Përshëndetje
Përshëndetje dhe mirë se u rigjetëm në ditën e katërt të Festivalit të Librit dhe të Artit.
Është ky festival një nga ngjarjet kulturore që gjallojnë, i cili siç e thashë ditën e parë, hapi siparin e serisë së projekteve kulturore që fituan mbështetjen e Ministrisë së Kulturës në thirrjen e parë për vitin 2014.
Me larminë jo vetëm të tendave, pamjeve, prerjeve, gjinive, ngjyrave, aktiviteteve, librave dhe performancave por edhe të publikut të të gjitha moshave, ky festival trazoi për mirë jetën e kryeqytetit në këtë fund prilli.
Mbase kjo festë artistike, si çdo gjë e re, trazoi dhe mendje dhe qejfe aty këtu, por kjo është veçse e shëndetshme dhe provë e demokracisë edhe në kulturë e në art. As duhet të na shqetësojë dhe as të na bezdisë. Përkundrazi indiferenca ndaj ngjarjes kulturore do të ishte shqetësuese për një shoqëri.
Në këtë kuptim, të gjitha debatet që janë zhvilluar e zhvillohen rreth çdo ngjarjeje që ndodh, tregojnë jo vetëm se skena e kulturës nuk është e fjetur por edhe se interesi është rritur e bash për këtë falenderoj çdo zë, pro ose kundra, që rri zgjuar e reagon ndaj ngjarjeve të kulturës.
Si punëtore e fushës por edhe si ministre e kulturës kam bindjen se skena shqiptare e kulturës ka vend për të gjithë aktorët që kanë dëshirën dhe vullnetin të hyjnë në të me një prodhim, me një vepër, me një dëshirë për të tërhequr publikun, për ta edukuar e gëzuar atë, por edhe për të lënë gjurmën e tyre në hartën kulturore të sotme e të nesërme.
Kultura nuk është dhe nuk mund të jetë një luks që i shtohet ekzistencës vetëm pasi të kemi zgjidhur gjithë problemet sociale. Përkundrazi ajo mbetet elementi qendror për të luftuar përjashtimin social, moskuptimet dhe keqkuptimet, padijen dhe mediokritetin, mbajtjen peng të modeleve të së shkuarës, por edhe frikërat dhe pasigurinë që frenojnë shoqërinë drejt zhvillimit dhe përparimit.
Thënë kjo, nuk mund të mos theksoj se duhet të ketë megjithatë një filtër, një kriter, – quajeni si të doni, – për të hipur në skenën e kulturës si aktor i saj, madje jo thjesht për të hipur por sidomos për të qëndruar një copë herë mbi atë skenë, e sa më gjatë që të jetë e mundur, në mos përgjithmonë.
Ky kriter nuk mund të jetë kurrësesi arbitrariteti, as vendimi i një ministri, as klientelizmi, as tarafi i qytetit e as qokat e fshatit, as militantizmi, as monopolizimi prej bajraktari dhe as batuta “topi është i imi penalltinë e gjuaj unë”.
Është në interesin e zhvillimit kulturor të një vendi, siç është dhe kërkesë e komunitetit ambicioz të njerëzve të artit, që kriter duhet të jetë cilësia artistike dhe vendi që çmohet brenda sistemit të hierarkisë së vlerave kulturore.
Rreth kësaj duhet të bashkohemi të gjithë nëse duam të ndërtojmë sisteme vlerash, ku s’duhet të mungojë në asnjë çast respekti për këdo që në gjithë këto vite ka dhënë kontribute, ka dhënë copa jete dhe emocione nga shpirti i vet në skenat shqiptare edhe në kushte shumë të vështira.
Nuk po ju zbuloj asgjë të panjohur nëse risjell këtu presionin e këtij komuniteti për t’ia hapur skenën cilësisë, vlerësimit dhe sidomos meritokracisë.
Krahas iniciativës së lirë artistike, krahas lëvizjeve dhe rrjeteve kulturore që gjallojnë sidomos falë adrenalinës së të rinjve, dhe që janë të pranishëm edhe në këtë festival, ky presion është edhe më i madh në institucionet publike të artit.
