Fjala e Ministres Kumbaro për seancën plenare të Kuvendit në mbrojtje të Ligjit: “PËR TË DREJTAT E AUTORIT DHE TË DREJTAT E TJERA TË LIDHURA ME TO” - Ministria e Kulturës
Postuar më: 31/03/2016

Fjala e Ministres Kumbaro për seancën plenare të Kuvendit në mbrojtje të Ligjit: “PËR TË DREJTAT E AUTORIT DHE TË DREJTAT E TJERA TË LIDHURA ME TO”

Sot prezantoj para jush një projekt-ligjin për “Të drejtat e Autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të”

Një projekt-ligj tërësisht në shërbim të krijuesve, autorëve, artistëve për të njohur dhe shpërblyer të drejtën e tyre të autorit, ku shteti, – më në fund, – merr seriozisht përsipër të luajë rolin e mbrojtësit të autorëve, duke krijuar një terren të ri të qartë komunikmi dhe transparencë për tre partnerët kryesorë në fushën e të drejtave të autorit: autorët-agjencitë-përdoruesit.

Pas dy viteve punë, pas konsultimeve me rreth 40 operatorë, grupe interesi, subjekte të interesuara për fushën, Ministria e Kulturës paraqet në Kuvend një projektligj revolucionar i cili për të parën herë krijon një kornizë ligjore shumë të rëndësishme :

– jo vetëm për Ministrinë e Kulturës,

– jo vetëm për plotësimin e kuadrit ligjor në një fushë ende të paplotë, të re, pa përvojë

– jo vetëm për tregun e ekonomisë së prodhimeve të krijimtarisë intelektuale, artistike dhe shkencore,

– jo vetëm për të përmbushur një detyrim të kahershëm të shtetit shqiptar që rrjedh nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE, i cili që prej 10 vjetësh vë theksin mbi këtë detyrim të paplotësuar të Shqipërisë në fushën e të Drejtës së Autorit dhe të luftës kundër piraterisë,

– por sidomos për të vendosur fort AUTORIN KRIJUES, në qendër të vëmendjes, si mbajtësi i vetëm i së drejtës

Duam ta theksojmë fort këtë risi, sepse:

shënon një hap të rëndësishëm përpara në mbrojtjen e të Drejtës së Autorit, duke u renditur kështu në një hap me legjislacionet më të avancuara në Europë për këtë lëmë.
mbron, mbështet dhe garanton një kategori vulnerabël që është ajo e KRIJUESVE që asnjëherë s’ka përfituar mbrojtjen e merituar dhe njohjen me të drejta të plota të së drejtës së vet të pronësisë intelektuale,
theksojmë qartë për të gjithë aktorët, që tagrat e së drejtës së autorit i ka vetë autori dhe që i lindin që në momentin e krijimit, si edhe të publikimit të krijimit.
Këtë të drejtë nuk ia jep ligji. Ligji ia njeh, ia mbron, ia garanton.

Kjo është filozofia e këtij ligji dhe kjo filozofi na mundëson edhe ta përkufizojmë qëllimin e ligjit, që është

garantimi i një niveli më të mirë mbrojtjeje për autorët, artistët e titullarët e të drejtave të autorit në përgjithësi,
sigurimi i një ambienti të përshtatshëm për respektimin e këtyre të drejtave, duke garantuar balancën midis të drejtave individuale të titullarëve të të drejtes se autorit dhe interesit publik për informim, si dhe klimës së përshtatshme të biznesit.

Ky projektligj merr parasysh zhvillimet teknologjike dhe shumëllojshmërinë e formave të shfrytëzimit të veprave letrare, artistike apo shkencore, në epokën digjitale

dhe

-ofron mekanizma rregullatorë për të mos lejuar cënimin e titullarëve të të drejtave nga njëra anë si dhe nga ana tjetër të drejtën e publikut për t’u informuar.

Duhet të mos harrojmë që është një ligj jo i lehtë, i tillë nuk është as në vendet e tjera. Në Shqipëri ca më shumë.

Që të jem më e qartë, më lejoni të bëj një përmbledhje të shkurtër të

situatës së trashëguar,
si dhe të

të metodologjisë së punës tonë në përgatitje të këtij projekt-ligji, për të kuptuar më mirë pse-në e këtij projektligji: i cili është mjaft kompleks jo vetëm sepse e tillë është në vetëvete tematika që ai mbulon por edhe për nga qëllimi që ai ka për të krijuar mekanizma të aftë të zgjidhin problematikat e tregut shqiptar në fushën e krijimtarisë dhe të së drejtës që lind për autorin.

