, për nisma që përmirësojnë dhe mbrojnë mjedisin, për ruajtjen e traditave më të mira etj.
Të gjithë këtë, unë e shoh si një vijimësi historike. Të mos harrojmë se Shqipëria ka pasur një elitë fetare dhe intelektuale të jashtëzakonshme në gjysmën e parë të shek. XX.
Nëse do të ndaleshim vetëm në vitet ’30, në Shqipëri qarkullonin revista dhe gazeta, të cilat botoheshin nga komunitetet fetare, por që në thelb ato ishin revista dhe gazeta me karakter patriotik, kulturor dhe iluminist.
Mjaft t’ju përmend revistën “Hylli i Dritës”, themeluar nga At Gjergj Fishta, epiku i madh shqiptar, që ftoi rreth vetes intelektualë, jo detyrimisht me rrason e zezë të klerikut, por edhe poetë, përkthyes, gjuhëtarë.
Për të kaluar te “Kumona e së Diellës”, te “LEKA”, te “Zani i Naltë”, “Kultura Islame”, etj.,
Në to shkruan Fishta, At Anton Harapi, Marin e Aleksandër Sirdani, Ernest Koliqi, Eqrem Çabej, Norbert Jokl, Georg Stadtmüller, Henrik Lacaj, Hafiz Ismet Dibra, Hafiz Ali Korça, Haki Sharofi, Verit Vokopola, etj.
Nga emrat që përmenda kuptohet që përmbajtja e këtyre organeve nuk ishin thjesht dhe vetëm fetare.
Gjatë viteve të diktaturës, ky konfiguracion mediatik do të ndryshonte. Revistat dhe gazetat e mësipërme u mbyllën menjëherë pas çlirimit, ndërsa në vitin 1967 u ndalua edhe besimi fetar.
Pas viteve ’90, me ndërrimin e sistemeve dhe lirinë e besimit, u rikthyen gazeta e revista, por me një fokus të ri, te një medium që shkonte më shpejt, jo vetëm te besimtarët. Ishte radioja.
Fluksi i transmetimeve fetare në gjuhën shqipe ka filluar në mesin e viteve ’90, duke angazhuar dhjetra e dhjetra gazetarë, redaktorë e bashkëpunëtorë të redaksive. Janë njerëz që në pjesën dërmuese punojnë vullnetarisht, duke ndjekur trendin e angazhimit brenda komuniteteve fetare.
Është pozitiv fakti që komunitetet fetare i janë përshtatur kushteve që ofron koha. Radiot fetare kanë hapur dhe mbajnë aktive faqet online të tyre me rubrika të larmishme; kanë dhe llogari në rrjetet sociale, duke ecur në një hap me erën digjitale.
Ajo çka na bën mbështetës ëhstë mesazhi që përcjellin, fryma e shëndoshë, ndjenja e solidaritetit, e tolerancës dhe dashurisë mes njëri-tjetrit.
Uroj suksese për punimet e konferencës!
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.