Do të ishte e pafalshme për Ministrinë e Kulturës nëse do të tregohej e pandjeshme ndaj këtij zëri, por po aq do të ishte e pafalshme për Ministrinë e Kulturës nëse nuk do të ndërmerrte reforma në institucionet publike të artit, në krye të 24 viteve përpjekje, ndryshime, përplasje e arritje gjithashtu.
Është folur vite me radhë për këto reforma ndërkohë që taksapaguesit vazhdojnë të derdhin para për skenën.
Është folur për mungesë disipline në teatro dhe për të tjerë të rinj artistë që nuk i afrohen dot teatrit as te kangjellat.
Është kërkuar, ju siguroj, edhe nga teatrot bashkiakë ndihmë për të bërë reformë duke kërkuar një model ndryshimi.
Është kërkuar një sistem konkurrence e meritokracie dhe jo thjesht një taraf për të zënë një vend pune e për të marrë një rrogë.
Është kosto shumë e lartë kjo e fundit, për një vend jo të pasur dhe që sidoqoftë po e ndjen se si shkojnë institucionet publike të artit drejt dështimit financiar dhe drejt varfërisë artistike duke mos motivuar dot siç duhet të talentuarit e artistë shumë të njohur e dëshirëplotë për një sallë të mbushur me publik e duartrokitje që s’blehen me para.
Kjo kërkon, ndër të tjera, reformë institucionale për çka jemi krejtësisht të angazhuar dhe të motivuar, por kërkon bashkëpunim, transparencë, vullnet të mirë, besim dhe komunikim të vazhdueshëm, për çka Ministria e Kulturës nuk do të lodhet asnjëherë duke e bërë.
Dhe këtu, hedh poshtë çdo manipulim e keqpërdorim të opinionit, që nevojën për reforma e quan vitin zero, që shpërndan shpifje për mbyllje institucionesh artistike.
Nuk ka vit zero në kulturë se kulturën nuk e bën as një ministri dhe as një qeveri e aq më pak një parti.
Kultura e vërtetë është ai ajër që gjallon e zhvillohet përtej politikës. Kjo e fundit ka detyrë të vërë në përdorim mekanizma që ta mbështesin kulturën dhe meritokracinë, por dhe të respektojë njerëzit e saj duke bërë të mundur që institucionet jo vetëm të mos mbyllen por të rrinë hapur për këdo të talentuar.
Ajo që duhet dhe synon të bëjë kjo qeveri është reforma në institucionet ekzistuese të kulturës që mbahen me buxhetin e shtetit, që kanë një rol profesional dhe edukues në shoqëri, dhe që nuk mund të lihen as të zvarriten në kornizën e vjetër të para viteve ‘90 dhe as të lëngojnë në pasivitetin e tranzicionit ku sa herë kërkohet ndryshim ky kthehet në një lindje të vështirë në mos të dështuar.
Këta zëra nuk jua solla unë kur u bëra ministre, ato i gjeta në mes tuaj. Ne vetëm i dëgjuam, i dëgjuam fort, sidomos nga të rinjtë jashtë dhe artistët brenda institucionit, që nuk e kanë ndjerë gjithmone vlerësimin dhe meritokracinë e merituar, dhe as kërkesën e përhershme për vlerësim të performancës së diferencuar, si kriteri numër 1 i funksionimit të rregullt të një teatri.
Por ju siguroj që, përveç të tjerash, nuk kanë patur siç duhet dhe sa duhet dhe një dinjitet formal të marrëdhënieve të punës. Tranzicioni i zgjatur në këto vite ka lënë gjurmët e veta edhe në fushën e administrimit të institucioneve të artit; madje më shumë se kudo tjetër.
Vetëm pak metra larg kësaj salle, ku ngrihet një skenë që prodhon ngjarje të forta artistike, falë talenteve të spikatura jashtë dhe brenda vendit, dhe, me punën e vështirë të një trupe të tërë, siç është Teatri i Operas, kemi një kaos adminstrativ kontratash – një kuti si e Pandorës që mbulohej veç nga kapaku i borderove, të cilin vendosëm ta hapim sepse kemi guximin t’i përballim vështirësitë dhe t’i nxjerrim artistët nga situata e paligjshmërisë.