Le të kujtojmë këtu që

vetë nocioni i të drejtës së autorit është mjaft i ri në të Drejtën shqiptare në përgjithësi, embrionar si e drejtë morale por jo ekonomike në juridiksionin shqiptar deri në fillim të viteve 90’;
thuajse pa asnjë histori juridike, po të mos llogarisim këtu disa nene të Kodit Civil të viti 1929 që rreken ta përkufiziojnë nocionin madje edhe duke përmendur nevojën e ligjeve të posaçme, por nuk shkojnë përtej.

Në këtë kuptim nuk ishte e lehtë të integrohej ky koncept e aq më pak të përkthehej menjëherë në një praktikë sociale, juridike e ekonomike në tranzicionin shqiptar të pasviteve 90’.

Kësisoj problematikat në fakt mbarten prej shumë vitesh në realitetin shqiptar duke e kthyer autorin/krijuesin shqiptar në grupin më vulnerabël në realizimin e të drejtave të tij dhe në krijimin e një klime ku realizimi i këtyre të drejtave në çdolloj forme duket i pamundur.

Në 2009 u bënë përpjekje për të formuluar një grup rregullash më të avancuara në formën e një projektligji të cilat do duhej t’u jepnin zgjidhje problemeve të fushës ku ndër më të spikaturit ishte

ai i mosshpërndarjes së shpërblimit të mbledhur nga Agjencitë te komuniteti i krijuesve,
apo,

më keq akoma, injorimi total nga ana e përdoruesve të dispozitave të ligjit në fuqi.
lënia në errësirë e pa asistencë e shumicës së autorëve e artistëve, në administrimin e të drejtës së pronësisë së tyre intelektuale.

Ndonëse me asistencë të Komisionit Europian ai projektligj nuk arriti të bindte MTKRS për të bërë të mundur prezantimin e tij në qeveri apo më tej në kuvend.

Pas një serie konsultash një projektligj i dytë u paraqit nga MTKRS në qeveri me shumë vërjetje nga Ministria e Drejtësisë, e më pas mbërriti edhe në Parlament por në 2012 Komisioni i ligjeve e ktheu mbrapsht atë projektligj duke mos përmbushur detyrimet e nevojat e kohës.

Kemi qenë dhe jemi të gjithë dëshmitarë të lumit të madh të ankesave që vijnë nga të tre figurat që veprojnë më së shumti në tregun e së Drejtës së Autorit:

nga artistët e autorët të cilët ndjeheshin të pambrojtur, të pashpërblyer, të grabitur
nga përdoruesit të cilët ankoheshin se ishin të detyruar të paguanin në situatë konfuze, pa kuptuar si, sa, kujt dhe se si përdoreshin ato para që mblidheshin nga agjencitë e administrimit kolektiv;
por edhe nga AAK sepse hasnin në vështirësi komunikimi me përdoruesit për shkak të vakumeve në bazën ligjore dhe për shkak të paaftësisë së ZSHDA për të menaxhuar mosmarrëveshjet, dhe për shkak të mungesës së koordinimit të institucioneve të ndryshme të inspektimit.

E ndodhur në këto kushte, në takimin tonë të parë në Nëntor 2013 me përfaqesuesit e BE Ministria e Kulturës u angazhua për të nxjerrë Shqipërinë nga lista e zezë e shteteve ku të drejtat e autorit dhunohen.

Nga këto takime nuk kishte dyshim se draftligji i ri do duhej të jepte zgjidhje konkrete dhe efektive problematikave më poshtë:

* a e një baze ligjore ku nuk parashikohet qartë mënyra e zgjidhjes së konfliktit ndërmjet Mbajtësit të së drejtës dhe përdoruesit, por në cdo rast shihet në favour vetëm të AAK.
* ë ligjin ekzistues nuk ka një bazë ligjore të qartë mbi kontrollin e AAK-ve duke bërë shpesh herë që këto Agjenci të dalin herë pas here si biznese private.
* Sistemi Tarifor i AAK-ve përcaktohet me ligj vetëm në kufijtë minimalë që duhet të paguajë një përdorues si shpërblim për përdorimin e veprës, dhe i bën shpesh herë përdoruesit të jenë të paqartë se sa duhet të paguajnë si shpërblim.

* Nuk zgjidh të gjithë konfliktet sipas ndryshimeve të teknologjisë sot por ngelet vetëm në parimin që mbajtësi i të drejtës gëzon. Nuk i përgjigjet pra progresit të teknologjisë në vitet e fundit duke rezultuar kështu i vjetëruar.

* ë ligj nuk është përcaktuar kostoja e administrimit të AAK-ve gjë që i bën ata të pavarur në vendimarrje si ndaj autoritetve shtetërore ashtu edhe ndaj anëtarëve të tyre.
* ë gjitha ndryshimet statutore janë lënë në dorë të AAK-ve gjë që mund të sjellë pasoja ku vendimet të merren në interes vetëm të disa grupeve.