Reformat që po ndërmerr Ministria dhe drejtuesit e teatrove janë krejt transparente dhe synojnë:
– në radhë të parë një strukturë të re institucionale me kategori të detajuara artistike për secilin nga anëtarët e trupës, pa shkurtuar asnjë post pune! E theksoj pa shkurtuar asnjë vend pune për artistët! Përkundrazi, duke krijuar edhe hapësira për artistë të rinj.
– vendosjen e ligjshmërisë së marrëdhënieve të qarta kontraktuale për të gjithë artistët, në dinjitet të figurës së tyre dhe në përputhje me kodin e punës.
– por edhe krijimin e një skeme afatgjatë vlerësimi të performancës artistike që duhet të shoqërojë çdo artist në karrierën e tij, me mundësinë për të arritur karrierë në skenë.
Kjo është më se e ndershme, është motivuese dhe sidomos mban gjallë konkurrencën artistike pa të cilën nuk mund të ketë sistem vlerash, nuk mund të ketë vitalitet në art.
Nga ana tjetër, Ministria e Kulturës e ka marrë përsipër këtë reformë me sa më pak kosto për trupat e artistëve, duke ndjekur gradualisht çdo etapë të reformës, duke u dhënë të gjithëve mundësinë të bëhen pjesë e vlerësimit të meritokracisë e të gjejnë vendin që u takon brenda strukturave të reja e të kenë mundësi të evoluojnë në insitucion sipas performancës e jo thjesht në pritje të ditës së pensionit në horizont.
Për këtë nuk kemi as më të voglën dilemë, sepse askush s’mund ta ketë më dilemën që t’i lërë institucionet e artit në duar të inercisë e aq më pak t’i lërë artistët në duar të rastësisë.
Krahas kësaj qeveria po ndërmerr një reformë në sistemin e pensioneve, ku për të parën herë figura e artistit do të trajtohet si një kategori e veçantë, e me specifikat e veta.
E ndjeva të domosdoshme t’i ndaja me ju këto ide, e para se kur flasim për artin s’mund të ketë festë nëse nuk ka siguri dhe mekanizma transparente që ta garantojnë atë, e dyta për t’i dhënë përgjigje shqetësimeve të ngritura dhe që shoqërojnë justifikueshëm zbatimin e një reforme që sapo ka nisur, dhe që ecën paralel me punën e përditshme të artistëve të skenës siç janë dy premierat e fundit në Teatrin e Operas, apo përgatitjet për premierën e re në Teatrin Kombëtar, ose ekspozitën e sapohapur në GKA, që ju ftoj t’i ndiqni!
Por me këtë festival jemi edhe në skenën e librit, sidomos të librit, të cilin Ministria e ka mbështetur në Panairin e Nëntorit 2013, në Panairin e Leipzigut 2014, në Panairin e Shkupit 2014 dhe e mbështet sërish sot.
Sot jam ftuar nga Shoqëria e Librit për të marrë pjesë njësoj si ju, në dhënien e çmimit “Ardian Klosi”, njeriu që e ideoi këtë Festival pa mundur të jetë aktor i tij.
Ky çmim mbështetet nga rrjeti i njohur Traduki, dhe me këtë rast, në emër të Ministrisë së Kulturës, tashmë anëtare me të drejta të plota në Traduki, kam kënaqësinë të ndaj me ju vendimet e fundit të Tradukit në bashkëpunim me Fondacionin Fisher, për letrat dhe letrarët shqiptarë:
– së pari Traduki konfirmon se do ta financojë çmimin Ardian Klosi për librin më të mirë jo vetëm këtë vit, por edhe në vitet në vijim.
– së dyti Traduki, në nderim të përkthyesit Ardian Klosi, ofron për vitin 2015 një bursë për një përkthyes shqiptar nga gjuha gjermane në shqip për një muaj në ‘Literarische Colloquium Berlin’, çka i jep mundësinë kujtdo të aplikojë, ndërsa fituesi do të ketë një muaj qëndrim falas për të punuar në këtë shtëpi të letërsisë dhe një bursë prej 2000 eurosh për të ndjekur jetën kulturore të një kryeqyteti evropian siç është Berlini. Gara është e hapur dhe informacionin do e gjeni shumë shpejt në faqen e Ministrisë së Kulturës dhe të Tradukit.
Ndjesë për kohën që ju mora, se sot është koha e Librit!
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.