Dhe së fundi, por jo më pak e rëndësishme projektligji ekzistues nuk pasqyron plotësisht direktivat kryesore të mbrojtjes së të Drejtës së autorit si e drejtë parësore

Duke pasur parasysh se gjatë këtyre viteve procesi i shpërndarjes së shpërblimit ka qenë gati i papërfillshëm, – madje ka periudha ku agjencia mban për shpenzimet e veta deri 80% të shumës së mbledhur nga përdorimi i së drejtës së Autorit duke shperndarë vetëm 10 apo 20% ose hiç fare – sepse të tilla i lë hapësirat e abuzimit ligji ekzistues –

me anë të këtij draftligji parashikohen mjete e instrumente të cilat vendosin rregulla të qarta:

Kufij në kuotën me të cilën mbulon agjencia shpenzimet e saj operative si OJF, të cilat autorizohen nga shteti për të garantuar zbatimin e ligjit por jo ekzistencen e tyre te cilen duhet ta sigurojne nepermjet menyrave te tjera;
Me këtë projektligj, kuota e agjencisë do të llogaritet mbi vleren e shpërndarë dhe jo mbi atë të mbledhur duke nxitur agjencitë të gjejnë autorët dhe jo, si sot, të gëzojnë shpërblimet e tyre duke u justifikuar me pamundësinë e gjetjes së autorëve;
Për këtë argument të fundit, MK krijon fondin e promovimit të të drejtave të autorit dhe krijuesve të rinj me ato shpërblime të cilat nuk i shkojnë autorit deri pas 3 vitesh nga mbledhja e tyre, dhe që përdoren për krijimtari artistike dhe diversitet kulturor.
Transparencë në metodologjinë e përcaktimit të vlerës së shpërblimit të autorit ;
Ndërmjetësim me rregulla të qarta dhe vendimmarrje efektive në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve;
Pozicionon autoritetet shtetërore në role të qarta ndihmëse dhe garantuese të zbatimit të së drejtës së autorit .

Në këtë projektligj garantohen në mënyrë më të plotë të drejtat pasurore si e drejta e riprodhimit, e shpërndarjes së veprave tek publiku, e qirasë dhe e huadhënies, të drejtat e përshtatjes së veprës, të komunikimit në publik si edhe të drejta të tjera të parashikuara dhe të paraqitura në përputhje me direktivat e BE dhe legjislacioneve kombëtare të këtyre vendeve.

Risi të sjella në këtë draft janë:

Projekt-ligji i ri, parashikon lehtësira për subjektet përdoruese të cilët tashmë do të paguajnë një tarifë të vetme – te Sporteli unik, i cili krijon lehtësi për subjektet përdorues dhe i shërben formalizimit të tregut intelektual. I jepet fund konfuzionit me shpërblimet ndaj shumë agjencive njëherësh. Ndërkohë tanimë krijohet mundësia që të paguhet në një sportel për të gjitha agjencitë respektive.
Përafrim i plotë me direktivat e BE, legjislacion i përditësuar dhe afron zbatimin e praktikave më e mira evropiane në territorin shqiptar. Të drejtat e autorit në një nivel parashikimi dhe mbrojtjeje sikundër në vendet evropiane.
Orientime të thjeshta dhe të qarta për organin procedues, gjykatës dhe adresimin e problematikave në lidhje me masat paraprake, sigurimin e provave dhe zgjidhjen efikase të rasteve gjyqësore.
Instrumente të qarta për shkeljet në internet në kohë të shpejtë dhe me detyrim për provueshmëri nga palët e pretenduara në mosmarrëveshje. Kapitull i qartë për të kompletuar rregullat procedurale në interes të mbrojtjes dhe zbatimit të të drejtave.
Shtimi dhe plotësimi i masave administrative, tashmë jo vetëm për personin juridik që shkakton dëm dhe cënim të të drejtave por edhe për administratorin e tyre dhe cdo person tjetër fizik që ka dijeni ose duhet të kishte dijeni për fallsifikime, riprodhime të paligjshme dhe veprimtari të tjera pa autorizim të mbajtësit të të drejtave për qëllime ekonomike dhe financiare. Ndërshkim të gjithanshëm për këdo që shkel këtë ligj.
Risi në këtë projektakt, është futja e koncepteve të reja të zgjidhjes së konflikteve, ndërmjetësim dhe arbitrazh. Instanca të reja bashkohore në interes të palëve, duke siguruar ekonomi gjyqësore, profesionalizëm dhe zgjidhje të konflikteve brenda një kohe të arsyeshme të problematikave, në lidhje me ritansmetimin kabllor. Parashikime të qarta procedurale për këto dy institute të reja në këtë projektligj:
KONKRETISHT
Drejtoria e të Drejtës së Autorit – një drejtori e dedikuar politikash dhe me një gamë të gjerë kompetencash në rritje të profesionalizimit, dhe shumë më eficente në bashkëpunimin e saj me inspektoriatin dhe publikun në rastet e cënimit të të drejtave. Me Kompetenca të reja për mbikëqyrjen e agjencive dhe bashkëpunim me aktorët e tjerë dhe organet tatimore; në marrëdhënie hiearkike brenda Ministrisë së Kulturës dhe e orientuar shumë qartë drejt ndërgjegjësimit publik të të drejtave pasurore të krijuesve si dhe fushatave të edukimit dhe aktiviteteve të arsimimit publik.
Menjëherë DDA do të përgatisë Kurrikulën e re në 13 gjimnaze që do të implementohet në zbatim të ligjit të ri në njohjen e gjeneratës së re me potencialet e reja në një ekonomi digjitale.
Këshilli Kombëtar i të Dretjës së Autorit, organ i ri i specializuar për vendosjen e tarifave të shpërblimit. Është risi absolute në këtë projektakt dhe i jep fund konfliktit permanent mes subjekteve përdorues dhe autorëve apo agjencive. Do të jetë organ vendimarrës që certifikon metodologjinë e tarifave, të cilat do të jenë të botuara në kanalet e komunikimit publik.
Tarifat do të jenë transparente, konkuruese për subjektet, jo arbitrare çka ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë në formalizimin e tregut duke siguruar konkurencë të lirë dhe do t’i japë fund abuzivizmit disa vjecar por i jep fund edhe kontestimit të tarifave nga palët dhe ndihmon artistët të përfitojnë më shumë. Kjo do të realizohet edhe me bashkëpunimin e shtuar të organeve të tjera shtetërore që kanë rol shtrëngues ndaj informalitetit.
Skemë e re përfitimi nga importimi i makinerive dhe pajisjeve të tjera ku fiksohet vepra dhe shpërndarjes dhe riprodhimit të autorizuar.
Nxitet mundësia e tregut për krijimin e agjencive të reja për aministrimin kolektiv të të drejtave sipas nenit 131 të këtij projektligji, risi kjo edhe në përputhje me praktikat më të mira evropiane.
Transparencë e shtuar në jetën e agjencive gjatë shfrytëzimit të licencës së dhënë nga MK. Krijohen kësisoj organe të reja llogaridhëniejeje. Brenda agjencive për trajtimin e ankesave në përputhje me direktivën 26/2014/BE dhe llogaridhënien në aspektet e shpërndarjes së shpërblimeve, të ndryshimeve statutore, të rakordimeve finaciare të bilanceve dhe formave të paraqitjes së tyre kundrejt organeve tatimore dhe hetimit administrativ.
Ky projekt-ligj përcakton kritere ligjore dhe nënligjore për agjencitë që kërkojnë licencë dhe monitorim të vazhdueshëm nga DDA për përmbushjen dhe zbatimin e ligjit të ri në tregun shqiptar.
Përfaqësim kontaktual në interes të bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe formalizimit të marrëdhënieve agjenci-autor mbajtës i të drejtave.
Kontrata të reja të parashikuara në këtë draft dhe me norma të qarta në mbrojtje të interesave legjitime të palës më vulnerabël në marrëdhënien kontraktore. Madje dhe Kontrata e botimit vjen e qartë në këtë projektligj
Marrëdhënie e qartë midis autorit dhe punëdhënësit për veprat e krijuara gjatë marrëdhënies së punës

Në lidhje me zbatimin e parashikimeve të këtij projektligji, mendojmë se parashikimet dhe risitë që sjell ky projektligj kanë nevojë për një periudhë tranzitore derisa agjencitë e administrimit kolektiv të të drejtave të fillojnë të aplikojnë më sukses zbatimin e këtij ligji.

Rregullimi procedurave do të jetë një ndër fazat tranzitore të këtij procesi, por Ministria e Kulturës ka përgatitur tashmë kalendarin përkatës të akteve nënligjore, por ka përgatitur gjithashtu edhe paketën edukuese dhe të promovimit të mekanizmave të rinj të ligj për të ndihmuar të gjithë aktorët e përfshirë në ambjentimin me këtë ligj.

Sot Shqipëria u pajis me një ligj jo vetëm europian, por edhe me një mbrojtje shumë të mirë të autorëve, të cilëve ua shijojmë e përfitojmë krijimtarinë artistike, shkencore, intelektuale, por rrallë mendojmë se sa pak të shpërblyer janë dhe se sa të brishtë janë!

Nëse e duam krijimtarinë e tyre për vete e për shqiptarët e brezit tjetër, të gjithë duhet të kontribuojmë në luftën kundër piraterisë dhe në mbrojtje të së drejtës së autorëve krijues.